Kërko

Sinodi i veçantë i Ipeshkvijve kushtuar Amazonës Sinodi i veçantë i Ipeshkvijve kushtuar Amazonës 

#SinodoAmazonico. Papa emëroi katër anëtarë në Komisionin për dokumentin përfundimtar

Papa Françesku emëroi katër anëtarët e Komisionit për hartimin e dokumentit përfundimtar të Sinodit të veçantë të Ipeshkvijve kushtuar Amazonës, që vijon në Vatikan deri më 27 tetor. E ndërsa sot punohet në grupe të vogla, dje pasdite, Sinodi vijoi me kongregacionin e 12-të të përgjithshëm, gjatë të cilit foli edhe Ati i Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi katër anëtarët e Komisionit për hartimin e dokumentit përfundimtar të Sinodit të veçantë të Ipeshkvijve kushtuar Amazonës, që vijon në Vatikan deri më 27 tetor. Ata janë: kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Christoph Schönborn, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Austrisë; kancelari i Akademisë Papnore të Shkencave dhe i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, imzot Marcelo Sanchez Sorondo; kryeipeshkvi i Asunción, në Paraguai, imzot Edmundo Ponciano Valenzuela Mellid dhe profesori i baritorisë rinore në Universitetin Papnor Salezian, atë Rossano Sala, drejtor i revistës “Nota baritorie rinore”.

         Kujtojmë se Komisioni është formuar me kohë, por katër anëtarët e fundit janë emërime të drejtpërdrejta të Papës Françesku. Tani grupi për hartimin e dokumentit përfundimtar të Sinodit përbëhet nga 12 vetë, të cilëve u duhet shtuar kryetari, kardinali Claudio Hummes, kryeipeshkëv nderi i San Paolos në Brazil dhe president i Repam-it (Rrjetit Kishtar Panamazonik).

Kongregacioni i 12-të: të rinjtë e rrugës

         E ndërsa sot punohet në grupe të vogla, dje pasdite, Sinodi për Amazonën vijoi me kongregacionin e 12-të të përgjithshëm, gjatë të cilit foli edhe Papa Françesku. Të pranishëm, 173 etër sinodalë. Ndër temat më të rëndësishme, që u diskutuan dje pasdite, doli në pah me forcë ajo e “të rinjve të rrugës”, pra, u diskutua për atë brez, që nuk shkon në shkollë e nuk punon, duke e kaluar jetën rrugëve. Kisha duhet t’i ndihmojë këta të rinj, nënvizuan etërit sinodalë, duke përforcuar respektin e tyre për vetveten e duke mos i lënë të bien në viktimizëm – rrezik, që nuk u zgjidh problemet. Nuk është e mundur të mos interesohemi për të ardhmen e brezave të ardhshëm, pohuan pjesëmarrësit në Sinod, duke theksuar sërish nevojën për ta mbrojtur Amazonën e Gjithësinë, edhe përmes reagimit global para rreziqeve, që vijnë nga ndryshimi i klimës.

Kanoni ekologjik

U propozua të mendohet një ligj i ri, i ashtuquajturi “kanoni ekologjik”, që duhet të bëjë pjesë në Kodin e së Drejtës Kanonike. Ky kanon duhet të përcaktojë detyrat e të krishterëve ndaj ambientit. Amazona, u tha në Sallë, me ujrat e saj, mund të kontribuojë në zhdukjen e urisë në botë. Vërtet, 26% e ujrave të planetit vijnë nga ai rajon. Që këtej, ftesa për të inkurajuar projekte të qëndrueshme.

Fjala e Papës dhe video mbi anijen-spital

         Në pjesën e dytë të kongregacionit të 12-të të përgjithshëm, kushtuar ndërhyrjeve të lira, e mori fjalën edhe Papa Françesku. Gjithashtu, etërit sinodalë panë një dokumentar mbi anijen-spital “Papa Françesku”, që u përurua në gushtin e këtij viti, me qëllim përhapjen e Ungjillit dhe asistencën shëndetësore për qindra mijëra banorët e shtetit brazilian Parà, të cilët jetojnë përgjatë Lumit të Amazonës.

16 tetor 2019, 14:46