Kërko

Sinodi, kongregacioni i katërt Sinodi, kongregacioni i katërt 

#SinodoAmazonico. Kisha të flasë për “mëkatet ekologjike”. Meshtarët të jenë shenjt

Me kongregacionin e katërt përfundoi dita e dytë e punës së Sinodit të veçantë për Rajonin Panamazonik. 182, etërit sinodalë të pranishëm në Sallë, së bashku me Papën Françesku.

R.SH. - Vatikan

Shkelja sistematike e të drejtave të popujve indigjenë të Amazonës dhe jeta në rrezik për gjithë zonën e plagosur nga shkatërrimi i vazhdueshëm i ambientit, ishin në qendër të reflektimit të kongregacionit të katërt të Sinodit të veçantë të Ipeshkvijve kushtuar Rajonit Panamazonik.

“Jo” indiferencës, “po” përgjegjësisë

Jehoi e fuqishme thirrja që Kisha, përmes zërit të saj me autoritet në sferën morale dhe shpirtërore, të mbrojë gjithmonë jetën, duke denoncuar strukturat e shumta të vdekjes, që e kërcënojnë atë. Individualizmi dhe indiferenca na bëjnë ta shikojmë realitetin si spektatorë, u tha në Sinod, duke kërkuar një kthesë të fortë ekologjike, përgjegjësi dhe mbrojtje të dinjitetit njerëzor, shkelur tepër shpesh.

Bashkësia ndërkombëtare t’i shohë në sy shkeljet e të drejtave të njeriut

Gjendja e papranueshme e prishjes së ambientit në Rajonin Panamazonik, u denoncua nga etërit sinodalë, duhet të përballohet seriozisht nga e gjithë Bashkësia ndërkombëtare, e cila, shpesh, qëndron indiferente, edhe kur derdhet gjak i pafajshëm. Popullsitë vendase, kujdestare të rezervave natyrore, të ungjillëzuara me kryqin e Krishtit, duhen parë si aleate në luftën kundër ndryshimit të klimës e duhen përfshirë në një rrugëtim të përbashkët e miqësor. Edhe Kisha u ftua të bëhet aleate e lëvizjeve shoqërore të bazës, t’i dëgjojë ato dhe ta pranojë botëkuptimin amazonik, që ndryshon nga ai i kulturës perëndimore.

Kisha të flasë për “mëkatet ekologjike”

Në Sinod u kërkua që zhvillimi ekonomik e shoqëror të jetë i drejtë dhe gjithëpërfshirës, të ndërthurë njohuritë shkencore me ato tradicionale. Kthesa ekologjike duhet t’i bëjë njerëzit ta kuptojnë peshën e mëkatit kundër ambientit, që është mëkat kundër Zotit, kundër fqinjit dhe kundër brezave të ardhshëm. Që këtej, propozimi për t’u thelluar dhe për ta bërë të njohur literaturën teologjike, ku përveç mëkateve të njohura tradicionalisht të flitet edhe për “mëkatet ekologjike”.

Promovimi i diakonatit të përhershëm indigjen

Edhe në kongregacionin e katërt të Sinodit vijoi reflektimi për shërbimin meshtarak. U bë thirrje të bashkohen forcat për të formuar misionarë nga Amazona, laikë dhe të shuguruar. U kërkua promovimi i diakonatit të përhershëm indigjen dhe vlerësimi i shërbimit të laikëve, konceptuar si shenjë e vërtetë dhe dikim i Shpirtit Shenjt. U fol për një përfshirje më të madhe të grave në Kishë.

Reflektimi mbi thirrjen meshtarake

         Tema e kritereve për pranimin në shërbimin e të shuguruarve u prek nga disa etër sinodalë. Dikush nxiti të promovohen lutjet për thirrjet meshtarake, duke kërkuar shndërrimin e Amazonës në një vend të shenjtë shpirtëror, nga i cili t’i lartohet lutja “Zotit të të korrave”. Dikush vuri në dukje se problemi i mungesës së meshtarëve është i përbashkët me gjithë botën katolike, prandaj, bëri thirrje të shqyrtohet rrënjësisht ndërgjegjja për mënyrën e përjetimit të thirrjes në meshtari, në kohën e sotme. Vërtet, u tha në Sinod, mungesa e shenjtërisë në jetën e të shuguruarve në Zotin është pengesë e madhe për dëshminë ungjillore: jo gjithnjë, barinjtë e Kishës kanë aromën e Krishtit e, kështu, i largojnë delet nga grigja, për të cilën duhet të kujdesen.

Parfumi i shenjtërisë dhe rinia

Në Sinod, u theksua shembulli i ndritur i martirëve të Amazonës, siç është ai i dy Shërbëtorëve të Zotit, vrarë në Mato Grosso: saleziani Rudolf Lunkenbein dhe laiku Simão Cristino Koge Kudugodu. Në fakt, kthesa ekologjike është së pari, kthesë shenjtërie. Kjo i tërheq jashtëzakonisht të rinjtë, për të cilët Kisha duhet të kujdeset më mirë e të jetë më e vëmendshme. U kërkua të dalin në dritë, edhe përmes mediave, dëshmitë e shumta të meshtarëve të mirë dhe jo vetëm shkandullet, që, fatkeqësisht, zënë faqe e faqe gazetash. Gjithashtu, është e vërtetë që, nga njëra anë, plagë si dhuna, droga, prostitucioni, papunësia dhe boshllëku ekzistencial janë kërcënim për brezat e rinj, por, nga ana tjetër, nuk mungojnë shembuj të ndritur, dhënë nga shumë të rinj katolikë.

Kujtimi i kardinalit Serafim Fernandes de Araújo

Vëmendja e etërve sinodalë u përqendrua edhe mbi çështjen e imigracionit, i cili në Amazonë ka shumë fytyra. Nevojitet një koordinim kishtar, bazuar në mikpritjen, mbrojtjen, promovimin dhe integrimin e tyre. Së fundi, për t’u shënuar se kongregacioni i katërt i pasdites së djeshme, i kryesuar nga Papa, u hap me lutjen e gjithë asamblesë për kardinalin Serafim Fernandes de Araújo, i cili vdiq prikërisht dje në Belo Horizonte.

09 tetor 2019, 12:54