2-2.jpg

Në Vatikan ekspozohen 130 Shpella Betlehemi, nga mbarë bota

Një ekspozitë e jashtëzakonshme në Vatikan: 130 Shpella Betlehemi, nga të cilat Krishti Fëmijë u flet vizitorëve me të gjitha gjuhët e botës

R. SH. - Vatikan

Sapo të kesh shkelur në Ekspozitën, organizuar në Sallën Piu X, hyn menjëherë në shpirtin e Krishtlindjes, që të flet prej 130 shpellave, nga 30 vende të ndryshme të botës. Nis, atëhere, ta jetosh Krishlindjen, ashtu si e jetojnë vise të afërta e të largëta, të pasura e të varfëra.

Ekspozita u përurua dje, 8 dhjetor, nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri dhe nga ambasadori i Hungarisë pranë Selisë së Shenjtë. Të pranishëm, shumë përfaqësues diplomatikë nga vende të ndryshme, sidomos, vendet prej të cilave vijnë Shpellat  

Pas vizitës së Papës Françesku, të dielë, më 1 dhjetor 2019, në Greçio, ku nënshkroi Letrën Apostolike “Admirabile signum” mbi vlerën e Shpellës së Betlehemit, filloi përsëri kjo nismë e madhe artistike, që i flet drejtpërdrejt zemrës njerëzore. Në fillim titullohej “100 Shpella Betlehemi në Vatikan”, tani “130 Shpella...” e ndodhet në Via dell'Ospedale, 1, skaji i Via della Conciliazione 7.

Ekspozitë, për të mbajtur gjallë traditën

 Ekspozita kushtuar Shpellave të Betlehemit, një mori vepërzash arti,  nisi të organizohej në vitin 1976, për të mbajtur gjallë një traditë tipikisht italiane,  në rrezik të zhdukej e për ta nxitur të organizohej edhe jashtë Italisë. Titullohej “100 Shpella Betlehemi”, për të kujtuar numrin e Shpellave që ekspozoheshin, e që sivjet kanë arritur në 130. Kështu vizitorët kanë mundësi të admirojnë një mori variantesh e të thellojnë njohjen e tyre në lëmin e  artit të Shpellave të Betlehemit si dhe të  cilësive të tyre stilistike.

“130 shpellat e Betlehemit”, në Vatikan

Manifestimi ndiqej çdo vit në Romë, në Sallat sugjestive të Bramantes, pranë Bazilikës së Shën Marisë të Popullit, por që vjet, pasi kishte arritur në  edicionin e 43-të, u zhvendos. Kjo, edhe për arsye se kohët e fundit organizimi ndeshi shumë pengesa. Atëhere Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e  Ri, vendosi  ta organizojë në Vatikan. Prej këndej, u quajt: “100 (sivjet 130) Shpella Betlehemi në Vatikan”. Do të jetë e hapur në periudhën e Krishtlindjes, nga 8 dhjetori 2019 deri më 12 janar 2020.  

Shpella e Betlehemit, si mjet ungjillëzimi

Shpella e Betlehemit - theksoi imzot Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri - pëveçse traditë shumë e bukur kulturore, është edhe mjet i fuqishëm ungjillëzimi. Të shumtë janë njerëzit që, çdo Krishtlindje, ndalohen para misterit të Zotit të mishëruar, që paraqitet nga këto kryevepra arti, për t’u lutur e për të zbuluar dashurinë e Hyut, që bëhet foshnjë për ne.

Larmia e madhe e Shpellave të Betlehemit

Në ekspozitë, Shpellat e Betlehemit përtërihen çdo vit, sepse çdo vit vijnë të reja, nga të gjitha rajonet e Italisë dhe nga shumë vende të tjera të botës: janë vepra artistësh, artizanësh italianë e të huaj, koleksionistësh, amatorësh, studentësh, nxënësish, që nga shkolla fillore, tek ajo e mesme, përfaqësuesish të shoqatave kulturore të angazhuar në veprimtari shoqërore, muzesh kombëtare e të huaja. Shpellat ndërtohen me një mori materialesh, që nga koralet - tek argjendi, porcelani, qelqi, bronzi, qeramika, balta, druri, tapat, kopsat, dritat e makinave të autove e lapsat; janë të lëvizshme e të palëvizshme, me përmasat më të vogla, deri tek përmasat e njeriut.

Zanafilla e Shpellës Betlehemit

Shpella e Betlehemit, për të krishterët, është rikujtim artistik e simbolik i ngjarjes më të madhe të historisë njerëzore: lindjes, në Betlehem, të Jezusit, Shëlbuesit të botës e Zotit, që u bë njeri, për të banuar ndër ne.

Përfaqëson edhe një traditë të rrënjosur thellësisht në kulturën popullore italiane. Siç na e rikujtoi këto ditë Papa Françesku, u realizua për herë të parë në Greccio, pranë Rietit, nga Shën Françesku, si Shpellë  Betlehemi me figura të gjalla. Për të vijuar deri tek ne e tutje, sepse, sipas shumëkujt, pa Shpellë Betlehemi nuk mund të ketë Krishtlindje!

09 dhjetor 2019, 12:04