Kërko

Vatican News
 Sinodi i Ipeshkvijve kushtuar Amazonës Sinodi i Ipeshkvijve kushtuar Amazonës  (Vatican Media)

Papa në mbyllje të Sinodit: zemra është diagnoza baritore, kulturore, ekologjike e shoqërore

Papa Françesku i mbylli punimet e Sinodit për Amazonën duke u kërkuar meshtarëve më shumë “zell apostolik”, për ta mbështetur baritorinë në rajon. Njoftoi edhe se do të takohet përsëri me anëtarët e rinj të Komisionit, për të biseduar me ta lidhur me diakonatin femëror, duke shpresuar se do t’i botojë përfundimet “ brenda vitit”.

“Do të ishte hir që rregulltarët e rinj  të shkonin për një vit në rajonet kufitare e që priftërinjtë e rinj, të cilët formohen për shërbim diplomatik, të kalonin të paktën një vit në tokat e misionit, pa e bërë stazhin në nunciaturë, siç bëhet tani, por në shërbim të ipeshkvit”. “E do ta mbledh përsëri Komisionin e studimit lidhur me diakonatin femëror, për të vijuar me anëtarët e tij, thellimin mbi këtë diakonat, duke studiuar si ishte diakonati i përhershëm në Kishën e të krishterëve të parë”. Propozim, ky, e edhe vendim, që Papa e komunikoi gjatë fjalimit, mbajtur në gjuhën spanjolle, pa tekst të përgatitur, me të cilin mbylli punimet në Sallën e Sinodit të posaçëm për rajonin Panamazonik,

Sinodi i ardhshëm mund t’i kushtohet sinodalitetit

Papa njoftoi edhe se do të dëshironte ta publikonte “para fundit të vitit, në mënyrë që të mos kalojë shumë kohë”, Nxitjen pas sinodale. Gjithçka varet - shpjegoi - nga koha që do të kem për të menduar”. E tema, që e zgjodhëm me shumicë votash për Sinodoin e ardhshëm - kujtoi - është ajo e Sinodalitetit. Unë po  reflektoj e po mendoj mbi këtë temë! Sigurisht mund të them se kemi  ecur shumë, por duhet të ecim edhe më shumë në udhën e sinodalitetit. Sepse të shqyrtosh, do të thotë të dëgjosh, ta shkrish traditën e pasur të Kishës me çastet  e bashkimit.

Papa foli edhe për dimensionin shoqëror, duke iu kundërvënë plotësisht  shkatërrimit të identitetit kulturor. Kujtoi, më pas, përmasën baritore, që duhet t’ua hapë indigjenëve udhën meshtarake. Shprehu mendimin se meshtarët “fidei donum” nuk duhet të dashurohen me “botën e parë”; u ndalua fort tek roli i gruas në Kishë, që shkon përtej funksionit të saj. Propozoi, në vijim, që Vendet amazonike të kenë konferenca të vogla ipeshkvnore, të cilat bëjnë pjesë në atë kombëtare, por duke punuar veçmas. Nuk duhet pasur frikë për këtë - theksoi më pas - duke porositur se duhet të ruhet riti i posaçëm amazonik. Mjetet e komunikimit  i siguroi se askush nuk doli i humbur nga ky takim i madh, të gjithë fituan. Ndoshta me ndonjë përjashtim, atë të elitës katolike “ që shikon vogëlsitë e harron  punët e mëdha”.

Pesë kapituj, një hyrje dhe një përfundim i shkurtër

Pesë kapituj, një hyrje dhe një përfundim i shkurtër - kështu shtjellohet Dokumenti përfundimtar i Asamblesë së posaçme për Rajonin Panamazonik, i cili u bë i njohur më 26 tetor, me dëshirën e shprehur nga vetë Papa. Ndërmjet temave, që merren në shqyrtim, janë misioni, inkulturimi, ekologjia integrale, mbrojtja e popujve indigjenë, riti amazonik, roli i gruas dhe shërbesat e reja, posaçërisht në zona, ku është e vështirë të arrijë Eukaristia.

Kthesë:  ky është filli i kuq  i Dokumentit përfundimtar të Sinodit amazonik. Një kthesë e gjithanshme, baritore, kulturore, ekologjike, sinodale. Teksti është rezultat i shkëmbimit të hapur, të lirë, respektues, zhvilluar gjatë tri javëve të punimeve të Sinodit, për të treguar sfidat e edhe mundësitë e Amazonës, zemër e botës, e shtrirë në nëntë vende, e banuar nga 33 milionë njerëz, nga të cilët 2.5 milionë indigjenë. E pra ky rajon, zona e dytë më e ligshtë në botë, për shkak të ndryshimeve klimaterike, shkaktuar nga njeriu, po vrapon ethshëm drejt vdekjes,  e kjo kërkon urgjentisht - pohon Dokumenti - një drejtim të  ri, që krijon kushtet për ta shpëtuar e për t’i dhënë fund, me të, edhe ndikimit katastrofik mbi gjithë planetin.

Kapitulli I – Kthesë e gjithanshme

Dokumenti nxit, që në fillim, për “kthesë të vërtetë e të gjithanshme”, sipas stilit të Shën Françeskut të Asizit, me impenjim të lidhur harmonikisht me “shtëpinë e përbashkët”, vepër krijuese e Zotit.

Dhimbjet e Amazonës, britma e tokës e britma e të varfërve

Në Dokumentin përfundimtar flitet për vuajtjet e Amazonës, britmën e tokës e britmën e të varfërve. Teksti  nuk hesht as kur është fjala për të kujtuar dhimbjet e dhunën, që e plagosin dhe e shpërfytyrojnë edhe sot Amazonën, duke i kërcënuar jetën. Flet haptazi për privatizimin e pasurive natyrore, modelet prodhuese grabitqare; shpyllëzimin që po e zhvesh 17% të mbarë rajonit, ndotjen nga ana e industrive nxjerrëse, trafikun e drogës, alkoolizmin, trafikun e njerëzve, kriminalizimin e liderëve dhe  mbojtësve të trojeve, grupet e armatosura ilegale. E hidhur shumë, pastaj, faqja kushtuar migrimit që, në Amazonë, zhvillohet në tre nivele: lëvizje grupesh indigjene, migrim tradicional; zhvendosje e detyruar popullsish indigjene, migrim ndërkombëtar, e refugjatë. Për gjithë këto grupe duhet një baritori jashtë kufijve, në mbrojtje të qarkullimit të lirë.

Kapitulli II titullohet: Kthesë baritore

Në qendër të vëmendjes, kujtimi i natyrës misionare të Kishës! Misioni nuk është diçka fakultative - kujton teksti - sepse Kisha është mision, e aksioni misionar, paradigma e gjithë veprës së Kishës. Në Amazonë ajo duhet të jetë “samaritane", domethënë,  të lindë bij me fe të inkulturuar.

Në këtë kapitull i kushtohet vëmendje e madhe edhe flijimit të misionarëve martirë, dialogut ekumenik e ndërfetar, baritorisë urbane e familjeve.

Kapitulli III: kthesë kulturore

Inkulturimi dhe ndërkulturiteti janë mjete të rëndësishme - vijon dokumenti - për të realizuar kthesën kulturore, që e shtyn të krishterin të shkojë tek tjetri, për të mësuar prej tij. Popujt amazonikë, me parfumet e tyre të lashta, që i kundërvihen dëshpërimit, i cili ndjehet fort në Kontinent, ofrojnë mësime plot vlerë për jetën, Kisha angazhohet të jetë aleate e popullsive indigjene - pohohet në tekst -  posaçërisht për të denoncuar sulmet kundër jetës së tyre, projektet plaçkitëse të zhvillimit, etnocidet dhe ekocidet  si dhe kriminalizimin e lëvizjeve shoqërore.

Flet, më pas, për mbrojtjen e tokës dhe mbrojtjen e jetës, për teologjinë dhe përshpirtërinë popullore të indigjenëve si dhe për krijimin e një Rrejti komunikimi kishtar panamazonik.

Kapitulli IV - Kthesë ekologjike

Përballë “krizës së pashembullt shoqëroro-ambientale, Sinodi dëshiron një Kishë amazonike të aftë për të promovuar ekologjinë e gjithanshme si dhe kthesën ekologjike. Ekologjia e gjithanshme është e vetmja rrugë, që mund t’i shërojë  plagët e shkaktuara nga njeriu në territor, përmes modeleve të drejta e solidare të zhvillimit. Më pas kërkohet mbrojtja e të drejtave njerëzore, parë si detyrë politike, por edhe, e sidomos, si kërkesë e fesë. E në këtë përpjekje Kisha është e do të jetë aleate e bashkësisë amazonike, sidomos, në mbrojtje të jetës.  Propozohet që  shpërdorimi i natyrës të shikohet si “mëkat ekologjik” dhe kërkohet e drejta e ujit të pijshëm për të gjithë.

Kapitulli V: Kthesa të reja sinodale

Në Kapitullin V kërkohet t’i jepet fund klerikalizmit, të fuqizohet kultura e dialogut, e dëgjimit, e shqyrtimit shpirtëror, t’u jepet përgjigje sfidave baritore, të  fuqizohet pjesëmarrja e laikatit, burra e gra, që duhen parë si “aktorë të privilegjuar”. Ipeshkvi mund t’ua besojë, me një mandat të përkohshëm e në mungesë të meshtarëve, ushtrimin e kujdesit baritor edhe laikëve, anëtarë të bashkësisë, por duke punuar gjithnjë për fuqizimin e thirrjeve vendase e duke  i kushtuar kujdes të posaçëm inkulturalitetit, inkulturimit dhe dialogut ndërmjet përshpirtërisë dhe kozmovizioneve amazonike.

Ora e gruas

Vend të rëndësishëm në dokument zë prania e orës së gruas. Sinodi kërkon të dëgjohet me kujdes zëri i gruas, duke i hapur udhën pjesëmarrjes së saj në udhëheqje të Kishës. Njihet edhe “ministerialiteti”, që vetë Jezusi ia besoi gruas dhe urohet të rishikohet “Motu Proprio Ministeria quaedam” e Shën Palit VI, në mënyrë që gratë e fomuara e të përgatitura të mund të marrin, ndërmjet tjerash,  shërbesën e lektoratit e të akolitatit. Kërkohet edhe krijimi i “shërbesës drejtuese të gruas në bashkësi”. Sinodi kujton se në këshillimet e shumta në Amazonë,  u kërkua “diakonati i përhershëm për gratë”, temë shumë e pranishme gjatë punimeve në Vatikan. Kujtohen, më tej, hollësisht, detyrat e diakonëve të përhershëm, me theks të fortë mbi formimin e tyre, duke nisur nga studimet akademike e praktika baritore, në të cilën duhet të marrin pjesë edhe gruaja e fëmijët e kandidatit. Një vëmendje e posaçme i kushtohet formimit të meshtarëve, që duhet inkulturuar e, sidomos, pjesëmarrjes në Eukaristi e në shugurimet meshtarake. Theksohet me forcë se Eukaristia është themelore, duke pasur parasysh se bashkësitë kishtare amazonike hasin shumë vështirësi në këtë drejtim. Mund të kalojnë muaj, para se të duket meshtari në bashkësi.

Celibati

Duke e vlerësuar çelibatin si dhuratë e Zotit, që i krijon meshtarit mundësinë t’i kushtohet plotësisht shërbimit të bashkësisë, përsëritet lutja që të ketë  shumë thirrje, të cilat jetojnë celibatin. Por, duke pasur parasysh shtrirjen e territorit amazonik dhe mungesën e meshtarve të shuguruar, Dokumenti përfundimtar propozon “të vendosen kritere nga ana e autoriteteve kompetente, për të shuguruar meshtarë burra të përshtatshëm e të mirënjohur nga bashkësia, që të kenë diakonat të frytshëm e të marrin formimin e duhur për presbiterat, për të mbështetur jetën e bashkësisë së krishterë përmes predikimit të Fjalës së Zotit dhe kremtimit të Sakramenteve”.

Në Dokumentin përfundimtar kujtohet edhe organizimi kishtar rajonal pas-sinodal, Universiteti Amazonik si dhe riti amazonik, duke theksuar se  Kisha në Amazonë duhet të krijojë një komision për ta studiuar e për ta përpunuar ritin amzonik.

Në përfundim të Dokumentit, kërkohet mbrojtja e Virgjërës Mari, Nënë e Amazonës, e nderuar me tituj të ndryshëm në të gjithë këtë Rajon të gjelbër, pa fund.

27 tetor 2019, 09:54