Kërko

Atë Juan Antonio Guerrero Atë Juan Antonio Guerrero 

Papa emëron jezuitin spanjoll Guerrero Alves, prefekt të Ekonomisë

Këshilltari i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, atë Guerrero Alves zëvendëson kardinalin George Pell si prefekt i Sekretariatit për Ekonominë. “Do ta kryej këtë mision, duke ofruar ç’kam më të mirë nga vetja”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi prefekt të Sekretariatit për Ekonominë, atë Juan Antonio Guerrero Alves, jezuit, deri tani Këshilltar i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit. Atë Guerrero Alves, 60 vjeç, lindur në Merida (Spanjë), zëvendëson kështu kardinalin George Pell, pezulluar më 29 qershorin e dy viteve më parë, për t’u mbrojtur në një proces gjyqësor për abuzime seksuale me të mitur në Australi, që vijon edhe sot në nivelin e Gjykatës së Kasacionit. Më 24 shkurt të vitit të kaluar i skadoi edhe mandati 5-vjeçar.

         “Si jezuit është kënaqësi ta marrësh misionin drejtpërdrejt nga Papa. Është një mënyrë e privilegjuar për të realizuar thirrjen time”, deklaroi atë Guerrero, pasi e mori lajmin. “Bindja, që e kam kusht, më ka çuar gjithmonë në shtigje të papritura, aty ku nuk do të guxoja kurrë ta provoja, prandaj, jam mirënjohës. Për mua, bindja është një vend i privilegjuar për të takuar Zotin”.

Biografia

         Lindur në Mérida, më 20 prill 1959, Guerrero Alves hyri në Shoqërinë e Jezusit më 1979. Në biografinë e botuar nga Salla e Shtypit e Vatikanit, lexohet se u shugurua meshtar më 30 maj 1992. Mori, më pas, këto tituj akademikë: liçenca në Ekonomi në Universitetin Autonom të Madridit (1986), liçenca në filozofi dhe letërsi në të njëjtin universitet (1993) dhe në teologji në Universitetin Papnor Comillas (1994). Ka qenë profesor i Filozofisë Shoqërore dhe i Politikës në Universitetin Papnor Comillas (1994-1997 dhe 1999-2003), Mjeshtër i novicëve jezuitë në Spanjë (2003-2008), Epror Provincial i Provincës së Kastiljes (2008-2014), Ekonom i Shoqërisë së Jezusit në Mozambik (2015 -2017) dhe Drejtor i Kolegjit të Shën Injacit të Lojolës (2016-2017) në të njëjtin vend. Nga viti 2017, ai është Delegat i Eprorit të Përgjithshëm për shtëpitë dhe punimet ndër-provinciale në Romë, si edhe Këshilltar i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit.

Urimet e Kuries

         Kuria e Përgjithshme e Shoqërisë së Jezusit bën të ditur së atë Guerrero Alves do të marrë në dorë detyrën e prefektit të Sekretariatit për Ekonominë në Selinë e Shenjtë duke filluar nga janari i vitit 2020. Në vend të tij, Eprori i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, atë Arturo Sosa, ka emëruar atë Johan Verschueren, Këshilltar të Përgjithshëm dhe Delegat të tij për Shtëpitë dhe Punët Ndërprovinciale të Shoqërisë së Jezusit në Romë (DIR). Aktualisht, ai është Epror i Rajonit Evropian të Hollandës e do të fillojë detyrën në Romë, në janar të vitit 2020. “Etërve Guerrero dhe Verschueren u urojmë që Zoti të dikojë mbi ta hiret e nevojshme për përmbushjen e funksioneve të tyre të reja. I shoqërojmë me lutje”, thuhet në një shënim nga Kuries së Jezuitëve.

14 nëntor 2019, 16:43