Kërko

Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes në Vatikan Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes në Vatikan 

Predikimi i Kohës së Ardhjes. Atë Cantalamessa: të ecim në vazhdën e Marisë

“Të besojmë edhe ne, si Maria - këtë theksoi atë Raniero Cantalamessa në predikimin e parë të Kohës së Ardhjes, në praninë e Papës - në mënyrë që çka u vërtetua në Të, të realizohet edhe në ne”.

R. SH. - Vatikan

Ishte Maria në çastin e lajmërimit, thelbi i predikimit të parë të Atë Cantalamessës, në kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik, në praninë e Papës Françesku. Virgjëra e Lume - nënvizoi predikatari i Shtëpisë Papnore - e jetoi kohën e ardhjes në korpin e vet. E di mirë, prandaj, ç’do të thotë “të jesh në pritje”, e mund të na ndihmojë edhe ne “ta  presim”, në kuptimin e fortë dhe ekzistencial, ardhjen e Shëlbuesit tonë.

Rëndësia e fesë

Maria është e para nga ata, që besuan, edhe pse akoma nuk kishin parë. E para, që i tha Zotit “po”. Akti i saj i fesë frymëzohej nga hiri i Shpirtit Shenjt. “Gjurma e pafundme e besimtarëve, që formojnë Kishën - nënvizoi në vijim Atë Cantalamessa - nis pikërisht me fenë e Marisë. Të ecësh mbi gjurmën e saj, do të thotë  të kuptosh  se “feja është baza e të gjitha sendeve”, “vepra  e parë e më e mira, që duhet kryer!”. Hiri nuk mund të veprojë, nëse nuk e gjen fenë, që e pret:

“Feja është kaq e rëndësishme, sepse vetëm përmes saj hiri fitohet falas. Hiri e feja janë dy shtyllat e shëlbimit; janë dy këmbët, për të ecur e dy flatrat për të fluturuar. Ndonëse nuk janë dy gjëra paralele, sikur hiri të vinte nga Zoti e feja, nga ne e shëlbimi të varej, kështu, në pjesë të barabarta, nga Zoti e nga ne”(“Përmes hirit  u shëlbuat me anë të fesë, e kjo nuk vjen nga ju, por është dhuratë e Zotit, që askush të mos mund të krenohet” na kujton Shën Pali).

Feja e Marisë

Aspektet e fesë së Marisë - nënvizoi atë Cantalamessa - mund ta ndihmojnë Kishën e  sotme  për të pasur besim më të plotë. Akti i saj i fesë është personal, i pashembullt, i papërsëritshëm. Është lëshim pa anë e pa fund në dorë të Zotit. Lidhje e drejtpërdrejtë me Të. E kjo quhet fe subjektive. Theksi bie mbi faktin e besimit, më shumë se mbi sendet  që besohen. Po feja e Marisë është sa subjekive, aq edhe objektive, komunitare. Maria nuk beson në një Zot subjektiv, personal, që i  dëftohet vetëm asaj, në fshehtësi. Jo! Maria beson në Zotin e Etërve, në Zotin e popullit të vet:

“Nuk mjafton të kesh fe vetëm subjektive; fe, që është lëshim i plotë në dorë të Zotit në intimitetin tënd, në ndërgjegjën tënde. Është tepër e lehtë, në këtë rrugë, ta  zvogëlosh Zotin sipas masës sate. E kjo ndodh kur krijon  idenë tënde për Zotin, bazuar mbi interpretimin personal të Biblës, ose mbi interpretimin e grupit tënd të ngushtë, për ta mbrojtur, pastaj, këtë ide, me të gjitha forcat, ndoshta edhe me fanatizëm, pa u kujtuar fare se ke nisur të besosh më shumë në vetvete, sesa në Zotin. Atëhere i gjithë ky besim i palëkundshëm në Zotin, nuk është tjetër, veçse besim i palëkundshëm në vetvete. Por nuk mjafton as një fe vetëm objektive e dogmatike, nëse nuk e realizon takimin sy për sy me Zotin. Ajo bëhet shumë lehtë fe e vdekur, besim me ndërmjetësinë e ndonjë njeriu a të ndonjë institucioni, që shembet sapo bie në krizë  besimi në këtë institucion, në Kishën”.

Duhet besuar

Nuk mjafton, prandaj, një fe vetëm subjektive e as vetëm objektive: duhet të besosh në Kishën, por personalisht. Feja dogmatike e Kishës - vijoi të shpjegojë predikatari i Shtëpisë Papnore - nuk e lëndon aktin  personal, as spontaneitetin e besimit. Përkundrazi e ruan dhe e ndihmon ta njohë e ta përqafojë një Zot pambarimisht më të fortë, se përvoja ime e varfër.

Asnjë krijesë, nuk është në gjendje të përqafojë, me aktin e vet të fesë, pafundësinë e njohjes së Zotit. Feja e Kishës është si këndi i madh, që na krijon mundësitë ta kapim e ta fotografojmë pjesërisht një panoramë  shumë më të gjërë se objektivi:

“Bota çahet mes për mes, si deti, nga vazhda shkumbuese e një anije  të bukur. Është vazhda e fesë, e hapur nga Maria. Të hyjmë në këtë vazhdë, Të besojmë se, çka u vërtetua në Të,  mund të vërtetohet edhe në ne. T’i lutemi Zojës, me titullin e ëmbël Virgo fidelis: ‘Virgjër e besimtarëve, lutu për ne!’”.

06 dhjetor 2019, 13:56