Luis Ladaria – Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Luis Ladaria – Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. 

Sinodi, Ladaria: misionariteti është themelor për Kishën

Inkulturim do të thotë ta përshtatësh mesazhin e Kishës, që është gjithnjë i njëjtë kudo, në kulturat e popujve të ndryshëm. Flet për këtë, prefekti i Kongregatës të Doktrinës së Fesë, kardinali Francisco Luis Ladaria Ferrer. Inkulturimi është një nga temat në qendër të vëmendjes në Sinodin kushtuar Amazonës, që vijon në Vatikan.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Francisco Luis Ladaria Ferrer, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, shpjegon si duhen kuptuar shërbesat e reja, për të cilat po diskutohet në Sinodin kushtuar Amazonës. Kryetari i Komisionit teologjik ndërkombëtar dhe atë sinodal, i përgjigjet kështu pyetjes sonë:

“Në trojet e pafundme amazonike,  ku ka pak meshtarë, duhen zhvilluar forma të reja shërbese, sipas nevojave të çastit. Ky është kuptimi. Duhet punuar që në Kishtë të rritet diçka, që është që tani e pranishme, që ekziston në këto troje, por që mund e duhet zhvilluar më mirë, për të dobinë baritore të të gjithë bashkësisë”.

Mendoni për ndonjë shërbesë të posaçme?

“Po, për shembull, për  shërbesën e katekizmit, që u kujtua shprehimisht. E pastaj edhe për shërbesën e lektoratit, shërbesa laikale këto. Sinodi nuk merr vendime, por janë çështje, që mund të vlerësohen e që Ati i Shenjtë ka mundësi edhe t’i marrë parasysh”.

Një nga temat, që po diskutohet në rrethet e vogla, është edhe ajo e inkulturimit  të teologjisë dhe të liturgjisë. Sipas jush, si mund të realizohet kjo në Amazonë?

“Nuk kam qenë kurrë në Amazonë e prandaj edhe nuk e njoh realitetin konkret. Inkulturimi është dëshirë, por jo problem i veçantë vetëm në këtë rajon. Në thelb, është dëshira që mesazhi i Kishës, kudo i njëjtë, të shprehet në mënyrë të përshtatshme për kulturat e popujve. Nuk u takon atyre, që nuk jetojnë në Amazonë, t’i përgjigjen pyetjes. Ne mund të kujtojmë vetëm parimet themelore: duhet të jetë inkulturim, që ka mirë parasysh përmbajtjen dhe traditën e fesë”.

Një nga propozimet e shumë etërve sinodalë, ishte të përmirësohet mësimdhënia në seminare, në mënyrë që në zemër të meshtarëve të ardhshëm të mund të lulëzojë më gjallërisht dëshira misionare. Mendoni se është e mundur?

“Është gjithnjë e mundur. Të mendosh se meshtarët  duhet të kenë një shpirt  misionar, më duket parim themelor. Kjo është e qartë”.

Sinodi vuri theksin  edhe mbi plaçkitjen e pasurive natyrore amazonike si dhe  agresionin, që pësoi e pëson kjo tokë e shkretuar nga pangopësia e nga lakmia. Si mund t’i ndihmojë Kisha popujt indigjenë në mbrojtjen e  biomës së tyre?

“Sigurisht përmes veprimtarisë kolektive të mbarë Kishës, me deklaratat e duhura të episkopateve vendase. Por edhe me investime etike e jo të drejtpërdrejta,  për sipërmarrjet,  që i shfrytëzojnë territoret”.

20 tetor 2019, 12:00