Kërko

Sinodi i ipeshkvijve për Amazonën Sinodi i ipeshkvijve për Amazonën 

#SinodoAmazonico. Kisha impenjohet kundër shkeljes së të drejtave të popujve

Me kongregacionin e nëntë të përgjithshëm filloi java e dytë e Sinodit të veçantë për Rajonin Panamazonik, i cili do të përfundojë më 27 tetor. Sot paradite, ishin të pranishëm 179 etër sinodalë. Së bashku me Papën, ata u lutën për Ekuadorin. Në vend, me një marrëveshje, presidenti Moreno dhe drejtuesit e protestës indigjene u dhanë fund manifestimeve kundër masave shtrënguese, që parashikonin, ndër të tjera, edhe eleminimin e subvencioneve për karburantin.

R.SH. - Vatikan

Të shumta, tematikat, për të cilat u diskutua sot në Sinod. Para pakësimit të bashkësive fetare në rajon, siç ndodh, për shembull, në Shtetin Parà të Brazilit, ku po mendohet për kalimin nga një baritori pranie të Kishës në një baritori vizite, u kërkohet Kongregatave rregulltare entuziazëm misionar. Gjithashtu, nevojitet formim në terren e jo vetëm mbi libra, në kontakt të drejtpërdrejtë me kulturat vendase, nënvizuan etërit sinodalë.

Që Kisha të ketë një fytyrë amazonike, duhen kuptuar shenjat dhe simbolet e këtyre popujve, duhet dialoguar me ta, duke inkurajuar një teologji indiose, që liturgjia t’i përgjigjet gjithnjë e më shumë kulturës autoktone. Ka shumë shembuj pozitivë në këtë drejtim. Në Sinod, u theksua se ungjillëzimi nuk mund të bazohet thjesht në programe asistenciale. Kisha duhet t’u bëjë ballë si përhapjes së sekteve, ashtu edhe kulturës relativiste, propozuar nga vendet e industrializuara.

Kontibuti në kuadrin ndërkombëtar

Gjithashtu, theksuan etërit sinodalë, Kisha duhet të ngrejë zërin para qeverive dhe organizmave ndërkombëtare, për të kërkuar të drejtat e popujve të Amazonës, si e drejta për tokën, për ujin, për pyjet. Duhet promovuar një ekonomi, që respekton urtinë dhe praktikat lokale. U kërkua ngritja e një Observatori kishtar ndërkombëtar për të monitoruar dhunimin e të drejtave të popujve amazonikë. Gjithnjë në planin ndërkombëtar, u vu në dukje se popujt e Amazonës kanë nevojë për një përhapje më kapilare të mjeteve të komunikimit shoqëror, por edhe për formim, në mënyrë që të dinë t’i interpretojnë lajmet, pa u manipuluar prej tyre.

Shërbimet dhe shoshitja

 Shumë etër sinodalë ngritën problemin e pranisë së Kishës Katolike në Amazonë, e cila nuk përbëhet vetëm nga meshtarë e ipeshkvij, por edhe nga bashkëpunëtorë laikë. U vu në dukje roli i grave, të pazëvendësueshme në shërbimin e samaritanes, në ruajtjen dhe në mbrojtjen e jetës. U diskutua mbi problemet e të rinjve si: paaftësia për të përvijuar plane për jetën; përfshirja në trafikun e qenieve njerëzore; analfabetizmi dhe braktisja e shkollës. Të rinjtë, u tha në Sinod, duhet të ndihmohen për të ndërthurur njohuritë e trashëguara me dijet më moderne. Ashtu si javën e kaluar, u përmend sërish mundësia e shugurimit të personave të martuar, por pa prekur vlerën e celibatit në Kishë. U sugjerua një azhurnim i mundshëm i Letrës Apostolike “Ministeria Quaedam” të shën Palit VI. U propozua edhe përdorimi i diakonëve të përhershëm – burra e gra – që, përmes shërbimit të Fjalës së Zotit, ta ndihmojnë popullsinë për të kuptuar më mirë Shkrimin Shenjt.

Kujdesi për Shtëpinë e përbashkët dhe shfrytëzimi i papërgjegjshëm

Etërit sinodalë dhanë idenë e krijimit të bashkësive të krishtera eko-inkulturore, në dialog me institucionet dhe me fetë e tjera. Ato duhet t’u mësojnë të gjithëve stile të reja jetese, që kujdesen për Shtëpinë e përbashkët. U denoncua shfrytëzimi i ambientit nga ana e kompanive naftënxjerrëse dhe nga ato, që përpunojnë drurin. Edhe kërcënimi i madh, që vjen nga trafiku i drogës, duhet luftuar bashkë me çdo akt korrupsioni, që e ushqen atë. Shfrytëzimi, u theksua në Sinod, cënon biolarminë e ruajtur nga bashkësitë indigjene. Shumë nga bimët e Amazonës nuk njihen, përveçse prej tyre. Por, u nënvizua, deri tani, bimët dhe elementet e tyre, të përdorura nga shumëkombëshet farmaceutike, nuk i kanë sjellë asnjë përfitim popullit të Amazonës.

14 tetor 2019, 15:56