Kërko

Sinodi, Kongregacioni i gjashtë i përgjithshëm Sinodi, Kongregacioni i gjashtë i përgjithshëm 

#SinodoAmazonico. Drama e trafikut të drogës dhe thirrja për kthesë ekologjike

Në prani të Papës Françesku u mbajt dje pasdite, 9 tetor, kongregacioni i gjashtë i përgjithshëm i Sinodit të veçantë të Ipeshkvijve për Rajonin Panamazonik, që po zhvillohet në Vatikan deri më 27 tetor. Në Sallë, 180 etër sinodalë.

R.SH. - Vatikan

Drama e trafikut të drogës dhe pasojat e saj: ky ishte një nga fjalimet, që pati më tepër jehonë, pasditen e djeshme, gjatë kongregacionit të gjashtë të përgjithshëm të Sinodit të veçantë të Ipeshkvijve për Amazonën, i cili u mbajt në praninë e Papës Françesku. Në disa zona të rajonit panmazonik, sipërfaqja e kultivuar me kokainë është rritur nga 12 mijë në 23 mijë hektarë, me pasoja shkatërrimtare, për shkak të shtimit të kriminalitetit dhe prishjes së ekuilibrit natyror të territorit. Gjithashtu, u fol për ndërtimin e hidrocentraleve, për të cilët duhen shpyllëzuar rezerva të mëdha natyrore të pasura me biolarmi, si edhe për të ashtuquajturat “zjarre të autorizuara”, që shkatërrojnë miliona hektarë tokë. Kisha, u tha në Sinod, të jetë zë profetik që tema e ekologjisë së gjithanshme të hyjë në rendin e ditës së organizatave ndërkombëtare.

Inkulturimi dhe ungjillëzimi

         Etërit sinodalë reflektuan edhe mbi ekuilibrin ndërmjet inkulturimit dhe ungjillëzimit. Kisha, sipas shembullit të Jezu Krishtit, është e thirrur të mishërohet në jetën konkrete të njerëzve, siç bënë misionarët e Amazonës. U nënvizua ideja që rajoni panamazonik të kthehet në një laborator të përhershëm të sinodalitetit misionar, për të vlerësuar kulturat dhe botëkuptimin mbi ambientin të popujve autoktonë.

Mungesa e thirrjeve dhe rruga e “viri probati”

         Gjithnjë në kuadrin e ungjillëzimit, u fol për vështirësitë  e për mungesën e thirrjeve meshtarake e rregulltare në Amazonë, duke u ndalur në propozime për të ashtuquajturit “viri probati” – shugurimi i njerëzve të urtë të bashkësisë, burra të martuar, me familje të qëndrueshme e të nderuar. Në njërën nga ndërhyrjet, u theksua se kjo zgjidhje do t’ia hiqte disi rëndësinë mundësisë për zhvendosje të meshtarëve, pasi çdo meshtar, pavarësisht se inkardinohet në një dioqezë të caktuar, është në shërbim të gjithë Kishës, prandaj mund të shkojë pranë çdo bashkësie e, edhe në Amazonë. U theksua nevoja e formimit më të mirë të vetë meshatarëve dhe vlerësimi i rolit të laikëve. U kërkua që Kisha të kujdeset më tepër për përshpirtërinë popullore, tipike të popujve indigjenë.

Teologjia e krijimit

         Disa nga etërit sinodalë e bënë Sallën të reflektojë mbi teologjinë e krijimit, në të cilën gjendet Fjala e Zotit për njerëzimin. Ka rëndësi, nënvizuan ata, që të shtohet dialogu ndërmjet teologjisë dhe shkencave pozitive, sepse kur harrojmë krijimin, harrojmë edhe Krijuesin. Në këtë kuadër, u fol për mbrojtjen e të drejtave të popujve të Amazonës, të cilët janë bashkëbisedues të vlefshëm, me aftësi për vetëvendosje. Vëmendje të veçantë duhet t’u kushtohet të rinjve indigjenë, të cilët ndodhen midis dy zjarresh: kulturës tradicionale dhe asaj perëndimore. Por edhe grave, që janë – u tha në Sinod – rojtare të jetës, ungjillëzuese, artizane të shpresës, puhizë e butë e Zotit, fytyrë amnore dhe e mëshirshme e Kishës. Gratë amazonike, u vu në dukje edhe nga dëgjuesit dhe delegatët vëllazërorë, kanë një stil të vetin të kumtimit të Ungjillit, janë shpesh të heshtura, por shumë aktive në shoqëri.

Dialogu ndërfetar dhe ekumenik

         Dialogu ndërfetar dhe ai ekumenik ishin argumente të tjera, që u diskutuan në kongregacionin e gjashtë të përgjithshëm të Sinodit, pasditen e djeshme. Kumtimi i përbashkët i Ungjillit, u theksua nga etërit sinodalë, mund të kontribuojë për të denoncuar më mirë dhunën dhe padrejtësinë, që pësojnë popujt e Amazonës, por edhe për të mbrojtur më mirë ambientin.

Shembulli i Papës

Në fillim të ndërhyrjeve të lira, Papa Françesku deshi të kontribuojë në rishikimin e udhës së deritanishme, duke theksuar ç’i kishte bërë më tepër përshtypje në gjithçka dëgjoi. Ati i Shenjtë, i cili i hapi punimet me lutjen për “vëllezërit hebrenj” në ditën e Yom Kippur-it, në fund të asamblesë kujtoi në lutje edhe viktimat e sulmit kundër sinagogës në Halle të Gjermanisë.

10 tetor 2019, 12:32