Kërko

Vatican News
Parlamenti Evropian në Strasburg Parlamenti Evropian në Strasburg 

Selia e Shenjtë – Këshilli i Evropës: “ditë ndërdisiplinore” për 50 vitet e pranisë në Strasburg

Në 50-vjetorin e pranisë e të punës së Misionit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës, do të mbahen në Strasburg (7-9 janar 2020) tri ditë ndërdisiplinore studimi dhe diskutimi, për të “shqyrtuar disa aspekte të kësaj pranie dhe të impenjimit të të krishterëve në krijimin e vetëdijes kolektive, që bashkon popujt dhe shtetet e kontinentit”.

R.SH. - Vatikan

“Të ndërtojmë së bashku Evropën. 50 vitet e Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës”: në 50-vjetorin e pranisë e të punës së Misionit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në këtë institucion evropian do të mbahen në Strasburg (7-9 janar 2020) tri ditë ndërdisiplinore studimi dhe diskutimi, për të “shqyrtuar disa aspekte të kësaj pranie dhe të impenjimit të të krishterëve në krijimin e vetëdijes kolektive, që bashkon popujt dhe shtetet e kontinentit”, shpjegojnë organizatorët. Ngjarja do të hapet nga sekretarja e përgjithshme e Këshillit, Marija Pecinovic Buric dhe nga vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit, imzot Marco Ganci.

         Ndërkaq, fjalën hyrëse do ta mbajnë Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Gallagher, dhe teologu Luc Perrin. Gjatë ditëve në vijim do të shqyrtohen aspekte të ndryshme, që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e të krishterëve në ndërtimin e Evropës: që nga sfidat ligjore (me një analizë të thelluar të çështjes së lirisë fetare në sistemet juridike evropiane) në marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe shoqërisë në Evropë, duke u përqendruar tek ekumenizmi. Do të pasojë një seancë për çështjet etike (bioetikë, teknologji të reja, migrantë, transparencë financiare); pastaj një çast kushtuar kulturës; më tej, “të drejtat e njeriut dhe respektimi i dinjitetit të tij” dhe së fundi, “marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe politikës”, nga këndvështrimi i ekzegjezës, teologjisë dhe i së drejtës kanonike. Ndër relatorët do të jenë disa teologë nga Fakulteti Katolik i Universitetit të Strasburgut, ku do të mbahen punimet, anëtarë të Këshillit të Evropës dhe përfaqësues të institucioneve të Vatikanit.

17 dhjetor 2019, 17:34