Sinodi për Amazonën: ja kush janë përfaqësuesit e popujve indigjenë
R.SH. - Vatikan
Mbërritën në Romë pak nga pak dhe sollën zërin e 390 grupeve etnike, më shumë se gjysma e të cilave është përfshirë drejtpërdrejt në procesin e gjatë të përgatitjes së Sinodit të veçantë të Ipeshkvijve për Amazonën, që vijon në Vatikan. Kush mendon se janë vetëm një prani “folklorike”, me veshjet e tyre etnike, me kapelet me pendë zogjsh dhe me vallet e tyre stërgjyshore, gabon rëndë. Natyrisht, nuk mungojnë ngjyrat dhe gjallëria e këtyre kulturave, por, së bashku me këto elemente, indigjenët janë në Sinod me ide të qarta, përgatitje dhe vendosmëri.
Gjithsesi, janë prani historike, pasi nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë që të marrin pjesë në një asamble të tillë, krah për krah ipeshkvijve. Në Sinodin për Amazonën, ata do të jenë dëgjues, por zëri i tyre është i çmuar, i rëndësishëm dhe i mirëpritur. Në punimet sinodale marrin pjesë 17 përfaqësues të popujve autoktonë. Indigjenët vijnë praktikisht nga të gjitha vendet e rajonit panamazonik e ndërmjet tyre, ka të shuguruar e laikë, si edhe shumë gra. Dikush është lider shoqëror e dikush, mësues; një tjetër lufton kundër shfrytëzimit minerar e akoma, katekisti që, faktikisht, mban gjallë bashkësinë. Flitet për ta në Sinod, për ambientin ku jetojnë, për Kishën ku bëjnë pjesë, por pritet që të thonë fjalën e tyre, me peshë për fatet e gjithë globit e të gjithë Kishës, jo vetëm të Rajonit panamazonik.