Kërko

Vatican News
Shën Pelini, ipeshkëv e martir i shekull VII me origjinë nga Durrësi Shën Pelini, ipeshkëv e martir i shekull VII me origjinë nga Durrësi 

Më 5 dhjetor kalendari kujton shën Pelinin, martir shqiptar nga Durrësi

Shën Pelinin, ipeshkëv e martir i shekull VII. me origjinë nga Durrësi, murg bazilian, opozitar i herezisë monotelite në Bizant, u transferua në Brindizi, ku me urdhër të basileusit (pushtetarit) e internuan në Korfinio (Abruco e sotme), ku u dënua me vdekje dhe u vra së bashku me dishepujt e vet, më 5 dhjetor të vitit 662 .

R.SH. - Vatikan

Më 5 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Pelinin, ipeshkëv e martir i shekull VII. me origjinë nga Durrësi.  Pra, Shën Pelini lindi në Durrës rreth vitit 620. Ishte murg bazilian, opozitor i herezisë monotelite në Bizant, së pari, gjatë perandorit Herakli I e më pas, gjatë Kostantit II (648). U transferua në Brindizi së bashku me dishepujt e vet, Gorgonin, Sebastin dhe Çiprion. Ndeshja ndërmjet Romës dhe Bizantit u ashpërsua deri atje, sa papa Martini I e shkomunikoi patrikun Serxho dhe heretikët, por u arrestua, u internua në Kostandinopojë e më pas në Kerson të Krimesë, ku vdiq në vitin 655.

Ndërkaq, në Brindizi, Pelini i qëndroi besnik e pas vdekjes së ipeshkvit të atëhershëm Proklit, u zgjodh në krye të dioqezës së Brindizit. Kundërshtoi fuqishëm qëndrimet e Kostandinopojës e për këtë arsye, funksionarët e perandorisë Bizantine, më urdhër të basileusit (pushtetarit) e internuan në Korfinio (Abruco e sotme), ku u dënua me vdekje dhe u vra së bashku me dishepujt e vet, më 5 dhjetor të vitit 662. U shpall shenjt në vitin 668 nga Çiprio, pasardhësi i tij në krye të dioqezës së Brindizit. Në atë rast, u hartua edhe një “Jetë” e shenjtit, ndoshta nga vetë Çiprio, i cili mund të ketë ngritur në Brindizi, edhe vendin e parë të kultit të shën Pelinit.

Për shekuj, ka qenë pajtor i Brindizit së bashku me shën Leuçon. Në vitin 1771 iu kushtua një elter në Katedralen e qytetit, ku martirizimi i tij paraqitet në një pikturë të Oronco Tizos.
Shën Pelini është pajtor i dioqezës së Sulmona-Valvës. Një bazilikë e shenjtit ndodhet në Korfinio e kulti i tij në Marsika dëshmohet edhe nga emri i fshatit shën Pelini, pranë Avecanos, ku mendohet të ketë kaluar shenjti, pas një udhëtimi në Romë.

Pra, Shën Pelini lindi në Durrës, në tokën shqiptare dhe derdhu gjakun për fenë në Krishtin Zot e Shpëtimtar e në mbrojtje të të vërtetave ungjillore në tokën token marsikane në Korfirio, 50 km afër Avecanos. Prandaj Shën Pelini është një personalitet i ndritur që na mëson artin e vëllazërimit e të solidaritetit. Shtatorja e Shën Pelinit, me relike të shenjtë (lipsanë) dhe dy simbolet ipeshkëvnore: Kryqin e Shkopin, pas 13 shekujsh u kthye në atdhe më 2011.

Busti me reliket e Shën Pelinit, me dy simbolet ipeshkëvnore: Kryqin e Shkopin, pas 13 shekujsh u kthye në atdhe, në Shqipëri më 3 mars 2011,  shoqëruar nga një delegacion italian i Kishës së Avecanos dhe Sulomonës i udhëhequr nga dy ipeshkvijtë e këtyre dioqezave. Shën Peli së pari u ndal në vendlindje, në Durrës, ku në Kishën e shën Luçisë u takua me besimtarë e qytetarë durrsak e më pas vijoi shtegtimit drejt dioqezës së Sapës, së pari në Vua-Dejës e më pas në vendqëndrimin përfundimtar në Kishën e Martirëve e Shenjtërve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës.

05 dhjetor 2019, 13:23