Kërko

 Shpella e Betlehemit dhe Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit Shpella e Betlehemit dhe Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit 

Shën Pjetri vezullon nga dritat e simboleve të Krishtlindjes

Të enjten e kaluar në Sheshin e Shën Pjetrit u përurua Shpella Betlehemit, nën dritat vezulluese të Bredhit të Krishtlindjes. Ceromoninë e kryesuan kardinali Giuseppe Bertello dhe Imzot Fernando Vérgez Alzaga, përkatësisht kryetar dhe sekretar i përgjithshëm i Qytetit të Shtetit të Vatikanit. Nga Sheshi i Shën Pjetrit nisi të përhapej, kështu, në mbarë botën, vezullimi dhe aroma e njërës nga festat më të bukura të krishterimit.

R. SH. - Vatikan

Përurimi i Shpellës së Betlehemit dhe ndriçimi i Bredhit të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit, është traditë që u pëlqen shumë edhe të rriturve. E nisur  që më 1982, me dëshirën e Gjon Palit II, i shoqëron romakët, turistët dhe shtegtarët e mbarë botës, që prej 37 vjetësh. E, për shumëkënd, është takim që nuk duhet humbur!

Sivjet, Shpella e Bredhi janë malësorë

Shpella e Betlehemit dhe Bredhi i Krishtlindjes sivjet zbritën në Sheshin e Shën Pjetrit  nga malësia e  Scurelle, në provincën e Trentos dhe të Rotzo-s, në Rrafshnaltën  e Asiago-s: dy nga komunat më të dëmtuara nga stuhitë, që rrafshuan pyje të tëra të Trivenetos.

Mbrojtja e shtëpisë së përbashkët

Papa u shprehu mirënjohjen autoriteteve civile të dy komunave, që dhuruan “simbolet kryesore fetare të Krishtlindjes”:

“Takimi i sotëm më krijon mundësinë t’i inkurajoj përsëri popullsitë tuaja, të cilat vitin e kaluar pësuan dëme të rënda nga  stuhitë shkatërrimtare, që sheshuan zona të tëra pyjore. Ngjarje që na trembin e sinjale alarmi, që na i çon Gjithësia e na kërkojnë të marrim menjëherë vendime të frytshme për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët”- kujtoi Ati i Shenjtë.

Bredhi i Rotzo-s është shenjë shprese

Françesku kujtoi  edhe ceremoninë, që do të mbahej atë pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit, për ndriçimin e Bredhit të Krishtlindjes. Bredhi, njëherësh me Shpellën, do të qëndrojë pranë grazhdit ku lindi Foshnja Hyjnore, deri në fund të festave. Të dy do të admirohen nga shumë shtegtarë, ardhur nga e gjithë bota. Prej këndej, falënderimi i Papës:

“Faleminderit, të dashur miq, për këto dhurata e, edhe për bredhat më të vegjël, që do të vendosen në ambiente të tjera të Vatikanit. Mësova me kënaqësi se, në vend të drurëve të prerë, do të mbillen 40 bredha për të ripopulluar pyjet e dëmtuara rëndë nga stuhia e vitit 2018”.  

Përmes Shpellës së Betlehemit, komunikohet Ungjilli

Papa Françesku kujtoi edhe shtegtimin e tij në Greccio, të dielën e kaluar për të vizituar vendin ku Shën Françesku ndërtoi Shpellën e parë të lindjes së Krishtit. Aty e nënshkroi edhe Letrën Apostolike “Admirabile signum” mbi kuptimin e Betlehemit, “shenjë e thjeshtë dhe e admirueshme e fesë sonë”.

Porosia e Papës

“Nuk duhet humbur kjo traditë; duhet transmetuar nga prindërit tek fëmijët, nga gjyshërit tek nipërit dhe mbesat”.

08 dhjetor 2019, 13:36