Kërko

Kardinali Ayuso Guixot, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe gjykatësi Muhamed Abd al-Salam Kardinali Ayuso Guixot, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe gjykatësi Muhamed Abd al-Salam 

Papa dhe Al-Tayyeb i propozojnë OKB-së një Ditë Botërore të Vëllazërimit, më 4 shkurt

Kërkesa iu dorëzua në Nju Jork, Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, nga organizmi, që punon për arritjen e objektivave të përfshira në Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor. Përveç Ditës, propozimi për një Takim Botëror mbi Vëllazërimin Njerëzor.

R.SH. - Vatikan

Anëtarët e Komitetit të Lartë për arritjen e objektivave të përfshira në Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, për Paqen Botërore dhe për Bashkëjetesën, udhëhequr nga kardinali Ayuso Guixot dhe nga gjykatësi Muhamed Abd al-Salam, u takuan në Nju Jork, me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, të cilit i dorëzuan një mesazh nga Papa Françesku dhe nga Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmed Al-Tayyeb. Në mesazh propozohet që 4 shkurti të shpallet Dita Botërore e Vëllazërimit Njerëzor. Përveç kësaj, i kërkohet OKB-së të marrë pjesë, së bashku me Selinë e Shenjtë dhe me Al-Azharin, në organizimin e një Samiti Botëror mbi Vëllazërimin Njerëzor.

Vlerësimi dhe bashkëpunimi i OKB-së

         Sekretari i OKB-së, Guterres, shprehu mirënjohjen dhe gatishmërinë e tij për nismën, duke nënvizuar rëndësinë e impenjimit në shërbim të mbarë njerëzimit. Ai caktoi Adama Dieng, këshilltare e veçantë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për diskursin e urrejtjes dhe parandalimin e genocidit, si përfaqësuese të Kombeve të Bashkuara për ndjekjen e veprimtarive të propozuara dhe për bashkëpunimin me Komitetin e Lartë.

         Ky Komitet u themelua më 20 gusht për të arritur objektivat e përfshira në Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar nga Papa Françesku dhe nga Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, në Abu Dabi, më 4 shkurt 2019. Aktualisht, ai përbëhet nga anëtarë të krishterë, myslimanë e hebrenj, dhe kryesohet nga kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

05 dhjetor 2019, 16:58