Kërko

 Shën Bartolomeu i Martirëve Shën Bartolomeu i Martirëve  

Shën Bartolomeu i Martirëve, një jetë kushtuar doktrinës

Dje, në Bragë të Portugalisë, kardinali Angelo Becciu, Prefeket i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kremtoi Meshën e falënderimit për Shenjtërimin e Shën Bartolomeut të Martirëve, ipeshkëv domenikan, që jetoi në shekullin XVI.

R. SH. - Vatikan

“Mëkatet e bëra në fshehtësi, duhen korrigjuar në fshehtësi”: kështu mendonte Shën Bartolomeu i Martirëve, në shekull Bartolomeo Fernandes, që e pati ndërruar emrin për nder të Virgjërës Mari e cila, në Kishën e  Lisbonës, ku qe pagëzuar më 1514, nderohej si Zoja e Martirëve. Më në fund, më 5 korrikun e kaluar, me miratimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Papa Françesku autorizoi shenjtërimin e tij, që shtrihet në mbarë Kishën universale.

Thirrja për të predikuar dhe Urdhëri Domenikan

Ishte data 11 nëntor 1528, kur Bartolomeu, që kishte hyrë në Urdhërin  e Predikatarëve, veshi për herë të parë zhgunin domenikan. Dhjetë vjet më pas përfundoi studimet teologjike dhe nisi të japë mësime në disa kuvende, në Lisbonë një herë, në Evora pastaj, për t’u rikthyer përsëri në Lisbonë, ku u zgjodh Epror i kuvendit të Benefica-s. Më 1559 u desh  bula e Palit VI “Gratiae divinae praemium”, që të pranonte emërimin kryeipeshkëv i qytetit portugez të Bragës, ku luajti një rol të dorës së parë për shenjtërimin e klerit dhe ungjillëzimin e popullit.

Koncili i Trentos

Ndërmjet viteve 1561 e 1563, Bartolomeu mori pjesë aktive në Koncilin e Trentos, gjatë të cilit paraqiti 268 peticione për reformën e Kishës. Kur u rikthye në Portugali për të vënë në jetë vendimet e Koncilit, mblodhi një sinod dioqezan më 1564, e edhe një sinod provincial, më 1566. Në vitin 1582, tashmë i moshuar, dha dorëheqjen nga detyra e kryiepshkvit dhe u tërhoq në Kuvendin domenikan të Sh’na Krygjës, në Viana Castelo, ku iu kushtua krejtësisht studimeve kishtare, derisa ndërroi jetë, më 1590. Një turmë e madhe besimtarësh e përcolli, duke qarë, ipeshkvin shenjt, atin e të varfërve e të të sëmurëve, në banesën e fundme.

Veprat

Shën Bartolomeu la pas 32 vepra letrare, ndërmjet të cilave kujtohet posaçërisht “Katekizmi ose doktrina e krishterë dhe praktikat shpirtërore”, vepër që, në vitin 1962, u ribotua për të 15-tën herë. Shumë e njohur edhe vepra tjetër “Stimulus Pastorum”, në të cilën bëhet fjalë për përgjegjësinë e ipeshkvijve dhe detyrën e tyre për shpëtimin e shpirtrave, vepër, që u botua  22 herë e u përdor për reflektim edhe nga Etërit e Koncilit I e II të Vatikanit.

Një proces i gjatë tre shekuj

Procesi kanonik për Bartolomeun nisi që në vitin 1643, me mbledhjen e dëshmive në dioqezën e Lisbonës e të Bragës. Domenikani u deklarua i Nderuar nga Gregori XVI, më 23 mars 1845. Më pas, si mrekulli për Lumnimin e tij u njoh, ditën e Naltimit të Kryqit, më 1964, shërimi i mrekullueshëm i një vajze të vogël portugeze, që vuante nga meningo-encefaliti i pashërueshëm. Kështu Bartolomeu u shpall i Lum nga Gjon Pali II, në Sheshin e Shën Pjetrit, më 4 nëntor 2001, ditën kur Kisha kremtonte Shën Karl Borromeun, të cilin Bartolomeu e pati njohur  dhe pati mbështetur gjatë Koncilit të Trentos, duke qenë njëmendjeje me të. Pas një mrekullie tjetër, kryer me ndërmjetësimin e tij, ipeshkvi i Bragës i kërkoi Papës shenjtërimin e Bartolomeut. Kërkesa, më në fund, u pranua nga Françesku më 20 janar 2016.

11 nëntor 2019, 11:42