Kërko

Vatican News
Papa Françesku dhe imzot Donato Oliverio, në audiencën e 25 majit 2019 Papa Françesku dhe imzot Donato Oliverio, në audiencën e 25 majit 2019 

Kard. Parolin në Ungër, për përfundimin e kremtimeve të 100-vjetorit të Eparkisë së arbëreshëve

Kardinali Pietro Parolin vuri në dukje garën e solidaritetit në favor të Shqipërisë, pas tërmetit: "Monumenti më i bukur i përkujtimit të 100-vjetorit të parë të themelimit do të jetë bamirësia për atë tokë, ku lindën të parët tuaj e për popullsinë e saj aktuale: dashuria juaj do të tregojë fytyrën e vërtetë të Kishës së Krishtit, që përkulet mbi plagët shpirtërore e trupore të gjithë bijve të saj”.

R.SH. - Vatikan

         Me një meshë solemne papnore, kremtuar nga ipeshkvi, imzot Donato Oliverio, përfunduan sot kremtimet për 100-vjetorin e themelimit të Eparkisë arbëreshe të Ungrës. Mbrëmë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kryesoi mbrëmësoren e Shën’Kollit, pajtor i dioqezës.

Etapat më të rëndësishme të vitit jubilar

         Kardinali u çoi arbëreshëve afërsinë shpirtërore dhe bekimin e Papës Françesku, duke u kujtuar takimin e tyre me Atin e Shenjtë, më 25 majin e këtij viti, në Vatikan. Pastaj përmendi etapat më të rëndësishme të këtij viti jubilar, si hapja e tij, në shkurt 2019, në praninë e prefektit të Kongregatës për Kishat Lindore, kardinalit Leonardo Sandri dhe të dëshmitarit të fesë, kardinalit shqiptar Ernest Simoni. Pastaj, takimi i ipeshkvijve katolikë lindorë të Evropës, në qershor, gjatë të cilit u reflektua për praninë dhe dëshminë ungjillore, që mund të japin edhe sot katolikët lindorë në kontinentin, i cili, siç thoshte shën Gjon Pali II, duhet të marrë frymë “me të dyja mushkëritë”. E jo më pak e rëndësishme qe edhe vizita e Patriarkut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I, “dhuratë e veçantë, me të cilën Kisha Nënë e Kostandinopojës – tha dje kardinali Parolin – që ju transmetoi kumtin e fesë sipas traditës së vet bizantine, tregoi se e vlerëson praninë tuaj si bashkësi, e cila i njeh mirë rrënjët e veta, rrugëtimin e vet historik e, tani, duke i ruajtur veçoritë e veta në bashkim të plotë më Kishën Katolike, mbetet një urë, që përforcon lidhjet kishtare dhe na bën të shpresojmë për hapa të mëtejshme drejt unitetit të plotë e të dukshëm ndërmjet gjithë vëllezërve në Krishtin”.

Kontributi i Benediktit XV

         Më pas, kardinali Parolin përshkroi udhën e arbëreshëve në Itali, që nga çasti kur Papa Benedikti XV, përmes bulës “Catholici Fideles”, u jepte të drejtën të ruanin ritin e tyre lindor në gjirin e Kishës Katolike. “E gjithë kjo, - u tha arbëreshëve – nuk do të ishte e mundur nëse paraardhësit tuaj, para grumbullimit të reve të luftës, të pushtimit dhe të persekutimit të mundshëm, nuk do ta ruanin sigurinë e pathyeshme se drita e fesë, drita e gëzueshme e Pashkëve, do t’i udhëhiqte në sprovë e do t’i drejtonte në një port të sigurtë shpëtimi, sipas planit të Provanisë Hyjnore”.

Shën’Kolli dhe thirrja për bashkim, që vjen nga Lindja

         Pikërisht, natën e shën’Kollit, festë e ndjerë ndër shqiptarë, kardinali Parolin nënvizoi se viti jubilar është përjetuar si “shtegtim shpirtëror” e, pikërisht jeta e shën’Kollit e shtegtimi i relikeve të tij është i ngjashëm me atë të arbëreshëve.

         “Historia e Shën’Kollit dhe e relikeve të tij – nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – u paraprin e, në një farë mënyre, i ripropozon disa tipare të ekzistencës së bashkësive bizantine italo-greke dhe shqiptare: në të dyja rastet, drita e Lindjes u prit mirë në Italinë kontinentale, që ofroi një vend për trupin mortor të ipeshkvit shenjt dhe taumaturg, ku ai të nderohej me dinjitet, në Bazilikën, që akoma sot mban emrin e tij në Bari, si edhe të parëve tuaj strehimin dhe shpëtimin nga dhuna dhe shtypja”.

Paqja në Lindjen e Mesme dhe takimi i Papës me Patriarkët

         Bazilika e Shën’Kollit në Bari, nënvizoi më tej kardinali Parolin, është tempull perëndimor, që i hap krahët përtej Detit Mesdhe e kjo dëshmohet edhe nga miliona besimtarët ortodoksë, që vijnë për të nderuar shenjtin. Prandaj, kardinali ia besoi Eparkinë e Ungrës pikërisht ndërhyrjes hyjnore të Shën’Kollit. U kërkoi arbëreshëve edhe të luten për dy ndjete: për paqen dhe për pajtimin në Lindjen e Mesme, siç u tha Papa Françesku Patriarkëve të zonës, në takimin e 7 korrikut 2018. U kërkoi edhe të luten për takimin e ardhshëm të Atit të Shenjtë me ipeshkvijtë e vendeve të Mesdheut, në shkurt 2020.

Dëshmoni se drita e fesë ngadhnjen mbi errësirën

         Duke nënvizuar se riti i Mbrëmësores vë në dukje ngadhnjimin e dritës së Krishtit mbi errësirën, kardinali Parolin kujtoi se Eparkia e Ungrës mund ta festojë 100-vjetorin e themelimit të saj (13 shkurt 1919), falë fesë së të parëve. “Ky përkujtim – theksoi ai – nuk duhet kremtuar vetëm me fjalë e me rite liturgjike, por duhet të jetë thirrje e detyrë edhe për ditët e sotme: në kontekste ku, nganjëherë, humbet përjetimi i Zotit, ose zëvendësohet me forma të ndryshme idhujtarie të suksesit, të kënaqësive të kota, të shtypjes së vëllait” duhet të çoni dëshminë e dritës së Zotit tonë Jezu Krisht. Në veçanti, kardinali u kërkoi arbëreshëve ta dëshmojnë Ungjillin përmes bamirësisë: “të pashpresëve - tha ai – çojuni ngushëllimin, që vjen nga siguria se Krishti ecën me ne çdo ditë, deri në fund të botës; nevojtarëve, çojuni solidaritetin vëllazëror, sipas mundësive”.

Ndihma e arbëreshëve për Shqipërinë

         E këtë lloj afërsie me vëllezërit në nevojë, arbëreshët po e dëshmojnë me ndihmat për shqiptarët, pas tërmetit të 26 nëntorit. Kardinali Pietro Parolin vuri në dukje “garën e solidaritetit vëllazëror të këtyre ditëve për ata, që janë prekur nga tërmeti në Shqipëri: falenderoj të gjithë ata, që në nivele të ndryshme, janë aktivizuar në këtë drejtim e ju inkurajoj ta vazhdoni këtë rrugë. Monumenti më i bukur i përkujtimit të 100-vjetorit të parë të themelimit do të jetë bamirësia për atë tokë, ku lindën të parët tuaj e për popullsinë e saj aktuale: dashuria juaj do të tregojë fytyrën e vërtetë të Kishës së Krishtit, që përkulet mbi plagët shpirtërore e trupore të gjithë bijve të saj”.

06 dhjetor 2019, 14:33