Logot e udhëtimit apostolik të Papës në Tajlandë e Japoni Logot e udhëtimit apostolik të Papës në Tajlandë e Japoni 

Paqe, dialog dhe mbështetje për të krishterët, në udhëtimin e Papës në Tajlandë e Japoni

Takim me gazetarët në Sallën e Shtypit të Vatikanit, në përgatitje të udhëtimit të Papës në Azi. Drejtori, Matteo Bruni: Ati i Shenjtë përgatitet për këtë vizitë me ndjenja vlerësimi, gëzimi e mirënjohjeje.

R.SH. - Vatikan

Të çojë mbështetjen dhe inkurajimin për “grigjën e vogël” të të krishterëve, duke nxitur takimin dhe dialogun me fetë e tjera dhe duke promovuar paqen dhe mbrojtjen e jetës. Këto janë tri linjat e udhëtimit të ardhshëm të Papës Françesku në Tajlandë dhe Japoni, ilustruar të premten në një konferencë me gazetarët, nga drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. Udhëtimi i 32-të ndërkombëtar i Atit të Shenjtë do të zhvillohet nga 19 deri më 26 nëntor. Papa do të shkojë në dy vende, që u vizituan edhe nga shën Gjon Pali II, në fillim të viteve ‘80.

Të gjindet harmonia në një shoqëri shumëetnike

         Papa Françesku, nënvizoi Bruni, po përgatitet për këtë udhëtim me respekt për ata popuj, të cilët bëjnë përpjekje konkrete për të gjetur harmoninë ndërmjet popullsive të tyre shumetnike dhe shumëfetare, si edhe me mirënjohje të thellë për punën, që është bërë për ta pritur. Kur ishte në seminar, i riu i atëhershëm Jorge Mario Bergoglio pati shprehur interes për të ndërmarrë një udhëtim misionar në Japoni, prandaj, ky shtegtim është gëzim i veçantë për Papën.

Historia e gjatë e një pakice

         Në Tajlandë dhe në Japoni, bashkësitë katolike janë shumë të vogla në numër, megjithëse të dyja vendet kanë një histori të lashtë të krishterë, që alternon çastet më të qeta me persekutimet. Në Tajlandë, të krishterët janë rreth 380.000 vetë, 1% e popullsisë, ndërsa 536.000 katolikët japonezë përfaqësojnë 0,4% të banorëve. Shumica e tajlandezëve janë budistë, ndërsa japonezët janë budistë dhe shintoistë.

Dialogu me Selinë e Shenjtë

         Në kohët moderne, nuk kanë munguar mundësitë për dialog ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe institucioneve civile dhe fetare. Në vitin 1897, mbreti Thai Thai V ishte sovrani i parë jo-i krishterë, që u prit në Vatikan nga Papa Leoni XIII dhe, për shembull, udhëheqësit e budistëve japonezë të shkollës Tendai kanë qenë të pranishëm në takimet ekumenike të Asizit, që nga viti 1986.

Të kthehet përshpirtëria në jetën e përditshme

         Qysh në vitin 2001, Papa Gjon Pali II i pati paralajmëruar ipeshkvijtë japonezë, në vizitë ad limina, lidhur me rreziqet për shpirtin, që sillte materializmi dhe produktiviteti, si qëllim në vetvete. Në fakt, Japonia është një nga vendet, në të cilat shekullarizimi është më i përhapur dhe më i qëndrueshëm, prandaj tema “e kthimit të përshpirtërisë në jetën e përditshme” do të jetë një nga më qendroret në shtegtimin apostolik të Papës Françesku.

Kundër armëve bërthamore

         Dënimi i kërcënimit se do të përdoren armë bërthamore e madje, edhe dënimi i zotërimit të tyre është përsëritur disa herë nga Papa Françesku, duke ndjekur traditën e Papëve të shekullit XX, që nga shprehja “masakër e kotë” e Benedikti XV, deri në “Pacem in Terris” të shën Gjonit XXIII dhe deri tek thirrjet e Benediktit XVI për mospërhapjen e këtyre armëve. Kështu, vizita në memorialet e viktimave të bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, më 24 nëntor, do të jetë një nga çastet kulmore të udhëtimit të Françeskut.

Etapat e udhëtimit

         Përveç takimeve me autoritetet civile, me klerin vendas dhe kremtimet e meshës me besimtarët, çaste të tjera të rëndësishme të shtegtimit apostolik do të jenë vizita e shenjtërores tajlandeze të të Lumit Nicolas Bunkred Kitbamrung, i cili vdiq nga tuberkulozi më 1944, pasi u burgos gjatë përpjekjeve për ungjillizimin e veriut të vendit. Në Japoni, Papa do të vizitojë kodrën e Nagasakit, ku u vranë në shekullin e 16-të shën Pali Miki dhe 25 shokët e tij, martirë, si edhe do të takojë në Tokio, viktimat e “katastrofës së trefishtë” të Fukushimës, në vitin 2011.

15 nëntor 2019, 19:02