Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Në Vatikan, Konferenca mbi shpërdorimet ushqimore

Akademia Papnore e Shkencave mbledh ekspertë nga e gjithë bota për të reflektuar e për të gjetur një zgjidhje kundër shpërdorimit të ushqimit dhe të pasurive bujqësore-ushqimore. Tweet-i i Papës që shoqëron punimet: “Duhet t’i japim fund kulturës së hedhurinave, ne që i lutemi Zotit të na falë bukën e përditshme”.

R.SH. - Vatikan

Të ulet sasia e ushqimit, që humbet në proceset e prodhimit, të shndërrimit dhe të shpërndarjes, siç sanksionohet nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të Kombeve të Bashkuara dhe, së dyti, të kapërcehet kultura e hedhurinave, denoncuar nga Papa Françesku në Enciklikën “Laudato Si’”, në të cilën kërkohen ndryshime konkrete në nivelin global.

Shpërdorimi është çështje morale

         Këto janë temat, në qendër të Konferencës për pakësimin e shpërdorimit ushqimor, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave, sot dhe nesër në Vatikan. Me këtë takim, Selia e Shenjtë synon të theksojë se shpërdorimi dhe humbjet në prodhimin e ushqimit janë çështje morale, por edhe fenomene të dëmshme për planetin, për shkak të emetimeve të gazit serë dhe të keqpërdorimit të ujit e të tokës. Pasojat bien kryesisht mbi popullsitë më të varfra, puna e të cilave vlen gjithnjë e më pak, duke shkaktuar probleme për mbijetesën.

Të promovohen zgjidhje të qëndrueshme

         Një nga objektivat e Akademisë është promovimi i zgjidhjeve shkencore, në gjendje të arrijnë në bashkësi nga më të ndryshme, deri tani të papërfshira në ndonjë projekt, në mënyrë që të zgjerohet aleanca e nevojshme për të përballuar sfidën e humbjes dhe të shpërdorimit të ushqimit. Shkenca duhet edhe të japë këshilla që kudo të ketë siguri ushqimore.

Tweet-i i Papës

         Papa Françesku ka treguar gjithnjë ndjeshmëri të veçantë për problemet ushqimore botërore e sot, pikërisht ndërsa Konferenca fillonte punimet, shkroi këtë tweet:

         “Duhet t’i japim fund kulturës së hedhurinave, ne që e lusim Zotin të na falë bukën e përditshme. Shpërdorimi ushqimor kontribuon në keqësimin e urisë dhe të ndryshimeve të klimës”.

11 nëntor 2019, 18:27