Kërko

2019.12.04-Presepe-Scurelle-Trentino-Piazza-San-Pietro-2019-Natale-16.jpg

Është gati në Shën Pjetër, Shpella e Betlehemit e malësorëve të Trentinos

Nesër, në orën 16.30, do të përurohet Shpella e Betlehemit prej druri të Scurelle-s, qytezë e vogël në Valsugana, e njëheresh, do të ndriçohet edhe Bredhi i Krishtlindjes, dhuratë e komunës së Rotzo-s, pranë Vicencës. Kryebashkiaku i Scurelle-s kujton se në Shpellën e Betlehemit janë vënë copa nga drunjtë e shembur prej stuhisë Vaia, “me shpresë se pyjet e atyre viseve të serta, do të mbushen përsëri me bredha të blertë”.

R. SH. - Vatikan

Gjithçka është gati në Sheshin e Shën Pjetrit, për përurimin e Shpellës së Betlehemit dhe të Bredhit të Krishlindjes, parashikuar për nesër, në orën 16.30, shoqëruar me një ceremoni të pasur me këngë Krishtlindjeje dhe valle popullore të Trentinos e të Venetos. E kjo, sepse të dy simbolet e Festës, iu dhuruan Papës nga komuna e vogël e Scurelle-s, në Trentino dhe nga ajo e Rotzo-s, në Viçencë. Kremtimin, një nga më gazmorët që organizohen në Sheshin e Shën Pjetrit, plot me festa gjatë gjithë motmotit, do ta kryesojnë kardinali Giuseppe Bertello dhe imzot Fernando Vérgez Alzaga, përkatësisht kryetari dhe sekretari  i përgjithshëm i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit.

Soditje e Shpellës 2019

Por, ta sodisim një çast Shpellën e Betelehemit 2019, në Sheshin e Shën Pjetrit. Pranë stallës është një kasolle, e zbritur nga malet e Trentinos, me vatër, me enët tipike të kuzhinës e me turrën e druve renditur me kujdes. Nuk mungojnë as gruri e pulendra, uji i kronit e qumështi, me të cilin zihet djathi, e as leshi i deleve, që të ngroh në kohë ngricash. Kështu në Shpellën e Betlehemit sivjet pasqyrohen traditat dhe mjeshtëritë tipike për malësorët e shekullit të kaluar. Të gjitha figurat, realizuar nga skulptori trentin Felix Deflorian, vdekur një vit më parë, kanë  një forcë të tillë shprehëse, që e prek menjëherë zemrën e shikuesit. Foshnja, në krahët  e Virgjërës Mari, do të jetë i mbuluar, për t’u zbuluar, sipas zakonit, në çastin kur vjen mes nesh, në Mesnatën e Madhe. Pranë tyre, Engjëlli, me një pergamenë të zbukuruar me art, kushtuar dashurisë së Zotit në të gjitha stinët e jetës. Para stallës, një nënë me të birin e një bari me qengjin e posalindur, duke kundruar Krishtin Fëmijë. Pak më tej,  Mbretërit Dijetarë, për udhë drejt Shpellës veshur plot salltanet me rrobat e çmuara të Lindjes, të udhëhequr nga Kometa.

Bredhi i Rotzo-s, mbi lartësitë e Asiagos

Një Betlehem, ky i Scurelle-s, që përfaqëson 20 vjet vlera të krishtera, jetuar nga malësorët vendas, me një jetë shpesh të vështirë. Gjë që i ka detyruar shumë prej tyre të largohen nga mali. E do të ishte shkretuar, kjo zonë e mrekullueshme, nëse shumë nga banorët nuk do të vijonin ta mbanin gjithnjë gjallë bashkësinë, me guxim e pasion, duke i edukuar posaçërisht të rinjtë me dashurinë për vendin, sepse - thuhet edhe në ato maje stolisur me bredha gjithnjë të blertë – “nuk ka si vendi yt, edhe kur është i sertë”.

Dhuruesit e Shpellës, nesër tek Papa

Nesër paradite, në orën 12.30, në Sallën Pali VI, Papa Françesku do të takohet me delegacionin e Scurrele-s e të Rotzo-s si dhe me grupin krijues të Shpellës artistike Paré të Coneglianos-s (Treviso), që dhuroi Shpellën tjetër të Betlehemit, vendosur në Sallën Pali VI. Gati 600 njerëz, që Papa do t’i falënderojë e do t’u dorëzojë, në shenjë mirënjohjeje, Letrën  e tij apostolike, kushtuar pikërisht Shpellës së Betelhemit, nënshkruar të dielën e kaluar, në Greçio, në shpellën e parë, krijuar nga Shën Françesku i Asizit.

Kështu, pra, sivjet malësorët e Trentinos ia ndërtuan Krishtit Fëmijë kasollen, në Sheshin e Shën Pjetrit, që të ketë një strehë, ku të lindë. Kasolle, drejt së cilës do të drejtohen sytë e gjithë krishterimit!   

04 dhjetor 2019, 14:31