Libri "Misioni" i Gianni-Valente Libri "Misioni" i Gianni-Valente  Editorial

Kumtimi i Ungjillit në botën e shekullarizuar

Në fjalimin e kohëve të fundit drejtuar Kuries Romake, Papa kujtoi se nuk jetojmë më në krishterim dhe foli për nevojën e kthesës baritore e për rrënjën e misionit të vërtetë

R. SH. - Vatikan

Në fjalimin drejtuar Kuries, të cilin Françesku e shqiptoi të shtunën, më 21 dhjetor, kishte disa fjalë shumë prekëse. E prekëse ishte edhe mënyra si u thanë.

Duke pasur parasysh paralajmërimet e disa Burrave të mëdhenj të Kishës, shumë kohë para Koncilit II të Vatikanit, Papa nënvizoi:

“Nuk jemi në kristianitet, jo më! Sot nuk jemi më të vetmit, që prodhojnë kulturë, as të parët e as më të dëgjuarit”. “Nuk jemi më në regjimin e kristianitetit, sepse feja, në pjesën më të madhe të botës perëndimore, “nuk përbën më parakushtin e të jetuarit të zakonshëm”, "madje mohohet e arrihet deri në atë pikë, sa të vihet edhe në lojë”.

Kemi, prandaj, nevojë për ndryshim të mendësisë baritore, gjë që nuk do të thotë të kalosh “në një baritori relativistike”. Ndryshim mendësie, që niset nga konstatimi se “jeta e krishterë nuk është gjë tjetër, veçse udhëtim, shtegtim”. E udhëtimi, natyrisht, nuk është vetëm gjeografik por, mbi të gjitha, simbolik: është ftesë për të zbuluar moton e zemrës që, paradoksalisht, ka nevojë të niset, për të mbetur; të ndryshojë, për të  qenë gjithnjë besnike.

Një herë e një kohë feja transmetohej në familje me qumështin e nënës e me shembullin e prindërve, e edhe shoqëria frymëzohej nga parimet e krishtera. Sot ky transmetim u ndërpre, ndërsa  rrethanat shoqërore, nëse jo të krishtera, duken si pengesë për fenë e krishterë. Prej këndej lindi pyetja,  që pati nxitur fillimin e Koncilit e që vijoi të bëhej  gjatë papnive të fundit: “Si duhet kumtuar Ungjilli, atje ku nuk njihet më, ose si duhet rinjohur?”. Nuk është rastësi që Ipeshkvijtë e Romës, njëri pas tjetrit, theksuan se i vetmi ilaç i nevojshëm për t’i mjekuar plagët e njeriut bashkëkohor, është  mëshira.  Mëshira e një Zoti, që të kërkon, të afrohet, të përqafon, para se të të gjykojë. E pikërisht duke provuar këtë përqafim, e ndjejmë veten mëkatarë të varfër, që kanë gjithnjë nevojë për ndihmë.

Në përfundim të takimit, Françesku u dhuroi bashkëpunëtorëve të Kuries librin-intervistë “Pa Të nuk mund të bëjmë asgjë”, shkruar nga Gianni Valente, të cilin e quajti “dokument” kushtuar muajit të jashtëzakonshëm misionar. Në këtë tekst, botuar kohët e fundit, Papa shpjegon se “misioni është vepër e Atij”, domethënë, e Jezusit.

E kotë të shqetësohemi. Nuk vlen organizimi ynë! Britma jonë është pa vlerë! Nuk vlejnë as  rrugëzgjidhjet e as dredhitë, sepse është “Krishti ai, që e bën Kishën të dalë nga vetvetja”. Në misionin për kumtimin e Ungjillit, ti lëviz, sepse është Shpirti Shenjt ai që të shtyn, që të çon. E kur ti arrin, atëhere kujtohesh se "Ai ka arritur para teje e po të pret”. Të kumtosh Ungjillin - shton Papa në librin-intervistë - “nuk do të thotë t’i mërzitësh të tjerët me fjalime apologjetike, as t’ua përplasësh në fytyrë të tjerëve “të vërtetën e Zbulesës”.

Aq më pak duhen përdorur të vërtetat e formula të tjera  doktrinore,  si të ishin gurë për t’u flakur, sepse “kumti i mirëfilltë nuk ka  fryt në vetvete e mund të bjerë në veshë të shurdhër, nëse njerëzit, të cilëve u drejtohet,  nuk kanë rast ta takojnë e as ta shijojnë në ndonjë farë mënyre  dhembshurinë e vetë Zotit e mëshirën e Tij shëruese".

Një nga tiparet më dalluese të misionit të krishterë - kujtoi Pasardhësi i sotëm i Shën Pjetrit – “është ta lehtësosh, jo ta kontrollosh fenë”. Ta bësh të lehtë,  duke mos i krijuar pengesa dëshirës së Jezusit për t’i përqafuar të gjithë, për t’i shëruar të gjithë e për t’i shpëtuar të gjithë!

Gjithnjë të ndërgjegjshëm se “pa Të nuk mund të bëjmë asgjë!”.

23 dhjetor 2019, 13:04