Kërko

Papa i nderit Benedikti XVI Papa i nderit Benedikti XVI 

10 vite pas “Caritas in veritate” të Benediktit XVI

Dikasteri për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor organizon më 3 dhjetor një Kuvend ndërkombëtar për të diskutuar mbi ndikimin, që mund të ushtrojë Enciklika papnore, 10 vite pas publikimit të saj.

R.SH. - Vatikan

“Teoria dhe praktika e zhvillimit”: kjo është tema e Konferencës ndërkombëtare, që fillon nesër në Casina Pio IV të Akademisë Papnore të Shkencave në Vatikan, 10 vite pas publikimit të Enciklikës “Caritas in veritate” të Papës Benedikti XVI. Ndërhyrjet e para do të jenë të prefektit të Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, kardinalit Peter Turkson dhe të presidentit të Fondacionit “Caritas in Veritate”, imzot Silvano Maria Tomasi.

Diskutimet në kuvend dhe ndikimi i Enciklikës

Duke e paraqitur kuvendin për Vatikan News, vetë kardinali Turkson nënvizoi sa ka ndikuar Enciklika e Papës Benedikti XVI në punën e dikasterit, që drejton. “Është dokument - shpjegoi kardinali - që vjen pas ‘Populorum progressio’ të Papës Pali VI mbi zhvillimin dhe, i ka rrënjët në faktin se zhvillimi i vërtetë nuk është vetëm zhvillimi i popujve, por zhvillimi i çdo njeriu. Pra, zhvillimi është thirrje e çdo njeriu. Thirrje, që realizohet kur të gjithë duam e, duke imituar dashurinë e Zotit, e ofrojmë këtë dashuri përmes gjithçkaje që bëjmë, e përdorim gjithçka kemi për të promovuar, me solidaritet, mirëqenien e të tjerëve”.

Synimi i dikasterit është që, me kontributin e përfaqësuesve të Kishës, të organizatave ndërkombëtare, të atyre joqeveritare dhe të ekspertëve nga bota ekonomike dhe akademike, të diskutohet mbi ndikimin, që mund të ketë akoma  “Caritas in veritate” në shoqërinë bashkëkohore. Figurat e njohura ndërkombëtare si Jeffrey Sachs, Tony Castleman, Anna Rowlands, Mukhisa Kituyi, Maria Luisa Silva, Wanda Rodríguez dhe të tjerë do të kontribuojnë për këtë qëllim gjatë gjithë ditës.

Caritas in veritate

 “Caritas in veritate” është Enciklikë e Papës Benedikti XVI, botuar më 29 qershor 2009. Ai e shkroi dyzet vjet pasi Papa shenjt Pali VI publikoi Enciklikën “Populorum progressio”. “Caritas in veritate” e aktualizoi mendimin e Palit VI, jo vetëm duke u përqendruar në temën e “ekologjisë njerëzore”, por duke theksuar edhe se “zhvillimi i vërtetë njerëzor ka të bëjë me gjithë personin, me çdo përmasë të tij” (CV, 11).

Kuadri i botimit të Enciklikës

Në kohën e botimit të Enciklikës, kuadri ndërkombëtar ishte i ndryshëm nga një vend në tjetrin, por i karakterizuar nga tipare të përbashkëta: varfëria e vazhdueshme, uria, shfrytëzimi, çështjet mjedisore, globalizimi dhe ndërvarësia globale, mjetet e reja të komunikimit, vështirësia në rritje e qeverive kombëtare për të përballuar fuqitë globale dhe shumëkombëshe, krizën financiare dhe institucionet financiare. Nga këndvështrimi i Papës Benedikti XVI, këto çështje shoqërore e kanë bazën në çështje thelbësore antropologjike (shih CV, 75). Ato kanë të bëjnë me të vërtetën e njeriut si të tillë, që duhet kërkuar në të vërtetën se kush jemi në Krishtin, që është dashuri në të vërtetën, “forca kryesore lëvizëse e zhvillimit autentik të çdo njeriu dhe të gjithë njerëzimit” (CV, 1). Nëse, pra, zhvillimi kuptohet si “thirrje” e prirje e çdo njeriu, ai duhet të frymëzohet nga dashuria e Krishtit e nga virtyti, që e pason atë: dhurimi falas.

02 dhjetor 2019, 18:26