Kërko

Pope Francis Amazon synod at the Vatican Pope Francis Amazon synod at the Vatican 

Sinodi, relacioni i kard. Hummes: të shërbesh në tryezën e të varfërve të Zotit

Punimet e Sinodit të Ipeshkvijve për Amazonën trajtojnë çështje thelbësore që kanë të bëjnë me Kishën në Amazonë, me inkulturimin dhe ndërkulturalitetin, me mungesën e priftërinjve dhe të Sakramenteve, me ekologjinë e gjithanshme, çështje si ujit dhe me Shtëpinë e Përbashkët, Mjedisin. Kështu u shpreh para asamblesë së Etërve sinodal, kardinali brazilian Claudio Hummes, duke propozuar të paktën gjashtë "tematika" kryesore.

R.SH. - Vatikan

"Ky Sinod është si një tryezë që Zoti e ka shtruar për të varfërit e tij dhe na kërkon t’u shërbejmë në atë sofër". Me këtë thirrje drejtuar sivëllezërve, Etërve të Sinodit,  që gjatë punimeve të kësaj Asambleje, të mos përqendrohen mbi çështje personale, por të nisen nga përdëllimi për ta dëgjuar britmën e të varfërve dhe të tokës", relatori i përgjithshëm i Sinodit për Amazonën, kardinali brazilian Claudio Hummes e përfundoi relacionin e tij,  në hapjen e punimeve. Në fjalën e tij kard. Hummes propozoi, për tre javët e punimeve të këtij Sinodi, të paktën "gjashtë tematika krijuese", që shkojnë nga rrugëtimet e reja për Kishën "në dalje" në Amazonë, tek inkulturimi dhe ndërkulturimi, me qëllim që të japim një fytyrë të vërtetë amazonike Kishën; nga çështja e mungesës së meshtarëve dhe e Sakramenteve, tek roli i diakonëve dhe  i grave, kujdesi për Shtëpinë e Përbashkët, mjedisin, në frymën e ekologjisë së gjithanshme; nga Kisha amazonike në realitet urbane e deri tek çështja e ujit.

Duke u nisur nga tema e Sinodit: "Amazona: shtigje të reja për Kishën dhe për një ekologji të gjithanshme", kardinali 85-vjeçar brazilian Hummes kujtoi se qysh në fillim të papnisë së tij, Papa Françesku ka theksuar nevojën e Kishës për të qenë në rrugëtim, për të shkuar jashtë, të një Kishe në dalje për t’u vë në udhët e historisë, në këto kohët të ndryshimeve epokale, duke ecur gjithmonë pranë të gjithëve, sidomos pranë atyre njerëzve që jetojnë në periferitë e njerëzimit.

Kujtojmë se në Asamblenë e veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve mbi Amazonën marrin pjesë kryetarët e Konferencave Ipeshkëvnore të rajonit të Amazonës, 184 Etër sinodal ‘plasti free’ nga mbarë bota, ekspertë tjerë nga rajoni i Amazonës si dhe nga zonat tjera gjeografike. Në punimet e Sinodit të Ipeshkvijve marrin pjesë edhe 35 gra megjithëse nuk kanë të drejtën e votimit. Në këtë mënyrë është e mundur, ndër të tjera, të nxirren në pah situata kishtare dhe ajo e mjedisit amazonian, si dhe gjendja në kontekste të tjera të ngjashme territoriale.

07 tetor 2019, 15:28