Kërko

Kisha Katolike në Amazonë Kisha Katolike në Amazonë  Editorial

Kisha me fytyrë amazonike dhe shërbimet e reja

Krah britmës së tokës dhe të popujve indigjenë, lartohet edhe ajo e bashkësive të humbura në një territor të gjerë, që kërkojnë Eukaristinë dhe sakramentet e tjera.

R.SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

Nga fjalimet e mbajtura në Sallë, gjatë ditëve të para të Sinodit, krah britmës së popujve indigjenë, që kërkojnë respekt duke bërë thirrje për vëmendje dhe kujdes ndaj Gjithësisë, lartohet edhe një britmë tjetër. Është ajo e bashkësive të krishtera, të përhapura në territore tejet të shtrira. Është ajo e barinjve të Kishës, që vetëm me një duzinë meshtarësh, duhet t’u shërbejnë 500 bashkësive të shpërndara në njëqind mijë kilometra katrorë, me vështirësi të konsiderueshme për të lëvizur nga njëra anë në tjetrën.

U vu në dukje dhe u kritikua mënyra e përballimit të kësaj teme, pa u shikuar nga zemra e bariut të Kishës. Qasje, që nuk fillon nga ajo britmë dhe nuk e bën të vetën, që nuk niset nga nevoja e atyre të krishterëve, të cilët nuk mund ta kremtojnë Eukaristinë, përveçse një ose dy herë në vit, të krishterë që nuk mund të rrëfehen dhe nuk mund të ngushëllohen nga një meshtar, në çastin e vdekjes.

Çdo reflektim, çdo përpjekje për të dhënë përgjigje, çdo konfrontim ndërmjet qëndrimeve të ndryshme mbi këtë temë, duhet ta bëjë të vetën këtë vuajtje. Gjendje me karakteristikat e veta, që nuk mund të konsiderohet e ngjashme me të tjerat: Sinodi për ungjillëzimin e Amazonës është i thirrur të propozojë zgjidhjet e mundshme. Një nga këto, siç dihet, është mundësia - si përjashtim dhe në mënyrë eksperimentale - e shugurimit meshtarak të burrave të moshuar me fe të provuar (pa e hequr e pa e bërë opcional celibatin, duke i lejuar priftërinjtë të martohen). Por kjo nuk është e vetmja rrugë, pavarësisht se debati në media përqendrohet pikërisht mbi të.

Në fakt, ka edhe rrugëzgjidhje të tjera për problemet e atyre bashkësive, që kanë të bëjnë, për shembull, me vlerësimin më të madh të diakonatit të përhershëm, që u jepet burrave të martuar, duke u përpjekur për rritjen dhe formimin e përshtatshëm të thirrjeve indigjene. Formimi i përshtatshëm për meshtarët, rregulltarët dhe laikët është nevojë, që u nënvizua disa herë gjatë ndërhyrjeve në Sallë. Për shembull, u theksua mundësia e shërbimeve të reja për laikët e në veçanti, për gratë, duke nxjerrë në dritë përkushtimin e jashtëzakonshëm të sa e sa murgeshave, që e kalojnë jetën në shërbim të bashkësive amazonike.

Është Eukaristia, që e bën Kishën; kremtimi eukaristik është zemra, burimi dhe themeli i jetës së bashkësisë së krishterë. Por, me krijimtarinë e Shpirtit Shenjt, aty ku meshtari nuk mund të jetë i pranishëm, mund të mendohen – u tha në Sinod - shërbime të reja, që përkojnë me nevojat e popujve të Amazonës përsa i përket predikimit të Fjalës së Zotit, udhëheqjes së bashkësive, shoqërimit të besimtarëve në Sakramentet e pagëzimit, të martesës dhe të vojimit të të sëmurëve, si edhe kremtimit të funeraleve. Shtigje të reja që, para së gjithash, duhet të përfshijnë indigjenët si veprimtarë baritorë, si diakonë të përhershëm dhe si mbarështues të rinj të pashuguruar, të aftë t’i njohin dhuratat, që Zoti u ka bërë anëtarëve të bashkësive autoktone. Sinodi është në udhëtim e sipër.

11 tetor 2019, 14:29