Kongregacioni i tretë i përgjithshëm, në Sinodin e veçantë për Rajonin Panamazonik Kongregacioni i tretë i përgjithshëm, në Sinodin e veçantë për Rajonin Panamazonik 

#SinodoAmazonico. Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe urgjenca e formimit, në kongregacionin e tretë

Kongregacioni i tretë i përgjithshëm, mëngjesin e sotëm, 8 tetor, në Sinodin e veçantë për Rajonin Panamazonik. Në praninë e Papës Françesku dhe të 183 etërve sinodalë, vazhdoi paraqitja e relacioneve mbi Instrumentum Laboris.

R.SH. - Vatikan

Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe drama e kriminalizimit të drejtuesve, të bashkësive dhe të lëvizjeve shoqërore ishin ndër temat e shqyrtuara sot paradite nga Kongregacioni i 3-të i Përgjithshëm i Sinodit të veçantë për Rajonin Panamazonik. Pasdite kongregacioni i katërt, pasi dje u mblodhën dy të parat, gjatë të cilave u zgjodhën Komisioni për hartimin e Dokumentit Përfundimtar dhe ai për Informacionin.

Sot paradite u vu në dukje se në Amazonë, numri i martirëve për të drejtat e njeriut është i frikshëm. Ndërmjet viteve 2003 dhe 2017, viktimat indigjene, në mbrojtje të territoreve të tyre, kanë arritur në 1119 vetë. Jo vetëm kaq: shpesh, liderët shoqërorë janë viktima të pafuqisë së pushtetit shtetëror për të siguruar jetën e tyre. Prandaj, u theksua se Kisha duhet të mbrojë ata, që luftojnë për tokën, duke krijuar, aty ku nuk ka, rrjete të posaçme mbrojtjeje, ose duke aktivizuar, në nivelin dioqezan, ndërhyrje të vazhdueshme solidariteti për promovimin e drejtësisë shoqërore. U përsërit disa herë se është detyrë e Kishës të ngrejë zërin kundër planeve, që shkatërrojnë ambientin. Etërit sinodalë theksuan edhe rëndësinë e promovimit të një politike me pjesëmarrje më të madhe nga ana e popullsisë dhe të një ekonomie larg “kulturës së hedhurinave”, duke u përqëndruar në përvojat e ekonomisë alternative, siç është ajo e kooperativave të vogla që tregtojnë drejtpërdrejt produkte pyjore, pa kaluar nëpër shoqëritë e mëdha shumëkombëshe.

Lufta kundër modeleve aktuale minerare

Në Sallën e Sinodit u fol edhe për ndotjen e lumenjve, ku shpesh derdhen mbeturinat nga veprimtaritë minerare, por edhe për shpyllëzimet, një kërcënim gjithnjë e më konkret në Amazonë, për shkak të shitjes masive të drurit dhe të kultivimit të kakaos, që favorizohet nga mungesa e ligjeve për ambientin. Kisha, u nënvizua në Sallë, duhet të denoncojë modelet minerare, që s’bëjnë tjetër veçse grabisin pasuritë e Amazonës, si edhe të mbështesë rregulloret ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut kundër planeve, që paraqiten si “projekte zhvillimi”.

Amazona, tokë migracioni

         Sinodi reflektoi edhe mbi temën e emigracionit, si për indigjenët që shkojnë drejt qyteteve të mëdha, ashtu edhe për ato popullsi, të cilat kalojnë nëpër Amazonë për të arritur në vende të tjera. U nënvizua rëndësia e baritorisë së Kishës për emigrantët, sidomos për të rinjtë, që detyrohen të largohen nga një zonë e kërcënuar gjithnjë e më shumë nga papunësia, dhuna, trafiku i njerëzve dhe ai i drogës, nga prostitucioni dhe shfrytëzimi. Të rinjtë, thanë etërit sinodalë, duhet të nxiten për të qenë protagonistë në hapësirat kishtare, shoqërore dhe politike, që t’u çojnë atyre shpresën.

Urgjenca e formimit të laikëve

         Një nga temat kishte të bënte me urgjencën e formimit të laikëve, zërin e të cilëve Kisha duhet ta dëgjojë më tepër. Laikët u panë si mundësi edhe për zgjidhjen e problemit të mungesës së meshtarëve, pasi, të formuar si duhet, ata mund t’u çojnë Eukaristinë besimtarëve. Disa etër sinodalë, duke nënvizuar se celibati mbetet dhuratë e madhe e Shpirtit Shenjt për Kishën, kërkuan të mendohet për shugurimin meshtarak të disa burrave të martuar, të ashtuquajturit “viri probati”, duke vlerësuar më pas vlefshmërinë e asaj përvoje. Për dikë tjetër, një propozim i tillë mund të bëjë që prifti të kthehet në një funksionar të thjeshtë të meshës, duke e humbur shërbimin e tij si bari i bashkësisë, si mësues i jetës së krishterë, si prani konkrete e afërsisë së Krishtit.

Udhë të reja

         Përballë mungesës së barinjve për ungjillëzimin e Amazonës, nevojitet një vlerësim më i madh i jetës së shuguruar, por edhe promovimi i fuqishëm i thirrjeve indigjene - u tha në Sallën e Sinodit - së bashku me mundësinë për të zgjedhur ministra të autorizuar për të kremtuar Eukaristinë, ose për të shuguruar diakonë të përhershëm, të cilët, në formën e një ekipi, të shoqëruar nga barinjtë e Kishës, mund të mbarështojnë Sakramentet. Pikë tjetër reflektimi ishte ajo e formimit të shërbimeve kishtare, të konceptuara në tre nivele: formim kapilar në nivel famullitar, me leximin dhe meditimin e Fjalës së Zotit; formim intensiv, i destinuar për animatorët e bashkësive dhe, formim sistematik teologjik për kandidatët në shërbimet kishtare të shuguruara dhe për burrat e gratë, që dëshirojnë të përfshihen në shërbimet laike. E rëndësishme - u theksua - është të rimendohet formimi i seminaristëve, që duhet të jenë më afër jetës së bashkësisë. Së fundi, ndër propozimet e bëra, edhe mundësia e shugurimit diakonal për gratë, që të vlerësohet thirrja e tyre në Kishë.

08 tetor 2019, 16:02