Kërko

Atё Federico Lombardi Atё Federico Lombardi 

Sinodi: atё Lombardi, edhe Ratzinger u quajt 'Papa i gjelbër'

Interesi për shtëpinë e përbashkët është i fortë në ndërhyrjet dhe fjalimet e Benediktit XVI.

R.SH. - Vatikan

Vëmendja e Vatikanit për mjedisin, që në enciklikën e Papës Françesku ‘Laudato si ' ka një nga momentet më të forta, ka qenë trajtuar  e nënvizuar edhe në thirrjet e nё fjalimet e Papёs sё nderit Benediktit XVI. Kёshtu pohoi atё Federico Lombardi, presidenti i Fondacionit vatikanas ‘Joseph Ratzinger-Benedikt XVI’, gjatё fjalimit në seminarit shkencor me temё 'Sfidat e rajonit panamazonik' që u mbajt nё Vatikan nё kuadrin e iniciativave të organizuara për Sinodin e Ipeshkvijve mbi Amazonën.

"Ka kaq shumë ide e nxitje që edhe Papa Benedikti XVI i pati kushtuar temёs sё kujdesit për shtëpinë e përbashkët - gjithësinë. Mos ta harrojmë – kujtoi Atё Lombardi  - edhe enciklikën e tij ‘Caritas in Veritate’. Nё disa momente Benedikti XVI u quajt 'Papa i gjelbër'  pikërisht sepse shpesh fliste për çështjet mjedisore dhe ekologjike".

Ta mbrojnë ambientin me frymën e solidaritetit për të varfërit

Papa Benedikti XVI, mё 30 gusht 2009, në Kastel Gandolfo, gjatë audiencës së përgjithshme, i nxiti liderët botërorë ta mbrojnë ambientin me frymën e solidaritetit për të varfërit. Njeriu nuk është pronar absolut i Krijesës. Nuk është zot i gjithësisë!  Papa nënvizoi se fenomenet e ndryshme të shkatërrimit ambiental dhe fatkeqësitë e natyrës, që për fat të keq i regjistron shpesh herë kronika, na kujtojnë sa urgjente është të respektohet natyra, duke rivendosur e duke rivlerësuar në jetën e përditshme, lidhjen e drejtë me ambientin.

Kisha, gjithnjë e impenjuar në mbrojtjen e tokës, të ujit e të ajrit, që përpiqet me të gjitha forcat ta mbrojë njeriun nga shkatërrimi i vetvetes, i rikujtoi edhe një herë mbarë njerëzimit se po të mungojë lidhja e krijesës njerëzore me Krijuesin, materia i nënshtrohet vetëm përdorimit egoistik, njeriu bëhet instanca e fundit, e qëllimi i jetës kufizohet në rendjen e ethshme për të pasur sa më shumë që të jetë e mundur. Ripohoi, Papa Ratzinger, se bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e veçanta duhet t’u japin qytetarëve të tyre sinjalet e duhura për t’iu kundërvënë me sukses mënyrave të dëmshme të përdorimit të ambientit”.

Ta mbrojmë krijimin nga egozimi i njeriut!

“Mbrojta e mjedisit nuk është fakt estetik, por moral; sidoqoftë, para së gjithash duhet mbrojtur dinjiteti i njeriut, si bir i Hyjit, sepse pikërisht nga respekti për ekologjinë njerëzore, rrjedh edhe respekti për ekologjinë ambientale”. Ky ishte parimi bazë i fjalimit të rëndësishëm të Benediktit XVI, drejtuar Trupit diplomatik, akredituar pranë Selisë së Shenjtë, të cilin e priti mё 11 janar 2010 në Vatikan për audiencën e zakonshme të fillimit të vitit. “Në se duam paqen, duhet të mbrojmë gjithësinë”, pati thёnё Benedikti XVI duke kujtuar se në ditët tona duhet të mendojmë e të diskutojmë me “urgjencë” për gjithësinë, për dëmin, që kemi shkaktuar me “shpërdorimin e pasurive”, të cilat na i dhuroi Zoti, duke u angazhuar të mos ua kthejmë shpinën vëllezërve tanë. Ky ёshtë vetёm njё nga reflektimet panumёrta tё Papës Ratzinger mbi ruajtjen e gjithësisë.

19 tetor 2019, 18:16