Kërko

Vatican News
Shën Nikolla, ipeshkvi i shenjtë i Mirës (Turqia e sotme), që jetoi mes shekulli III-IV Shën Nikolla, ipeshkvi i shenjtë i Mirës (Turqia e sotme), që jetoi mes shekulli III-IV 

Me 6 dhjetor kalendari përkujton Shën Nikollin, ipeshkëv

Ipeshkvi i shenjtë i Mirës (Turqia e sotme), që jetoi mes shekulli III-IV. U bë i famshëm që në lashtësi, me anë të mrekullive të shumta, me të cilat u erdhi në ndihmë atyre që kërkuan ndërmjetësimin e tij. Është i njohur në të gjithë botën, edhe jashtë Kishës. Ndër shqiptarë devocioni ndaj shën Kollit është më i përhapuri bashkë me atë ndaj Shën Andout.

R.SH. - Vatikan

Shën Nikolla lindi në një familje të pasur në qytetin e Patares, rreth vitit 270, ndërsa vdiq më 6 dhjetor rreth vitit 326 pas Krishtit. Fama e Shën Nikollës ipeshkëv është universale: dokumentohet nga Kishat dhe veprat e artit, institucionet dhe traditat e lidhura me emrin e tij. E, megjithatë, të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Patara të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i Mirës, po në Liçie.

Kulti i nderimit të tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i shën Nikollës nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit.

Shtatëdhjetë e dy marinarë nga Bari i Puljes së Italisë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga Turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor qiellor i qytetit. Më 29 shtator të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një Kishë të qytetit, reliket e Shenjtit u vendosën përfundimisht në kripten e përgatitur pranë bazilikës që u ngrit mbi to. Do të ishte vetë papa Urbani II që do t’i vendoste reliket në elter. Në fund të shekullit XX bazilika, që Papa Piu XII ia besoi dominikanëve, u kthye në vend takimi ndërmjet Kishave të Lindjes e të Perëndimit dhe në seli të Institutit të teologjisë ekumenike “Shën Nikolla”.

Në Koncilin e Parë Kishtar Ekumenik të Nikesë mbajtur në vitit 325, Shën Nikolla ishte pjesëmarrës. Ky Koncili Kishtar shpalli Simbolin e Besimit, do të thotë formulën e Besojmës së krishterë, që ende sot lutet gjatë Meshëve dhe shën Nikolla gjatë këtij Koncili foli kundër heretikeve si Arius me shenjtorët e tjerë. Ishte jashtëzakonisht i përgatitur, guximtar dhe i mbushur me zell.

Shën Nikolla, i mbushur me zell për ti shërbyer Hyjit dhe mbrojtur Kishën, e sulmoi heretikun Arius me fjalë dhe e goditi atë në fytyrë. Mirëpo për ketë arsye, atij iu hoq emblema e ipeshkvit dhe u vendos nën kontrollin e rojeve. Por disa prej Etërve të Shenjtë të Kishës e patën të njëjtin vegim, ata panë Vetë Zotin dhe që Ai ia ktheu Shenjtorit Ungjillin dhe emblemën e ipeshkvit. Etërit e Koncilit ranë dakord se guximi i shenjtorit ishte i pëlqyeshëm nga vet Hyji dhe ia rikthen shenjtorin postin që kishte më parë.

Pasi u kthye në dioqezën e tij, shën Nikolla i solli kësaj bashkësie kishtare dioqezane paqe dhe bekime duke mbjellë Fjalën e së Vërtetës, duke shkulur me rrënjë herezitë, duke ushqyer tufën e tij të besimtarëve me doktrinë të shëndoshë dhe duke u dhënë ushqim për trupin dhe shpirtin.

Sipas traditave dhe gojëdhënave, Zoti nëpërmjet këtij shën Nikollës kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron qytetin e Mirës nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, ngjall së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët e këndojnë natën e festës së Shenjtit, me devocion të jashtëzakonshëm, nën dritën e qiriut të ndezur për nder të tij. E, gjithnjë sipas traditës, natën e festës, piqet edhe “fërliku i Shën Kollit”, ose flijohet një gjel apo një qengj. Shumë ndër shqiptarët katolikë e ortodoksë mbajnë emrin Nikollë, emër që ka marrë një mori trajtash si: Lec, Kolec, Kolë, Nikolin, Koli, Kolin e Lin.

Edhe ndër trojet shqiptare Shenjtit të mrekullive i janë kushtuar disa Kisha. Po kujtojmë Kishën Katedrale në Lezhë, seli e Kuvendit të famshëm të Princave shqiptarë të shekullit XV, vendvarrosje e heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pastaj Kishën e Shën Nikollit në lagjen Rus të Shkodrës; një Kishë tjetër e njohur kushtuar Shenjtit ngrihet në Velezhë të Prizrenit të Kosovës, që e ka edhe pajtor qiellor. Shën Nikolli nderohet e lutët edhe në shumë vende të dioqezës së lashtë shqiptare të Tivarit, në Mal të Zi. Kështu edhe në rrethinën e Ulqinit të Malit të Zi e shumë kapela tjera.

Shën Kolli njihet menjëherë në ikonografi, sepse mban në dorë shkopin baritor ipeshkëvnor dhe tri kuleta – siç quhen në këngën shqiptare kushtuar Shenjtit, të tria plot me monedha ari, që do të shërbenin për pajën e tri vajzave të varfra. Shenjti është pajtor i fëmijëve, i djemve e vajzave të reja, i nxënësve, i farmacistëve, i udhëtarëve, i detarëve, i peshkatarëve. Emri Nikolla vjen nga greqishtja e do të thotë fitimtar i popullit.

06 dhjetor 2019, 11:59