Kërko

Konferenca mbi mjekimet paliative Konferenca mbi mjekimet paliative 

Mjekimet paliative. Fillon Simpoziumi ndërkombëtar në Vatikan

Fetë dhe etika mjekësore vendosin themelet për një aleancë të re, që promovon dinjitetin e çdo pacienti dhe të drejtën e kujdesit për të. Punimet e simpoziumit do të përqendrohen veçanërisht në shëndetin mendor të të moshuarve dhe në mjekimet paliative për fëmijët.

R.SH. - Vatikan

Të vlerësohet çdo jete, të promovohet kultura e kujdesit, duke kundërshtuar atë të hedhurinave, që në moshë të shtyrë duket në të gjitha shfaqet saj më dramatike. Këto janë premisat e simpoziumit ndërkombëtar me temë “Feja dhe etika mjekësore: mjekimet paliative dhe shëndeti mendor gjatë plakjes”, që do të mbledhë në Augustinianum të Romës, mbi 250 ekspertë nga e gjithë bota, duke filluar nga dita e nesërme e deri të enjten, 12 dhjetor. Simpoziumi organizohet nga Akademia Papnore për Jetën në bashkëpunim me Samitin Botëror të Inovacionit për Shëndetin (WISH), realitet i Qatar Foundation (Fodacionit të Katarit).

Dokumenti i nënshkruar nga krerët fetarë

         Konferenca në Vatikan është vazhdim i impenjimit të Akademisë Papnore për Jetën, në zbatim të magjisterit të Papës Françesku, i cili, që në vitin 2015, u pati thënë pjesëmarrësve të asamblesë së përgjithshme të organizmit vatikanas se mjekimet paliative “vlerësojnë personin”. Jo më larg se më 28 tetor, përfaqësuesit e tri feve abrahamike nënshkruan në Vatikan, të ashtuquajturin “Position Paper”, për çështjet, që kanë të bëjnë me fundin e jetës dhe me mjekimet paliative.

Paraqitja në Sallën e Shtypit të Vatikanit

         Dy ditët, gjatë të cilave do të ballafaqohen përfaqësues të konfesioneve të ndryshme fetare, mjekë, shkencëtarë dhe bioetikologë, u paraqitën sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga imzot Vincenzo Paglia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën; nga dr.sha Sultana Afdhal, kryepërgjegjëse ekzekutive e WISH dhe nga dr. Kamran Abbasi, drejtor ekzekutiv i Gazetës Mjekësore Britanike.

Plakja e popullsisë

         Imzot Paglia e paraqiti nismën, duke iu referuar arritjeve në kongrese të ndryshme, ku ka marrë pjesë Akademia për Jetën, “në SHBA-të, ku është nënshkruar një deklaratë e përbashkët me Kishën Metodiste; në Brazil, Liban dhe Katar, ku në janar 2018 u nënshkrua një deklaratë e përbashkët me dr.shën Sultana Afdhal”. Impenjimi në fushën e etikës për mjekimet kushtuar popullsisë më të shtyrë në moshë është i përbashkët për të gjitha fetë, sqaroi imzot Paglia. Tashmë, njerëzit jetojnë mesatarisht  20 vjet më shumë se më parë, theksoi prelati, por kjo ka krijuar probleme të tjera, që rrisin edhe koston e mjekimeve shëndetësore, prandaj “duhet shmangur rreziku i përhapjes më të madhe të një kulture eutanazie, që motivohet nga çështje ekonomike”. Kryetari i Akademisë Papnore për Jetën nënvizoi se mjekësia “edhe kur nuk mund të shërojë, duhet gjithnjë të kujdeset për pacientin e të jetë krah tij”.

Libri i bardhë për mjekimet paliative

         Imzot Paglia njoftoi se gjatë Simpoziumit do të paraqitet Libri i Bardhë për promovimin dhe përhapjen e mjekimeve paliative në botë, përgatitur nga një grup ndërkombëtar ekspertësh. Teksti do të jetë në anglisht, gjermanisht dhe italisht e mund të shihet edhe në faqen e internetit të Akademisë për Jetën. Ndërkaq, ai po iu dërgohet universiteteve dhe spitaleve katolike në botë, në mënyrë që të zbatohet në praktikë. “Na bashkon dëshira për të promovuar një ‘kulturë paliative’ - tha ai – si për t’iu përgjigjur tundimit që vjen nga eutanazia dhe vetëvrasja e asistuar, ashtu edhe për të zhvilluar një kulturë të kujdesit për pacientin, që na jep mundësinë ta shoqërojmë atë me dashuri deri në çastin e fundit”.

Fokus mbi të moshuarit dhe fëmijët

         Simpoziumi do të përqendrohet edhe mbi temën e shëndetit mendor të të moshuarve dhe mbi shoqërimin e familjeve, që të mos lihen vetëm para sëmundjes së të afërmit të tyre. Një sesion i simpoziumit do t’i kushtohet një fushe shumë delikate dhe të dhimbshme: mjekimit paliativ pediatrik. Këtu, pjesëmarrësit do të thellohen në kontributin e feve dhe të besimit në shoqërimin e pacientëve, duke pasur prasysh të gjitha përmasat: fizike, emocionale dhe shpirtërore. “Një intepretim i jetës njerëzore dhe i realitetit, që e vlerëson përvojën fetare – shtoi prelati - na lejon të shohim dhe të pohojmë një të mirë, që e kapërcen masën e llogarive të thjeshta” ekonomike.

Imzot Paglia: të hyjmë në fakultetet e mjekësisë

         Në mikrofonin e Vatican News, imzot Vincenzo Paglia shpjegon objektivat dhe temat e simpoziumit:

         T’u jepet dinjitet shkencor mjekimeve paliative. Kur flasim për kujdes paliativ, normalisht mendojmë se nuk ka mbetur asgjë tjetër për të bërë. Ky konceptim i mjekimeve paliative si një lloj hedhurine e mjekësisë, duhet të ndryshojë. Kujdesi paliativ duhet të studiohet si lëndë e kategorisë së parë në fakultetet e mjekësisë. E kjo është një detyrë e parë, që përfshin natyrisht mjekët, shkencëtarët, universitetet e madje, edhe politikën. Në Itali, Akademia për Jetën do të promovojë një takim me këtë perspektivë, ndërmjet drejtorëve të fakulteteve, marsin e ardhshëm.

         Do të flisni edhe mbi mjekimet paliative për fëmijët. Spitali pediatrik “Bambin Gesù” ka bërë hapa të mëdha përpara në këtë fushë. Ç’mund të na thoni për spitalet e tjera katolike?

         Në fakt, jam në kontakt me dr.shën Enoc, pikërisht për të promovuar në Itali e në spitalet katolike, sidomos aty ku ka fëmijë për t’u trajtuar, një reflektim, një vëmendje më shumë, që, nga njëra anë, duhet të jetë teknike e shkencore, por, nga ana tjetër, ne katolikëve duhet të na nxisë më shumë nga pikpamja njerëzore e fetare, sepse ne e dimë se Zoti i shikon fëmijët me kujdes të veçantë.

10 dhjetor 2019, 18:19