Kërko

Gjendja pas tërmetit në Shqipëri Gjendja pas tërmetit në Shqipëri 

Lutje për Shqipërinë pas tërmetit, në mbrëmjen e Ambasadës pranë Vatikanit

“O Atë Qiellor, Zot i qiellit e i tokës, dëgjoje britmën e dhimbjes së atyre, që vuajnë në këtë çast sprove. Të kërkojmë lehtësim e ngushëllim për këta vëllezërit tanë, që i kemi për zemër. Kemi nevojë për Ty e për forcën Tënde, sepse ndihemi të çorientuar para fatkeqësive kaq të rënda, jemi të brishtë e të pafuqishëm para brishtësisë së jetës njerëzore. Mblidhi lotët e atyre, që vajtojnë e, fshiji me ngushëllimin Tënd".

R.SH. - Vatikan

Filloi me një lutje nga zv.Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Miroslaw Wachowski, takimi i mbrëmshëm i organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Në synimin e së Ngarkuarës me Punë, znj. Majlinda Dodaj - e cila falenderoi thellësisht Papën Françesku dhe Selinë e Shenjtë për interesimin e tyre ndaj Shqipërisë - takimi i mbrëmshëm duhej të ishte festë për të përkujtuar Ditën e Pavarësisë, por, pas tërmetit të 26 nëntorit, natyrisht, nuk mund të bëhej fjalë për kremtim të mirëfilltë festiv.

Kështu, pas hapjes së Librit të Ngushëllimeve në Ambasadë, edhe mbrëmja e djeshme u kthye në lutje për viktimat dhe sensibilizim për të kontribuar që të rikthehet jeta e përditshme në zonat e dëmtuara nga tërmeti. Lutja, siç e tha edhe imzot Miroslaw Wachowski, është arma më e fuqishme “për t’ia besuar Zotit të gjitha viktimat e tërmetit dhe gjithçka kishin, si edhe për t’iu përgjëruar Atij të Lumit për dritën e forcën e nevojshme që populli shqiptar, i sprovuar kaq rëndë, të rinisë udhën e ndërprerë. Ky çast shpirtëror – vërejti imzot Wachowski – na bashkon edhe me afërsinë e veçantë të Papës Françesku ndaj asaj popullsie të dashur. Në shpirtin e Papës jehoi thellësisht vuajtja e saj aktuale”.

Në një atmosferë të përshpirtshme, të gjithë të pranishmit në mbrëmje u bashkuan në lutje: “O Atë Qiellor, Zot i qiellit e i tokës, - vijoi imzot Wachowski - dëgjoje britmën e dhimbjes së atyre, që vuajnë në këtë çast sprove. Të kërkojmë lehtësim e ngushëllim për këta vëllezërit tanë, që i kemi për zemër. Kemi nevojë për Ty e për forcën Tënde, sepse ndihemi të çorientuar para fatkeqësive kaq të rënda, jemi të brishtë e të pafuqishëm para brishtësisë së jetës njerëzore. Mblidhi lotët e atyre, që vajtojnë e, fshiji me ngushëllimin Tënd.

O Zot i shpresës, mbështete guximin e popullit shqiptar për solidaritet të ndërsjellë, trashëgimi e tij e çmuar dhe e pathyeshme; ruaja besimin në forcën e së mirës dhe jepi fuqinë për t’u rimëkëmbur e për ta kapërcyer këtë sprovë të rëndë. Po të lutemi përmes Virgjërës Mari, Nëna e Ngushëllimit e, përmes Martirëve të Lum të Shqipërisë. Amen!”

Mbrëmja vijoi me interesimin e pjesëmarrësve, sidomos të anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, për gjendjen aktuale të Shqipërisë.

04 dhjetor 2019, 13:33