Kërko

 Papa me Këshillin e Kardinajve Papa me Këshillin e Kardinajve 

C6: vijon ballafaqimi për Kushtetutën e re apostolike

Gjatë takimit të Këshillit të Kardinajve, në të cilin mori pjesë edhe Papa, u thelluan dy aspekte: marrëdhëniet ndërmjet Kuries dhe Konferencave ipeshkvnore dhe prania e besimtarëve laikë, burra e gra, në role vendim-marrëse në zyrat e Kuries dhe në organizatat e tjera të Kishës, si dhe studimi i bazave teologjiko-baritore të këtyre aspekteve, parë në dritën e bocës të Kushtetutës së re Apostolike.

R. SH. - Vatikan

Këshilli  i Kardinajve - lexohet në një komunikatë të Sallës së shtypit  të Selisë së Shenjtë - u mblodh, sipas parashikimit, për tri ditë: nga e hëna, 2 dhjetor, deri sot, në praninë e kardinalit Pietro Parolin, Oscar Rodrigues Maradiaga, Reinhard Marx, Seán Petrick O’Malley, Giuseppe Bertello e Oswald Gracias. Me ta, edhe sekretari i Këshillit, imzot Marcello Semeraro. Papa Françesku mori pjesë në punime, me përjashtim të ditës së sotme, 4 dhjetor, kushtuar audiencës së përgjithshme. Mbledhja e fundit e këtij sesioni u mbajt sot pasdite.

Veprimtaria e Këshillit ka për qëllim të thellojë dy aspekte, mbi rëndësinë e të cilave ngulmon boca e Kushtetutës Apostolike: marrëdhëniet ndërmjet Kuries dhe Konferencave ipeshkvnore dhe prania e besimtarëve laikë, burra e gra, në role vendim-marrëse në zyrat e Kuries dhe në organizatat e tjera të Kishës, si dhe studimi i bazave teologjiko-baritore të këtyre aspekteve, parë në dritën e bocës së Kushtetutës së re Apostolike.

Këshilli pati rastin të dëgjonte, nga kardinali Michael Czerny, një raport lidhur me punimet e Asamblesë së jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve mbi rajonin panamazonik si dhe të reflektonte, edhe në dritën   e disa mendimeve të shprehura nga kardinali O’Malley, mbi hartimin  e dokumentit pas-sinodal.

Kardinali Marx shpjegoi mënyrën e organizmit të udhës së ardhshme sinodale në Gjermani dhe temat e punimeve.

Nga shtatori e deri pak ditë para nisjes së  sesionit, vijojnë të vijnë disa sugjerime mbi tekstin e Kushtetutës së re Apostolike, leximi dhe vlerësimi i së cilës do të vijojë në sesionin e ardhshëm të shkurtit 2020.

04 dhjetor 2019, 17:13