Besimtarë hinduistë në lutje Besimtarë hinduistë në lutje 

Selia e Shenjtë hinduistëve: ta krijojmë së bashku vëllazërimin!

Si çdo vit, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar dërgoi një mesazh me rastin e Deepavalit, një nga festat më të mëdha hinduiste.

R. SH. - Vatikan

“Është nevojë, që e ndjejnë të gjithë njerëzit, e posaçërisht të krishterët dhe hinduistët, përpjekja për të qenë krijues të vëllazërimit e të bashkëjetesës paqësore, kudo ndodhen!”. Ka tonin e thirrjes urgjente, mesazhi i nënshkruar nga Kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot.

U drejtohet të gjithë hinduistëve të botës që, më 27 tetor, do të kremtojnë Deepavali-n, një nga festat indiane më të lashta e më domethënëse, që simbolizon fitoren e  së mirës mbi të keqen:

“Prandaj të jetosh me frymë vëllazërimi e miqësie, përmes një dialogu të vazhdueshëm, është pasojë e natyrshme për çdo njeri që beson, hinduist a i krishterë qoftë”.

Një botë e ngarkuar me kundërshti  

“Njëherësh me zhvillimim e paparë, në një mori fushash - lexohet në mesazh - jetojmë në një epokë, në të cilën nga njëra anë bëhen përpjekje për dialogun  ndërfetar e ndërkulturor, për bashkëpunimin e solidarietin vëllazëror – ndërsa nga ana tjetër është e pranishme apatia, indiferenca e deri urrejtja ndërmjete njerëzve që besojnë - kundër të tjerëve, që gjithashtu janë besimtarë. E kjo ndodh shpesh sepse nuk e njohin tjetrin e nuk e pranojnë si vëlla e motër.

Mënyrë, për t’u orientuar

Letër turnësoli dhe frymëzim për të parë në tjetrin një vëlla,  që duhet ndihmuar e duhet dashur - është Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor për Paqen Botërore e Bashkëjetesën, nënshkruar nga Papa Françesku dhe Shehu Ahmaed el-Tayeb, Imam i madh i Al-Azhar, në Abu Dabi, më 4 shkurtin e kaluar. Ashtu si dhe fjalët e Gjon Palit II, në Meszhin për kremtimet e Ditës Botërore të Paqes 1992, në të cilin Shenjti i ardhshëm theksonte se është vetë natyra e fesë ajo “që e  favorizon përherë lidhjen gjithnjë më solidare ndërmjet njerëzve”.

Një det me mirësi

Ndërmjet sfidave të kohës sonë, është edhe përhapja e farëve të vëllazërimit, në emër të një deti me të mira, që vijon të rritet, edhe pse ende i padukshëm:

“Ndonëse në titujt e gazetave sundojnë lajmet negative, ne jemi të vendosur të përhapim kudo farët e vëllazërimit, sepse është një det i tërë mirësie, që rritet e që ngjall shpresat për ndërtimin, së bashku me ndjekësit e feve të tjera e me të gjithë njerëzit vullnetmirë, të një bote me solidaritet e paqe”.

Prej këndej, ftesa për thellimin e impenjimit lidhur me forcimin e vëllazërimit e   bashkëjtesën paqësore, duke pasur për zemër “ të mirën e të gjithëve”.

Ura paqeje  

Në Mesazhin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, e pranishme edhe ftesa për të ndjekur shembullin e Mahatma Gandit, në 150 vjetorin e lindjes si dhe citimi i fjalëve të Gjon Palit II për këtë “dëshmitar të jashtëzakonshëm e guximtar të së vërtetës, dashurisë e mospranimit të dhunës”.

Dokumenti përfundon me ftesën kolektive:

“Mund t’i shtrëngojmë duart me ato të njerëzve të traditave të ndryshme fetare  e me të gjithë njerëzit vullnetmirë e të përpiqemi të bëjmë ç’është e mundur  - me ndjenjë të lartë e të përbashkët përgjegjësie - për të ndërtuar një shoqëri më vëllazërore e më paqësore!”.  

 

21 tetor 2019, 16:12