Kërko

Vatican News
 Udha e Kryqit gjatë DBR-së së Brazilit Udha e Kryqit gjatë DBR-së së Brazilit 

Sinodi për Amazonën: “Udha e Kryqit” me etërit sinodalë dhe indigjenët

Sinodi për Amazonën: nesër, “Udha e Kryqit” me etërit sinodalë dhe indigjenët, nga Kështjella e Shën Engjëllit - në Shën Pjetër.

R. SH. - Vatikan

Dialog i rrëfimit ungjillor - me britmën që lartohet sot nga Amazona! Ky dialog do të dëgjohet nesër, gjatë Udhës së Kryqit, që do të nisë në orën 8.30, në Romë. Liderë indigjenë, etër sinodalë dhe specialistë, ardhur nga të katër anët e botës për të marrë pjesë në Sinodin kushtuar Amazonës, do të përshkojnë, së bashku, stacionet e mundimeve dhe të vdekjes së Jezusit përgjatë Rrugës së Pajtimit, që lidh  Kështjellën e Shën Engjëllit me Sheshin e Shën Pjetrit. Duke ndjekur traditën e Udhës së Dhimbshme, në çdo stacion, krahas mundimeve të Zotit, do të kujtohen edhe problematikat e popujve indigjenë; shtypja, pabarazitë shoqërore, rrëmbimi i trojeve, indiferenca, dëmtimet e ambienteve… Ky do të jetë filli i kuq i kësaj udhe, që do të vijojë me 15 ndalesa, deri në Shesh.

Do të jenë të pranishme edhe disa figura të Udhës latinoamerikane të Kryqit, realizuar nga argjentinasi Adolfo Pérez Esquivel në vitin 1982, për të kujtuar 500-vjetorin e fillimit të zbulimit të Amerikës, si dhe martirët e shumtë, si Oscar Romero, Dorothy Stang, Ezechiele Ramin, Chico Mendes, Cleusa Carolina Coehlo e Marçal de Souza, burra e gra, që dhuruan jetën, për të shpëtuar shtëpinë e përbashkët…

“Për shumë popuj të Amazonës - shpjegon misionari kombonian, vëllai Antonio Soffientini - udha të duket pikërisht si ajo, që përshkoi Zoti, drejt Golgotës. Këta popuj e kanë çdo ditë një stacion, gjatë të cilit provojnë vuajtjet e kryqit. Ta kremtosh bashkë me indigjenët këtë çast, do të thotë të ecësh me ta e t’i ndihmosh t’i mbartin këta kryqe, duke kujtuar të Premten e Madhe, që na siguron se fjala e fundit nuk është vdekja - e Udha e Kryqit nuk është pa kuptim! Pas saj vjen e Diela e Madhe, gëzimi i Ngjalljes. Duam të jemi solidarë me vuajtjet e vëllezërve tanë. Prandaj, në stacionet e ndryshme, do të kujtojmë edhe  shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe martirët, që u ndeshën në rrjedhë vitesh me të keqen, për idealin e lartë të lirisë, të drejtësisë shoqërore, të solidaritetit”.  

18 tetor 2019, 13:07