Kërko

2019.11.07 MOP 31 cardinale Parolin alla FAO 2019.11.07 MOP 31 cardinale Parolin alla FAO 

Papa: Protokolli i Montrealit shembull për të shpëtuar krijimin

Në mesazhin për Takimin XXXI të Palëve të Protokollit të Montrealit mbi substancat, që e dëmtojnë shtresën e ozonit, Papa e konsideron zbatimin e dokumentit si një mundësi "për të arritur rezultate të rëndësishme, të cilat, në të njëjtën kohë, krijojnë mundësinë për të mbrojtur krijimin, për të promovuar zhvillimin e mirëfilltë të njeriut dhe kujdesin për të mirën e përbashkët. Selia e Shenjtë njoftoi synimin për t'u bashkuar me Amendamentin e Kigalit.

R.SH. - Vatikan

Në gjurmët që sugjeron enciklika "Laudato si’", Papa Françesku u dërgoi një Mesazh pjesëmarrësve të Takimit të 31-të të Palëve të Protokollit të Montrealit, mbi substancat që dëmtojnë shtresën e ozonit, organizuar pranë selisë qendrore të Fao-s në Romë. Mesazhi i Papës u lexua nga Sekretari i Shtetit  të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, i cili theksoi tre mësime, që, sipas Papës, mund të "nxirren nga tridhjetë e pesë vjetët e zbatimit të regjimit ndërkombëtar për ozonin":

Së pari, duhet të vihet në dukje dhe të pranohet se ky sistem ka lindur nga bashkëpunimi i gjerë e frutdhënës midis sektorëve të ndryshëm: komunitetit shkencor, botës politike, aktorëve nga bota ekonomike e industriale dhe nga shoqëria civile. Ky bashkëpunim ka treguar se si mund “të arrijmë rezultate të rëndësishme, të cilat, në të njëjtën kohë na ndihmojnë të mbrojmë krijimin, të promovojmë zhvillimin e njeriut dhe të kujdesemi për të mirën e përbashkët, në frymën e përgjegjësisë e të solidaritetit, për të ndikuar pozitivisht për brezat e sotëm dhe të ardhshëm".

Për të dëshmuar se "liria njerëzore" është "e aftë ta kufizojë teknikën, ta orientojë atë, dhe ta vërë në shërbim të një lloji tjetër progresi, më të shëndoshë, më njerëzor, më social dhe më të plotë", Papa Françesku fton të kemi më shumë besim, duke shpresuar që "njerëzimi i fillimit të shekullit XXI të mund të mbahet mend si ai, që ka marrë përsipër me bujari përgjegjësitë e veta serioze".

Teknologjia nuk është e vetmja zgjidhje

Në një periudhë historike në të cilën "po ndeshemi me një sfidë kulturore pro ose kundër së mirës së përbashkët", Papa Françesku na bën thirrje për "dialog të ndershëm e të frytshëm":

Këtu, dialogu i ndershëm dhe i frytshëm, vërtet në gjendje të marrë parasysh nevojat e ndryshme dhe i lirë nga interesa të veçanta, së bashku me frymën e solidaritetit dhe të krijimtarisë, janë thelbësore për ndërtimin e së tashmes dhe të së ardhmes së planetit tonë.

Po kështu, edhe sfida kulturore duhet të trajtohet duke e pasur të qartë se teknologjia, "e vetme", nuk është përgjigjja për të:

Sfida të tilla kulturore nuk mund të përballohen vetëm duke u bazuar në një teknologji, e cila, duke pretenduar "të jetë e vetmja zgjidhje e problemeve, në fakt, nuk është në gjendje të shohë misterin e marrëdhënieve të shumëfishta ndërmjet gjërave, prandaj, ndonjëherë, zgjidh një problem e krijon një tjetër.

Amendamenti i Kigalit dhe adezioni i Selisë së Shenjtë

Themelore, vazhdon Papa në mesazh, është t'i bashkangjitet një Amendament i ri Protokollit të Montrealit, ai i Kigalit të vitit 2016. Themelor, shpjegon Papa Françesku, sepse “synon ndalimin e substancave", që "ndikojnë në ngrohjen e atmosferës". Prandaj, është më se e nevojshme "që Amendamenti i Kigalit të marrë së shpejti miratimin universal nga e gjithë familja e kombeve" e lidhur me këtë u dha njoftimi nga vetë Papa, se Selia e Shenjtë mendon ta pranojë amendamentin e ri:

Lidhur me këtë, kam kënaqësinë të njoftoj qëllimin e Selisë së Shenjtë për të pranuar Amendamentin e Kigalit. Me këtë gjest, Selia e  Shenjtë dëshiron të vazhdojë t’u japë mbështetjen e saj morale të gjitha shteteve të angazhuara për kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët.

07 nëntor 2019, 14:07