Martirizimi Shën Shtjefnit9 Martirizimi Shën Shtjefnit9 

Më 26 dhjetor kisha kujton Shën Shtjefnin, martirin e Parë të krishterë

Shtjefni, i nderuar si nga Kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, është martiri i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për përhapjen e Ungjillit. Rrëfimin mbi martirizimin e tij e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Shtjefni, i nderuar si nga Kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, është martiri i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për përhapjen e Ungjillit. Rrëfimin mbi martirizimin e tij e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit.

Sipas një gojëdhëne, në vitin 415 një meshtar me emrin Luçian, deklaroi se kishte gjetur trupin e shenjtit pranë Jerusalemit, pasi i qe treguar në ëndërr vendi i varrosjes. Tradita u përhap me shpejtësi në botën latine e greke, ashtu si edhe reliket e Shenjti të parë martir, shumë nga të cilat nuk kishin të bënin fare me të. Gjithsesi kjo ndikoi shumë mbi përhapjen e kultit. Historitë e ndryshme, që kanë të bëjnë me gjetjen e trupit të tij, rivarrosjen në Kostandinopojë e më pas në Romë, tregohen me hollësi në ‘Legenda Aurea (kap. CXII).

Shën Shtjefni, me shembullin e tij të jashtëzakonshëm, i kujton secilit nga ne se martirizimi i krishterë është thjeshtë akt dashurie për Hyjin e për njeriun.  U mbyt me gurë në portat e qytetit e vdiq, si Jezusi, duke iu lutur Zotit t’i falte vrasësit e tij, duke dëshmuar se është dashuria hyjnore ajo që e lidh Krishtin me martirin e tij të parë. Po ajo dashuri që e shtyu Birin e Hyjit të bëhej njeri e të bindej derisa vdiq në kryq. Po ajo dashuri – që i shtyu më pas edhe Apostujt e martirët të japin jetën për Ungjillin. Duhet vënë gjithnjë në dukje kjo karakteristikë dalluese e martirizimit të krishterë, si akt dashurie për Hyjin e për njerëzit, duke përfshirë edhe persekutorët. Prandaj të krishterët i luten Zotit t’i mësojë për t’i dashur edhe armiqtë, sipas shembullit të Shën Shtjefnit që, duke vdekur, u lut për persekutorët e tij.

Sa bij e bija të Kishës, në rrjedhë shekujsh e ndoqën hap pas hapi këtë shembull. Është një dëshmi që nis gjatë persekutimit të parë në Jerusalem e vijon me radhët e gjata të martirëve, deri në ditët tona. Shpesh herë edhe sot nga vise të ndryshme të botës vijnë lajme që flasin për misionarë, meshtarë, ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë të persekutuar, të burgosur, të torturuar, të privuar nga liria ose të penguar në ushtrimin e saj, vetëm e vetëm pse janë nxënës të Krishtit e apostuj të Ungjillit; nganjëherë njerëzit vuajnë e vdesin edhe për shkak të bashkimit me Kishën universale e të besnikërisë ndaj Papës, duke aktualizuar fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen.

Festa e Martirit të parë të krishterimit kremtohet më 26 dhjetor, do të thotë menjëherë pas Krishtlindjes. Shën Shtjefni është Pajtor i shumë qyteteve, Katedraleve e Kishave nëpër botë si dhe në Shkodër. Shën Shtjefnit i kushtohen edhe një mori veprash arti, që e paraqesin duke pësuar martirizimin aq dramatik. Ndërmjet tyre njihet botërisht një nga kryeveprat e Gjotos kushtuar pikërisht Shën Shtjefinit.

26 dhjetor 2019, 12:02