Një vizitë e papritur e kardinalit Pietro Parolin në Bazilikën e Zojës së Bekuar të Pompeit Një vizitë e papritur e kardinalit Pietro Parolin në Bazilikën e Zojës së Bekuar të Pompeit 

Vizita kard. Parolin, Sekretarit të Shtetit Vatikanit, në Shenjtëroren e Pompeit

Vizita në Shenjtëroren e Zojës Rruzare pas pjesëmarrjes në mbledhjen rajonale të lëvizjes kishtare ‘Përtëritja në Shpirtin Shenjt’.

R.SH. - Vatikan

Një vizitë e papritur e kardinalit Pietro Parolin në Bazilikën e Zojës së Bekuar të Pompeit. Kështu njofton Shenjtërorja mariane në faqen zyrtare të Facebook-ut. Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kard. Parolin pasi mori pjesë, të dielën paradite më 13 tetor 2019, në Takimin Rajonal të lëvizjes kishtare ‘Ripërtëritja në Shpirtin Shenjt’, që u mbajt në Pagani (Salerno), deshi të ndalej në Bazilikën e Pompeit për t’iu lutur Zojës Rruzare.

Në Shenjtëroren mariane, në Pompei, Sekretari i Shtetit të Vatikanit u prit nga kryeipeshkvi Prelat i Bazilikës, imzot Tommaso Caputo, pastaj vizitoi Kapelën e të Lumit Bartolo Longo dhe u ndal në lutje te altari para fugurës së nderuar të Virgjërës Mari. Duke kaluar nëpërmjet sallën e Bazilikës, kard. Parolin vizitoi ekspozitën fotografike që ilustron Veprat sociale të themeluara nga Bartolo Longo, të cilat ende sot janë aktuale e plot gjallëri.

Po kujtojmë se lutja drejtuar Zotit, nëpërmjet ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar, në Pompei nisi të përhapej, para së gjithash, nga intuita profetike që Bartolomeo Longo, avokat i ri italian, pati në një nga rrugët fshatarake të Pompeit, si ishte kthyer në rrugën e Zotit, pas një periudhe të shkurtër hutimesh rinore. Virgjëra Mari i tha Bartolomeo Longo-s se duhet t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit dhe Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën.

Pas kësaj ngjarjeje të 2 tetorit të vitit 1872, Bartolomeo Longo bleu një truall për ngritjen e Shenjtërores, me pëlqimin e ipeshkvit të Nolës. Guri i parë i këtij tempulli qe vënë pikërisht më 8 maj të vitit 1976, pranë rrënojave të Pompeit të lashtë, i cili qe mbuluar me hi e llavë nga shpërthimi i vullkanit Vezuv.
                                                    
Këto rrënoja duket sikur flasin, sikur qortojnë, sikur thonë: fati i njeriut është i pasigurt; siguria mund të gjendet vetëm tek Ungjilli që shpëton, që shëlbon! E urata e Rruzares është një shtesë efikase e Ungjillit, për t'ia kumtuar Jezu Krishtin një shoqërie që po largohet përherë e më shumë nga vlerat e krishtera e njerëzore. Por Rruzarja është edhe lutje gjithnjë aktuale për të përhapur mesazhin e paqes, posaçërisht në fillimin e një mijëvjeçari i cili është fshikulluar nga erërat e acarta të luftës.

Nën masën vigane të vullkanit të Vezuvit - i cili dymijë vjet më parë shkatërroi tre qytete, duke fiksuar dramatikisht në kohë hollësitë e kësaj historie, të cilat na i kthen si një dokument të jashtëzakonshëm historik nën qiellin e hapur, në Shenjtëroren e Pompeit, jehon pambarimisht lutja drejtuar Zojës Rruzare, krijuar më 1883 nga i Lumi Barto Longo,  me rastin e bekimit të kambanës së parë të Bazilikës.

15 tetor 2019, 12:40