Rreth e rrotull Vatikanit, për të parë Shpellat e Betlehemit

Në shtetin më të vogël në botë, ndërmjet zyrave dhe dikasterve, në kërkim të Shpellave të Betlehemit, që janë, siç thotë Papa Françesku, “tradita e bukur e familjeve tona”.

R.SH. - Vatikan

Shpellat e Betlehemit, që ndërtojmë në çdo shtëpi të krishterë për Krishtlindje janë pamja artizanale e paqes, siç thotë Papa Françesku, por mund të përvijojnë edhe një shteg për të ndjekur në shtetin më të vogël në botë, në Vatikan. Nga dikasteri në dikaster, nga një shesh tek tjetri, nga një portë e madhe deri tek zyrat historike me pajme disi të rëndë, Krishti pret të lindë në grazhdet e vendosura aty-këtu në gjithë Selinë e Shenjtë, vepër e punonjësve, ose e ndonjë zejtari të frymëzuar.

Betlehemi i Tipografisë së Vatikanit

Sapo hyn nga Porta e Shën Anës, kthehesh djathtas e hyrja e Tipografisë së Vatikanit, para së cilës kalohet shpesh nxitimthi, pa e kthyer kokën, shndërrohet në një vend, që të tërheq brenda së paku për ato dy minuta, të cilat, gjatë vitit, nuk do t’i humbje kurrë para asaj dere. Në atë hyrje, është ndërtuar një Shpellë e bukur Betlehemi, që vendoset aty çdo vit, pra, nuk është risi, por nuk mund të kalosh pranë saj pa u ndalur për ta admiruar. Betlehemi, shkruan Papa në Letrën e tij Apostolike “Admirabile signum”, na kujton se “Zoti nuk mbeti i padukshëm në qiell, por erdhi në Tokë e u bë njeri, u bë fëmijë”. E nëse shohim mirë në Shpellën e Betlehemit të Tipografisë, Foshnja Hyjnore tregohet, ose më saktë zbulohet, me një gjest të vogël mekanik, tik-tok. Një Betlehem në lëvizje, si dinamizmi i shëlbimit, që përtërihet gjithmonë.

Betlehemi i Tipografisë së Vatikanit
Betlehemi i Tipografisë së Vatikanit

Betlehemi i Guvernatoratit

Pastaj, duke ecur më tej, kalohet i ashtuquajturi “Grottone”, një tunel i përpjetë, që lidh oborrin e Lajmëtarit me atë të Belvederes, për të arritur deri në Guvernatorat. Që këtej shihet pjesa e mbrapme e Bazilikës së Shën Pjetrit e, pasi ngjiten shkallët e Pallatit të Guvernatoratit, në hyrje, gjejmë një tjetër Shpellë Betlehemi. Kësaj radhe, shtëpizat e Betlehemit ngjiten në formë spiraleje përreth një kodrine mjaft të lartë e shihet qartë se asnjë hollësi nuk është e rastit. Barinjtë, kafshët, objektet, shtëpitë - ka edhe një mulli – janë ndërtuar më së miri, ndërsa Jezusi i vogël, ndërmjet Marisë dhe Jozefit, është vendosur pranë një fëmije, që me duart e vogla lart, duket më i lumturi i të gjithëve. “Kështu lind tradita jonë”, shkruan Papa Françesku, “të gjithë rreth shpellës plot gëzim, pa asnjë distancë ndërmjet ngjarjes, që paraqitet dhe atyre, që bëhen pjesëmarrës në atë mister”.

Betlehemi i Guvernatoratit
Betlehemi i Guvernatoratit

Betlehemi para kishës së Shën Shtjefnit të Abisinëve

Nga Guvernatorati, duke vijuar udhën në kodrën e Vatikanit, këmbët të shpien poshtë, para kishës së Shën Shtjefnit të Abisinëve, vend i lashtë kulti i shekullit V. Edhe aty është ndërtuar një Shpellë Betlehemi. Shtatoret e Familjes Shenjte kanë përmasa më të mëdha se ato të mëparshmet e një shprehje shumë të ëmbël. Janë vërtet të bukura. Sidomos shkopi i Jozefit, i gdhendur me kujdes deri në hollësitë më të vogla. “Pranë Marisë – pohon gjithnjë Papa – si për ta mbrojtur foshnjën dhe të ëmën, vendoset shën Jozefi. Në përgjithësi, ai pasqyrohet me një shkop në dorë e, ndonjëherë, mban edhe një llambë. …Ai është kujdestari, që nuk lodhet kurrë së mbrojturi familjen e vet…”.

Në Krishtin, Zoti u bë fëmijë

Tri Shpellat e Betlehemit, që përshkruam, janë vetëm ato, që çdo vizitor mund të shohë në sheshet e Vatikanit, por ka shumë të tjera, në çdo pallat e në çdo zyrë. Ndoshta më të vogla, ndoshta më të thjeshta, por gjithnjë, ikona të Betlehemit. E sërish Papa Françesku, na kujton: “Zemra e Betlehemit fillon të rrahë kur, për Krishtlindje, vendosim aty djepin e Krishtit Fëmijë. Zoti paraqitet kështu, në një fëmijë, që ta presim krahëhapur. Në dobësinë dhe brishtësinë e tij, fsheh atë fuqi, që krijon dhe shndërron gjithçka. Duket e pamundur e, megjithatë, kështu është: në Jezusin, Zoti u bë fëmijë dhe në këtë gjendje deshi ta zbulonte madhështinë e dashurisë së tij, e cila tregohet me një buzëqeshje dhe me shtrirjen e duarve drejt kujtdo”.

23 dhjetor 2019, 13:07