Festa e Vëllazërimit në New York Festa e Vëllazërimit në New York 

Dita e OKB-së kushtuar Vëllazërimit. Teologia Houshmand: nevojë absolute!

Teologia islamike Shahrazad Houshmand, në intervistën tonë, komenton me entuziazëm propozimin e paraqitur dje pranë Kombeve e Bashkuara nga ana e Papës Françesku dhe e Imamit të Al-Azhar, Al Tayyeb, për ta shpallur 4 shkurtin, Ditë të Vëllazërimit.

R. SH. - Vatikan

Menjëherë pas kërkesës drejtuar Kombeve të Bashkuara nga ana e Papës Françesku dhe Imamit të Al-Azhar, Al Tayyeb, për të themeluar një Ditë Botërore të Vëllazërimit Njerëzor, më 4 shkurt dhe për të marrë pjesë, në një të ardhme të afërt, së bashku, në organizimin e një samiti botëror kushtuar Vëllazërimit, teologia islamike Shahrazad Houshmand - pedagoge në Fakultetin e studimeve lindore, pranë Universitetit “La Sapienza” si dhe Universitetit Papnor Gregorian, e komenton me entuziazëm këtë gjest, duke kujtuar, në mikrofonet tona, sesi një Papë i madh, si Pali VI, në vitin 1965, ndonëse i kritikuar nga liderët për këtë hap, pati shkuar në OKB për t’i drejtuar thirrjen e tij të fuqishme, që të mos  harrohej detyra e bashkëpunimit për fatet e familjes njerëzore.

Puna e feve për vlerat e përbashkëta

Papa Françesku, duke ecur mbi këto gjurmë - shpjegon - u tregua me të vërtetë mjeshtër. Islami dhe krishterimi munden me të vërtetë të punojnë për vlerat e përbashkëta. E kanë shumë të përbashkëta, duke nisur nga figura e Marisë e cila, për të dyja palët, është Nënë e njerëzimit, mësuese  e shembull i fesë. Sot është më e ngutshme se kurrë të punohet për të mirën e përbashkët të njerëzimit, për të qenë fe të besueshme. Feja, që mbyllet brenda katër mureve të një ndërtese e që mbron vetëm vlerat e veta induviduale, nuk mund të jetë e besueshme. Ky është hap i një dëshmie të besueshme për një botë, që vuan. Teologjia na e kujton “këtë hap të mrekullueshëm”  të Dokumentit të Abu Dabit, përmes të cilit i bëhet thirrje një Zoti, që deshi të vinte e të ndante fatin me njerëzit e, më pas, menjëherë, bën fjalë për të varfërit, të mjerët, nevojtarët e të shtypurit, “që ky Zot ka urdhëruar të ndihmohen”: është himn, ky, për ta shpëtuar shtëpinë tonë të përbashkët dhe mbarë familjen njerëzore.

Paqe është fjala më urgjente

Kërkesën për të themeluar Ditën e Vëllazërimit, profesoresha Houshmand  e shikon si “nevojë absolute”. Nëse nuk ka paqe ndërmjet feve, nuk mund të ketë paqe as në botë. E paqja sot është fjala më urgjente, ngulmon.

“Puna e përbashkët për fetë e për t’i siguruar paqen botës” - përfundon - si dhe vlerësimi e gatishmëria e shprehur nga Sekretari i OKB-së, Antonio Guterrez lidhur me këtë nismë, është sinjal. Ngjall gëzim e shpresë e oksigjen për një njerëzim, që ka kaq shumë nevojë për Mësues të mëdhenj.

 

06 dhjetor 2019, 18:27