Konferenca për shtyp, sot në Vatikan, ku u paraqit Sinodi për Amazonën Konferenca për shtyp, sot në Vatikan, ku u paraqit Sinodi për Amazonën 

Sinodi: e gjithë Kisha tregon shqetësimin e saj për Amazonën

U paraqit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, Asambleja e veçantë e Sinodit të Ipeshkvijve për rajonin panamazonik, në program në Vatikan nga 6 deri më 27 tetor, me temë: “Amazona: shtigje të reja për Kishën dhe për një ekologji të gjithanshme”.

R.SH. - Vatikan

Kisha dëgjon zërin e popullit të Amazonës, rajon ku kriza ekologjike dhe shoqërore, ushqyer nga interesa të mëdha dhe nga pabarazi në rritje, kërcënon jo vetëm të ardhmen e kësaj mushkërie me rëndësi të jashtëzakonshme, shtrirë ndërmjet nëntë vendeve, por edhe fatin e gjithë planetit. Kërkimi i shtigjeve të reja për Kishën dhe për një ekologji të gjithanshme janë objektivi i këtij diskutimi të pasur dhe të çmuar, që do të ketë një hapësirë të privilegjuar në Asamblenë e veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për rajonin panamazonik. Në veçanti, Nxitja apostolike “Evangelii gaudium”, Enciklika “Laudato si’” dhe Kushtetuta apostolike “Episcopalis communio”, janë tre dokumente thelbësore të magjisterit të Papës Françesku, në qendër të vëmendjes për të promovuar një kthesë të vërtetë baritore, ekologjike dhe sinodale. Sinodi, që do të fillojë më 6 tetor, bën pjesë pikërisht në këtë rrugë: kohë për dëgjim e shoshitje, për të shkuar pastaj, drejt veprimit.

Shqetësimi i Kishës për Amazonën

         Gjatë konferencës për shtyp, sot në Vatikan, u theksua se çështjet, që do të diskutohen në Sinod, janë urgjente e nuk mund të shtyhen. Kardinali Lorenzo Baldisseri, Sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, saktësoi se “e gjithë Kisha është e shqetësuar për Amazonën”, për shkak të vështirësive, problemeve dhe sfidave, që ndërthuren në këtë rajon. Në Asamblenë e Sinodit, kujtoi kardinali, marrin pjesë të gjithë ipeshkvijtë dhe ndihmës-ipeshkvijtë e Kishës në Amazonë. Gjithashtu, do të jenë të pranishëm edhe prelatë nga Kishat e tjera të veçanta dhe krerët e dikastereve të Kuries Romake. Gjithsej, etërit e sinodit janë 185, përfshirë 28 kardinaj. Marrin pjesë edhe gjashtë delegatë vëllazërorë, që përfaqësojnë Kishat e tjera dhe bashkësitë kishtare të pranishme në territorin e Amazonës, së bashku me 12 të ftuar të veçantë. 25 ekspertëve u shtohen edhe 55 dëgjues. Do të marrin pjesë në punime edhe 35 gra.

Emergjencat baritore në rajonin panamazonik

         Kardinali Claudio Hummes, relatori i përgjithshëm i Sinodit dhe kreu i Rrjetit Kishtar Panamazonik (Repam), u përqëndrua në një nga emergjencat baritore në Amazonë: “mungesa e meshtarëve”. “70-80% e bashkësive në Amazonën braziliane - tha kardinali, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve - ka pak jetë sakramentore, përveç pagëzimit dhe martesës”. “Mungojnë Sakramentet: ka një humnerë ndërmjet Fjalës së Zotit dhe praktikës”. Në rajonin e Amazonës, kujtoi ai, “pak njerëz kanë mundësi të marrin Kungimin. Por Kisha jeton nga Eukaristia dhe Eukaristia e plazmon jetën e Kishës”. Në Instrumentum Laboris të Sinodit për Amazonën - dokument udhëzues me orientime dhe vërejtje – urohet të shqyrtohet “mundësia e shugurimit meshtarak të të moshuarve, mundësisht indigjenë, të respektuar dhe të pranuar nga bashkësia e tyre, megjithëse mund të kenë familje prej kohësh, me qëllim që të sigurohen Sakramentet, të cilat shoqërojnë dhe mbështesin jetën e krishterë”. Mbi këtë e mbi pika të tjera të Instrumentum Laboris, kujtoi kardinali Lorenzo Baldisseri, “etërit sinodalë janë të lirë të diskutojnë dhe të bëjnë propozime”.

Është po ajo krizë, shoqërore dhe ambientale

         Gjatë konferencës për shtyp, u përmed edhe kuptimi i ekologjisë së gjithanshme, sipas enciklikës “Laudato si’”. “Qasja vërtet ekologjike - tha kardinali Hummes - bëhet gjithnjë e më tepër qasje shoqërore, që duhet të integrojë drejtësinë në diskutimet mbi mjedisin, për të dëgjuar si klithmën e tokës, ashtu edhe atë të të varfërve”. Nuk janë dy kriza, ajo ekologjike dhe ajo shoqërore, por vetëm një krizë shoqëroro-ambientale. “Zgjidhjet - tha kryetari i Repam - kërkojnë një qasje të gjithanshme për të luftuar varfërinë, për t’u rikthyer të mënjanuarve dinjitetin dhe për t’u kujdesur për Gjithësinë, sepse gjithçka është e lidhur”. Shpresojmë, tha kardinali Baldisseri, që Sinodi “t’i përgjigjet temës së tij, duke gjetur shtigje të reja për të favorizuar kumtimin e Krishtit, Shëlbuesit të çdo njeriu, në Amazonë, dhe duke propozuar mënyra të zbatueshme për mbrojtjen e ambientit natyror, njerëzor dhe shoqëror”.

Kujdes për ekologjinë e komunikimin

         Gjatë paraqitjes në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u nënvizua se, për të kufizuar sa më shumë përdorimin e plastikës në Sinod, gotat do të jenë prej materiali të biodegradueshëm. Çanta me materialin e punës, që do t’u dorëzohet pjesëmarrësve, është punuar me fije natyrale. Karta për dokumentet është nga ajo me numrin më të madh të çertifikatave për prejardhjen dhe mënyrën e përpunimit. Imzot Fabio Fabene, zv.sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve, kujtoi edhe se çdo pjesëmarrës mund të flasë vetëm për 4 minuta. Marrëdhëniet me mediat gjatë Sinodit i besohen Dikasterit për Komunikimin. Çdo ditë do të ketë një takim me shtypin, koordinuar nga prefekti i Dikasterit dhe nga drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Rrjetet shoqëroree (Twitter, Facebook dhe Instagram) të Vatican News dhe të Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, do të kontribuojnë në përhapjen e lajmeve për punimet sinodale.

03 tetor 2019, 17:32