Kërko

 Kongregacioni i përgjithshëm Kongregacioni i përgjithshëm 

#SinodoAmazonico. Paraqitet boca e dokumentit përfundimtar të Asamblesë

Sot, në praninë e Papës Françesku, u mbajt Kongregacioni i 14-të i përgjithshëm i Sinodit për Rajonin Panamazonik, që vijon në Vatikan deri më 27 tetor, gjatë të cilit u paraqit Boca e dokumentit përfundimtar të Asamblesë së posaçme për rajonin panamazonik

Sot, në praninë e Papës Françesku, u mbajt Kongregacioni i 14-të i përgjithshëm i Sinodit për Rajonin Panamazonik, që vijon në Vatikan deri më 27 tetor. Të 184  Etërit Sinodalë, të pranishëm në Sallë, u njohën me Bocën e dokumentit përfundimtar të Asamblesë së posaçme për rajonin panamazonik, paraqitur në sallën e Sinodit nga kardinali Claudio Hummes, kryeipeshkëv nderi i Sào Paolo dhe kryetar  i Rrjetit kishtar për rajonin (Repam). Teksti, përmbledhje e fryteve të paraqitura gjatë punimeve, do t’u kalojë tani rretheve të vogla për përpunim.

Programi i ditëve të ardhshme

Këto emendamente - të mërkurën dhe të enjten - do të radhiten në dokumentin përfundimtar nga Relatori i përgjithshëm dhe Sekretarët e posaçëm, me ndihmën e specialistëve. Më pas teksti do të rishikohet nga Komisioni për redaktimin, për t’u lexuar pastaj në sallë të premten pasdite. Së fundi, të shtunën pasdite  Kongregacioni i përgjithshëm do të votojë Dokumentin përfundimtar.

Homelia e Imzot Cabrejos Vidarte

 Kongregacioni i sotëm, si zakonisht, u hap  me lutjen e Orës së Tretë. Homelinë e mbajti imzot Miguel Cabrejos Vidarte, kryipeshkëv i Trujillos dhe kryetar i Celamit, që i nxiti të pranishmit të ndjekin shembullin e Shën Françeskut dhe të Këngës së Krijesave. “Për Françeskun - kujtoi prelati - bukuria nuk është thjesht çështje estetike. Është çështje dashurie, vëllazërimi me çdo kusht, hiri me çdo kusht. Shenjti i Assisit  - vijoi akoma predikatari -  i  rrok të gjitha krijesat me një dashuri e devocion të paparë e u flet për Zotin, duke i nxitur ta lavdërojnë. Në këtë kuptim Shën Françesku mbetet shpikës i dashurisë së pakufishme për natyrën”.  

Zoti, Atë i të gjithë krijesave, i të gjitha sendeve

“Janë krijesat - siç pohon Françesku në ‘Këngën e Krijesave’- ata që ndërmjetësojnë për ta çuar lavdërimin tek Zoti. Ata e mbushin zbraztësinë e njeriut, shkaktuar nga mëkati, me një zë të denjë për ta lavdëruar Krijuesin. Shën Françesku zbulon në Zotin  vendin e Krijimit  - përfundoi prelati -  dhe  e rikthen Krijimin tek Zoti, sepse në Të shikon jo vetëm Atin e të gjithë njerëzve, por edhe Atin e të gjitha sendeve”.

Punimet  e paradites së sotme u mbyllën me fjalën e  të dërguarit të posaçëm, që  preku kryesisht temën e ndryshimeve klimaterike.

 

21 tetor 2019, 14:13