Vatican News
 Shën Nënë Tereza me Shën Gjon Palin II Shën Nënë Tereza me Shën Gjon Palin II 

Kardinali Comastri. Hyrja e librit “Njoha një Shenjtore: Nënë Tereza e Kalkutës”

Me rastin e dorëzimit dorëzimin të Laurës honoris causa në letërsi nga ana e Universitetit Katolik i Miamit, në Florida, Kardinalit Comastri, ju ftojmë të lexoni hyrjen e librit “Njoha një Shenjtore: Nënë Tereza e Kalkutës”

R. SH. - Vatikan

Në Psalmin e katërt të Psalterit - shkruan Kardinali Comastri  në hyrje të librit “Njoha një Shenjtore: Nënë Tereza e Kalkutës” - lexojmë këtë lutje guximtare: “Shumë thonë: ‘Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë? Le të ndrisë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate! Ti e mbushe zemrën time me gëzim, më tepër se begatia e grurit dhe e verës’” .

Këto fjalë i përshtaten përsosurisht Nënë Terezës. Fytyra e saj rrezatonte gëzim, përhapte dritë, përcillte paqe. E pse? Sepse Nënë Tereza  e kishte zemrën përplot me Zotin, e ku është Zoti, atje është parajsa mbi dhe!

Më 5 shtator 1997, kur Nënë Tereza mbyllte sytë në skenën e kësaj bote, mbi Kalkutën zhgrehej një stuhi e frikshme. Në zonën ku ndodhet shtëpia e Misionareve të Bamirësisë u shuan dritat. Ra errësira, për disa orë. Kështu gruaja, që u kishte dhënë dritë aq shumë njerëzve, vdiq në terr.

A nuk ishte kjo, një shenjë nga qielli? Nuk ishte mesazh i qartë nga Jezusi, që i pati thënë Nënë Terezës: “Ji ti drita ime?”.

Po, këtë deshi të thoshte Jezusi me gjuhën e stuhisë e të errësirës: “Erdha ta marr me vete Nënë Terezën! Tani ju takon ju ta mblidhni dritën, që rrezatonte ajo mbi botë, ju takon ju t’ia çoni botës!”.

Shenjtorët nuk kanë nevojë për duartrokitje, shenjtorët duan të vijojë vepra e tyre, duan të mbetet e ndezur llamba e shembullit të tyre e zjarri i dashurisë, që e ndezën mbi tokë. Pak ditë pas vdekjes shenjte të Nënë Terezës, gazetari italian Roberto Gervaso (po, pikërish ai, që deklaron se është tejet larg horizonteve të fesë) shkroi: “Nënë Tereza ishte e sinqertë:  ndjehej, ajo që ndjente. Nuk kishte nevojë për kënaqësi, aq më pak për shtypin e kuq - më të keqin! As për adhuruesit e pacipë, me aparate fotografike në duar. Nuk kishte nevojë për kënaqësi kësisoji, sepse kush merr mbi vete një mision, kush jeton e vdes për të tjerët, nuk shqetësohet për kënaqësitë e të tjerëve. Mënyrë, kjo, për t’u pëlqyer të gjithëve. Nënë Tereza nuk deshi kurrë të dilte në skenë… e megjithatë fitoi një famë të pafundme, që koha jo vetëm nuk do të mundë ta luhatë, por do ta bëjë gjithnjë më të qëndrueshme”.

Motra e palodhur shqiptare diti të njohë fytyrat e të braktisurve, të dëgjojë ahtet dhe regëtimat e tyre. Për dhjetra vjet mblodhi udhëve të Kalkutës  njerëz, që prisnin ethshëm vdekjen, me gjakun që u akullohej ndër damarë, me frymën që u shuhej. Për vite e vite ledhatoi balle plot plagë, faqe të shpulpuara, trupa të mbuluar me plagë të neveritshme, që kullonin gjak e qelb. Trupat e bijve të Zotit, të shpërdoruar nga bota. Mund të ishin shuar duke e mallkuar Zotin. Por nuk e mallkuan, sepse kishin pranë këtë motër vocrrake e vigane, të vogël e madhështore, mëkëmbëse dhe e dërguar e Zotit”.
Nënë Tereza vijon të na flasë, të na thotë: “Vijoni ju, vijoni të mbillni dashuri në botë, sepse ka ende shumë, shumë nevojë!”.

14 dhjetor 2019, 12:42