Kërko

1570437442561.JPG

#SinodoAmazonico. Të rinjtë, protagonistë të ekologjisë së gjithanshme

Në pasditen e djeshme, 7 tetor, puna e Sinodit të veçantë për Rajonin Panamazonik vazhdoi me kongregacionin II të përgjithshëm dhe me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për përgatitjen e dokumentit përfundimtar dhe të atyre të Komisionit për informacionin. I pranishëm Papa Françesku dhe 176 etër sinodalë.

R.SH. - Vatikan

U zgjodhën katër anëtarët e Komisionit për përgatitjen e dokumentit përfundimtar të Sinodit. Ata janë imzot Mario Antonio Da Silva, ipeshkëv i Roraima-s në Brazil; imzot Héctor Miguel Cabrejos Vidarte, o.f.m., kryeipeshkëv i Trujillo-s dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Perusë; imzot Nelson Jair Cardona Ramírez, ipeshkëv i San José del Guaviare në Kolumbi dhe imzot Sergio Alfredo Gualberti Calandrina, kryeipeshkëv i Santa Cruz de la Sierra, në Bolivi.

Tre anëtarë të tjerë do të zgjidhen nga Papa

Njëri nga anëtarët e zgjedhur fillimisht, kardinali Carlos Aguiar Retes, kryeipeshkëv i Qytetit të Meksikos, shprehu dëshirën për t’ia lënë vendin një përfaqësuesi nga shtatë Konferencat Ipeshkvnore të zonës së Amazonës. Prelatët e zgjedhur i shtohen pjesës tjetër të Komisionit, përbërë nga relatori i përgjithshëm, njëkohësisht kryetar, kardinali Claudio Hummes; nga sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, kardinali Lorenzo Baldisseri; nga Pro-sekretari i përgjithshëm, imzot Mario Grech; nga dy sekretarët e veçantë: kardinali Michael Czerny dhe imzot David Martinez de Aguirre Guinea. Tre anëtarët e tjerë, që do t’i emërojë drejtpërdrejt Papa Françesku, do të njoftohen ditët e ardhshme.

Zgjidhen edhe anëtarët e Komisionit të Informacionit

Sinodi kaloi më pas në votimin e katër anëtarëve të Komisionit të Informacionit. Imzot Erwin Kräutler, misionar i Gjakut të çmuar të Krishtit, ipeshkëv nderi i Xingu-t, në Brazil; imzot Rafael Cob García, vikar apostolik i Puyo-s, Ekuador; imzot José Ángel Divassón Cilveti, salezian, ish-vikar apostolik i Puerto Ayacucho në Venezuela dhe, së fundi, atë Antonio Spadaro, jezuit, drejtor i revistës “La Civiltà Cattolica”. Këta emra i shtohen ekipit të kryesuar nga Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit për Komunikimin dhe i përbërë nga sekretari, atë Giacomo Costa; nga drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni; nga drejtori editorial i Dikasterit për Komunikimin, Andrea Tornielli; nga motra Maria Ines Lopes dos Santos, këshilltare e Komisionit Ipeshkvnor për Amazonën në Konferencën Ipeshkvnore të Brazilit dhe nga Mauricio López Oropeza, sekretar ekzekutiv i Rrjetit Kishtar Panamazonik.

Greta Thunberg dhe protagonizmi i të rinjve

Më pas, iu dha hapësirë ndërhyrjeve të etërve sinodalë, mbi temat e ndryshme të Instrumentum Laboris. Në vazhdimësi me Sinodin mbi të rinjtë, në vitin 2018, u reflektua mbi rëndësinë e protagonizmit rinor në çështjen e ekologjisë së gjithanshme, duke përmendur edhe shembullin e aktivistes së re suedeze, Greta Thunberg dhe të nismës “Greva për klimën”. Nevoja për të dialoguar me të rinjtë për çështjet e ruajtjes së Gjithësisë u theksua disa herë, së bashku me nevojën për ta vlerësuar impenjimin shoqëror të tyre, pasi ata mund ta nxisin Kishën të jetë profetike në këtë fushë. Zemra e të rinjve, u tha, dëshiron të ndërtojë një botë më të mirë e brezi i ri përfaqëson një lloj Doktrine shoqërore në lëvizje. Më tepër se shumë të tjerë, të rinjtë ndiejnë sot nevojën për të krijuar marrëdhënie të reja me Gjithësinë, marrëdhënie jo shkatërrimtare, por të vëmendshme ndaj planetit. Prandaj, tema e mbrojtjes së ambientit – që ka edhe natyrë ekumenike dhe ndërfetare - duhet të perceptohet nga Kisha si sfidë pozitive, si nxitje për dialog me të rinjtë, duke i ndihmuar ata në shoshitje, që angazhimi i tyre për ta ruajtur Gjithësinë e krijuar nga Zoti të mos jetë vetëm një parrullë “e gjelbërt dhe e modës”, por të bëhet çështje për jetë a vdekje, për njeriun dhe planetin.

Mbrojtja e burimeve nëntokësore

Nga disa etër sinodalë, thirrja për të mbrojtur burimet ujore nëntokësore nga ndotja kimike e prodhimeve të ndërmarrjeve shumëkombëshe, në mënyrë që popujt autoktonë të mbijetojnë duke ruajtur kulturën e tyre dhe duke ndjekur shtigje të reja ungjillëzimi. Veprimtaria masive industriale për të nxjerrë minerale u përmend disa herë në Sallën e Sinodit, ku u shpreh shqetësimi i veçantë për abuzimet me pasoja të rënda për indigjenët. Ipeshkvijtë theksuan vazhdimisht nevojën për të respektuar të drejtat e njeriut dhe të mjedisit, sepse një ekologji vërtet e gjithanshme kërkon një ekuilibër të ri ndërmjet njeriut dhe natyrës.

Karburantet fosile dhe çështja e klimës

Etërit sinodalë diskutuan edhe për çështjen e klimës, ndryshimet e së cilës po e shndërrojnë Gjithësinë. Klima është pasuri globale, u tha, pasuri që duhet mbrojtur dhe ruajtur për brezat e ardhshëm. U sugjerua të ndalohet përdorimi i karburanteve fosile, veçanërisht në vendet më të industrializuara, që janë ndotësit kryesorë të ambientit. U reflektua edhe mbi nevojën për të kapërcyer format e kolonializmit, karakteristike për misionin e shekujve të kaluar, në favor të ruajtjes së identiteteve kulturore të Amazonës: çdo kulturë jep kontributin e saj në katolicitetin e Kishës. Duke cituar Shën Gjon Palin II, etërit sinodalë kujtuan se Krishti i jep shpirt thelbit të çdo kulture. Vetë Kisha është një ekosistem i ndërlikuar, me një “biolarmi të mrekullueshme shpirtërore”, që pasqyrohet në bashkësi të ndryshme, në shprehje kulturore, në forma të jetës së shuguruar dhe në shërbime të ndryshme.

Ritet indigjene

Në senacën e djeshme të Sinodit, u reflektua edhe mbi ritet indigjene: Kisha – u tha – e sheh me dashamirësi gjithçka që nuk është e lidhur me bestytnitë, për aq sa mund të harmonizohet me frymën e vërtetë liturgjike. U sugjerua që në Amazonë, të fillojë një proces për shkëmbimin e përvojës me ato bashkësi indigjene, që kanë kremtime të inkulturuara për disa sakramente, si pagëzimi, martesa, ose shugurimi meshtarak. Një nga propozimet, që u paraqitën, ishte të mendohet – ad experimentum e pas një shoshitjeje teologjike, liturgjike dhe baritore – një rit amazonik katolik për të jetuar dhe kremtuar besimin në Krishtin. Siç ekziston një ekosistem ambiental, u theksua në Sallë, ashtu ekziston edhe një ekosistem kishtar.

Viri Probati

Së fundi, disa ndërhyrje mbi çështjen e të ashtuquajturve “viri probati”, përshkruar nga Dokumenti i punës sinodale (Instrumentum Laboris) si një nga propozimet për të siguruar kremtimin e sakramenteve, kur mungojnë meshtarët: është nevojë e ligjshme – u tha në Sallë - por kjo nuk mund të ndikojë në një rishikim thelbësor të natyrës së meshtarisë dhe të marrëdhënieve të saj me celibatin, siç parashikohet nga Kisha e ritit latin. U sugjerua të zhvillohet më tej baritoria e thirrjeve ndër të rinjtë indigjenë, që të favorizohet ungjillëzimi edhe në zonat më të thella të Amazonës, që të mos krijohen “katolikë të klasit të parë”, të cilët mund të marrin pjesë lehtësisht në Eukaristi dhe, “katolikë të kasit të dytë”, të destinuar të mbeten pa Bukën e Jetës, nganjëherë, edhe për dy vite rresht.

08 tetor 2019, 12:27