Papa Françesku me kardinalin Tagle Papa Françesku me kardinalin Tagle 

Kardinali Tagle dhe vepra e ungjillëzimit

Në një bisedë me gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano” Prefekti i ri i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve ndalohet posaçërisht tek tema e kumtimit të Ungjillit, duke vënë theksin sidomos mbi përmasën e dëgjimit, por edhe mbi marrëdhëniet ndërpersonale dhe përfshirjen gjithnjë më të madhe të të rinjve dhe të grave në mision. Në fjalët e tij ndjehet fort edhe emocioni e mirënjohja për shërbimin e ri.

R. SH. - Vatikan

“Çdo i krishterë është i thirrur ta komunikojë me jetën e tij, praninë dhe mëshirën e Krishtit”: kështu u shpreh kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Luis Antonio Gokim Tagle, i emëruar më 8 dhjetorin e kaluar prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Duke folur më 10 dhjetor në kryeqytetin filipinas, gjatë përurimit të Veritas Institute of Social Comunication, organizuar nën drejtimin e Zyrës për Komunikimet Shoqërore të Federatës së Konferencave ipeshkvnore të Azisë (Fabc) për veprimtarinë misionare, skicoi kryesisht sfidat baritore të komunikimit e të ungjillëzimit në botën dixhitale. Më pas, gjatë një bisede me “L’Osservatore Romano”, në përfundim të këtij takimi, kardinali Tagle ia besoi misionin e ri Zojës së Bekuar e, përsa i përket detyrës, që i ngarkoi Papa Françesku, tha qetësisht: “Nëse ky është vullneti i Zotit - me bindjen se është - jam i lum që po e filloj këtë shërbim të ri. Ati i Shenjtë më dërgoi një mesazh: i jam mirënjohës për besimin në punën time”.

Tema e ungjillëzimit

Me rastin e përurimit të Veritas Institute of Social Comunication, kardinali Tagle u ndalua posaçërisht tek tema e ungjillëzimit, duke vërejtur se kumtimi i Ungjillit duhet nisur nga përshpirtëria e dëgjimit.

“Roli ynë në përpjekjen për Ungjillëzimin - vërejti - është të dëgjojmë zërin e Zotit e të njeri-tjetrit me durim, interes e vëmendje”. Për të shtuar, më pas, se në komunikimin shoqëror duhen aktivizuar gjithnjë më shumë të rinjtë e gratë. “Të rinjtë, sepse e njohin botën dixhitale më mirë se ne. Gratë,  sepse e kanë për natyrë aftësinë e komunikimit ndërpersonal”.

Sfidat e komunikimit në botën dixhitale

Kardinali u ndalua edhe tek sfidat baritore të komunikmit në epokën dixhitale. Kujtoi se po jetojmë në epokën e inteligjencës artificiale, të ndryshimeve të vrullshme kulturore, gjë që ndikon fuqimisht mbi korpin e mbi mendjen e njerëzve. Në këtë  epokë të globalizimit, ne, të krishterët, jemi të thirrur të zhvillojmë tipe të tjera inteligjence, si inteligjenca relacionale, që e inkurajon njeriun të ngjallë besim e siguri. Në botën e sotme - vijoi - ndjehet fort frika përballë tjetrit, e po aq, edhe dyshimet e paragjykimet.

Çdo i krishterë është misionar

Nuk dimë kujt mund t’i besohet e kujt jo! Prandaj duhet punuar pikërisht për ta shndërruar frikën, në besim tek tjetri, tek familjet, tek bashkësitë.  Sepse misioni bëhet pikërisht në bashkësi. Është kishtar: mbarë Kisha është në mision. Prej këndej, çdo i pagëzuar është i dërguar në mision nga vetë Krishti e nga Kisha e tij. “Çdo i pagëzuar, që jeton në Krishtin, duke marrë pjesë në vdekjen dhe ngjalljen e Tij, është misionar në këtë botë”. E misionar nuk mund të jesh, pa takimin personal me Krishtin. Pa Të nuk ka mision, as kumtim. Nuk ka kurrfarë kumtimi të Ungjillit, pa takimin me Jezu Krishtin. Mision do të thotë ta dëshmosh Krishtin, domethënë ta mbartësh me Të kryqin e Tij, ta jetosh dashurinë e Tij, duke e ndarë me botën, posaçërisht me të varfërit, duke bërë vepra sado të vogla dashurie të krishterë e duke forcuar kudo, rrjetin e solidaritetit. “Janë pikërisht veprat e vogla të dashurisë, ato që e sjellin në botë mbretërinë e Zotit”.

12 dhjetor 2019, 09:02