Kërko

LEV në Panairin e Librit në Frankfurt LEV në Panairin e Librit në Frankfurt 

Shtëpia Botuese e Vatikanit në panairin e librit në Frankfurt

LEV, Shtëpia Botuese e Vatikanit, e pranishme në Panairin Ndërkombëtar të Librit, në Frankfurt, me një stand të përbashkët me Edicionet e Muzeve të Vatikanit. Ndër librat, që janë prodhuar duke respektuar ambientin, kolana “Shkëmbimi i dhuratave”, me tekste e fjalime të Papës Françesku.

R.SH. - Vatikan

Frankfurt Buchmesse, Panairi Ndërkombëtar i Librit në Frankfurt të Gjermanisë, është një nga çastet më të pritura nga Shtëpitë Botuese dhe nga lexuesit e gjithë botës. Edhe këtë vit, në të merr pjesë Shtëpia Botuese e Vatikanit, e cila ka një qoshk të përbashkët me Edicionet e Muzeve të Vatikanit. Panairi filloi dje e do të vazhdojë deri më 20 tetor.

Seria “Shkëmbimi i dhuratave”

         Ndër risitë më të rëndësishme, që Shtëpia Botuese e Vatikanit, pjesë e Dikasterit për Komunikimin, paraqet sivjet është edhe seria “Shkëmbimi i dhuratave” me karakter ekumenik. Librat, që bëjnë pjesë në të, përmbledhin tekste e fjalime të Papës Françesku, kanë një shkrim të pabotuar më parë dhe paraqiten në hyrje nga një përfaqësues i vëllezërve e i motrave të Kishave e të bashkësive kishtare, aktualisht të ndara nga Kisha Katolike, por në udhën e bashkimit të plotë me të.

“Nëna jonë Tokë” dhe “Lutja”

         Kjo kolanë u paraqit në Frankfurt nga Francesca Angeletti, e zyrës së të drejtave të autorit në Shtëpinë Botuese të Vatikanit dhe, nga Alessandro Gisotti, zv.drejtor editorial i Dikasterit për Komunikimin. Dy librat e parë, në librari nga data 24 tetor, quhen: “Nëna jonë Tokë”, me parathënie të Patriarkut të Kostandinopojës, Bartolomeu I dhe “Lutja”, me parathënie të Patriarkut të Moskës, Kirill.

         “Me serinë ‘Shkëmbimi i dhuratave’ - thekson Alessandro Gisotti – LEV i përgjigjet ftesës së Papës Françesku për t’u impenjuar me bindje dhe krijimtari në dialogun ekumenik. Besojmë se kultura mund të jetë hapësirë e privilegjuar për të ecur së bashku me vëllezërit e Kishave dhe të bashkësive të tjera kishtare drejt rivendosjes së unitetit të plotë ndërmjet të krishterëve. Dy librat e parë të serisë dëshmojnë edhe se ekumenizmi mund të nxisë reflektimin dhe veprimtarinë e përbashkët të të krishterëve për tema themelore në jetën e njeriut”.

Libra të prodhuar duke respektuar ambientin

         Përveç vlerës së fuqishme ekumenike, “Shkëmbimi i dhuratave” përbëhet nga libra të prodhuar duke respektuar ambientin. Vëllimet janë pajisur me certifikatën ndërkombëtare të FSC (Forest Stewardship Council - Këshilli i Administrimit të Pyjeve), që garanton përdorimin korrekt dhe të qëndrueshëm të pyjeve, si edhe gjurmueshmërinë e produkteve derivate. Frati Giulio Cesareo, përgjegjës editorial i LEV-it, nënvizon: “Pamja e vëllimeve është qëllimisht e thjeshtë e megjithatë, rezultat i një mjeshtërie të shkëlqyer. Kemi përdorur vetëm lëndë të para (letër) të ardhura nga pyjet e administruara në mënyrë të qëndrueshme dhe të përgjegjshme”.

17 tetor 2019, 15:45