Kërko

2019-01-23-viaggio-apostolico-a-panama-1548372547036.JPG

Papa Françesku: të rinjtë janë tokë e frytshme dhuruar nga Zoti

Në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve të Takimit XX të baritores rinore të Amerikës Latine, që po zhvillohet në Peru, Papa inkurajon të rinjtë të thellohen gjithnjë e më shumë në "njohjen e Jezusit”. Të rinjtë janë tokë e frytshme dhuruar nga Zoti, pohon Ati i Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

"Të rinjtë na flasin dhe na pyesin", “me entuziazmin e tyre na inkurajojnë t’u japim përgjigje në përputhje me kohën tonë". "Ata janë një tokë pjellore e re që Zoti u jep komuniteteve të krishtera". Kështu shkruan mes tjerash Papa Françesku në mesazhin e tij drejtuar pjesëmarrësve të Takimit të XX latinoamerikan të përgjegjësve të Baritores të të Rinjve nivelin kombëtarë, që mbahet në Lima, deri në 23 nëntor, organizuar  nga Konferenca Episkopale e Perusë. Të gjithë atyre që punojnë në baritoren e rinisë, nënvizon Papa, i është besuar detyra e shoqërimit të të rinjve me "respekt e mirësi në rrugëtimin e rritjes personale të tyre për t’i përforcuar në fe dhe kështu, me hirin e Zotit,  do të japin fryte dashurie e shprese".

 

Përjetojeni gëzimin e miqësisë së Jezusit

Në mesazh Papa Françesku kujton, më tutje, fjalët që pati shqiptuar më 24 janar në Panama me rastin e ceremonisë së pritjes dhe të hapjes së Ditës së XXIV Botërore të Rinisë: "Është dashuria e Zotit, ajo që njeh më shumë ngjitje sesa rënie, pajtim sesa ndalim, dashuria na jep një mundësi të re në vend të dënimit, një të ardhme në vend të së kaluarës".

Papa Françesku u drejton të rinjve, kumtin më të rëndësishëm, përmes tri të vërtetave të mëdha: së pari: “Zoti të do”; së dyti: “Krishti të shëlbon”, sepse dashuria e Tij “është më e madhe se të gjitha kontradiktat e dobësitë tona”. Dhe e vërteta e tretë: “Ai jeton!” E nëse “Ai jeton, atëherë, me të vërtetë mund të jetë i pranishëm në jetën tënde, në çdo çast, për ta mbushur me dritë e dashuri”.

Nga Papa Françesku edhe një nxitje e veçantë për të rinjtë: "Ju inkurajoj që t’i thelloni gjithnjë e shumë njohuritë tuaja mbi personin e Jezusit në mënyrë që, duke jetuar në miqësi të ngushtë të zemrës së Tij, ju të mund të shndërroheni në misionarë dishepuj dhe në dëshmitarë të dashurisë së Tij të pamasë, e kështu të mund t’i bindeni të rinjtë e tjerë për të jetuar një jetë të bazuar mbi vëllazërinë dhe solidaritetin e krishterë".

Himni i Takimit të XX latinoamerikan të përgjegjësve të Baritores të të Rinjve

Himni i Takimit të XX latinoamerikan të përgjegjësve të Baritores të të Rinjve

Të rinjtë janë " dita e Sotme e Zotit"

Në takimin, që po mbahet në Lima me temë "Ne të rinjtë jemi tokë e shenjtë, e sotmja e Zotit", marrin pjesë rreth 150 vetë nga vendet e ndryshme të Amerikës Latine dhe Karaibeve. Gjatë këtij takimi kushtuar të rinjve janë programuar edhe hapësira për reflektim, animacion e koordinim për t’i thelluar aspektet e propozimeve pastorale nëpër Kishat vendore. Ndër objektivat e këtij takimi, është edhe përcaktimi i linjave të veprimit  të përbashkët dhe mbështetja e punës së komisioneve kombëtare për baritoren e të rinjve.

19 nëntor 2019, 17:51