WhatsApp-Image-2019-10-02-at-13.31.13okAEM.jpg

Ruffini në Tiranë: të komunikosh do të thotë të hedhësh farën e paqes, të dëshmosh fenë

U mbajt sot në Tiranë, konferenca e organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), me temë “Radiot fetare në gjuhën shqipe”. Të pranishëm për Radio Vatikanin, prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini dhe don David Gjugja, kryeredaktori i programit shqip, në 68-vjetorin e themelimit të këtij seksioni.

R.SH. - Vatikan

Në praninë e përfaqësuesve të bashkësive të ndryshme fetare në Shqipëri, si edhe të ministres së Kulturës, znj. Elva Margariti, u mbajt në Tiranë, konferenca me temë “Radiot fetare në gjuhën shqipe”. I takoi prefektit të Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini, të hapë punimet, duke përshkuar shkurtimisht historinë dhe rolin e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit, kryeredaktori i së cilës, don David Gjugja, ndodhej gjithashtu në kryeqytetin e Shqipërisë për të marrë pjesë në konferencë. Ruffini nënvizoi që në fillim se programi shqip feston nesër, më 3 tetor, 68-vjetorin e themelimit, në vitin e largët 1951, në kohën e totalitarizmit komunist, që kishte nisur persekutimin e klerit, të besimtarëve katolikë e të atyre të çdo feje tjetër. Falë mikrofonit të Radio Vatikanit, theksoi prefekti, në vend mbërriti “dashuria dhe kujdesi i Papës dhe i Selisë së Shenjtë”.

Historia e popullit shqiptar në mikrofon

“Që atëherë, - u tha shqiptarëve Paolo Ruffini - ne flasim edhe gjuhën tuaj, e cila është, pra, edhe gjuha jonë. Që atëherë, dy Papë e kanë vizituar tokën e shqiponjave. Shën Gjon Pali II, më 25 prill 1993. Ati i Shenjtë Papa Françesku, më 21 shtator 2014. Që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar. Populli shqiptar vuajti shumë. U persekutua, u martirizua, por, me ndihmën e Zotit, rezistoi, luftoi betejën e mirë, i mbeti besnik identitetit, rrënjëve dhe fesë së vet. Edhe bota e komunikimeve ka ndryshuar shumë. Por radioja e ruan të pandryshuar forcën e saj”.

         “Zëri i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe e shoqëroi udhën e bashkatdhetarëve tuaj gjatë kalvarit të diktaturës komuniste. Mbrojti dinjitetin e njeriut nga çdo formë abuzimi.Tregoi historinë e kombit tuaj, duke filluar nga ajo e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, “Athleta Christi”. I bëri të njohura vlerat, nënvizoi ndryshimet themelore e sinjalizoi ngjarjet më të rëndësishme, deri në agimin e lirisë e të demokracisë”, theksoi Ruffini.

Kuptimi i vërtetë i radiove fetare

         Më pas, prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin u ndal në kuptimin e radiove fetare në kohën e sotme, kur njeriu është akoma në kërkim të Zotit, pavarësisht se nganjëherë nuk duket kështu. Ai nënvizoi si duhen përdorur fjalët në një medium fetar, në mënyrë që komunikimi të jetë bashkim, të krijojë – “përmes fjalëve, kujtesës, tregimit – identitet dhe dialog, identifikim, ndjenjë përkatësie e, vullnet për takim, bashkëndarje, bashkim; afërsi, në kundërshtim me kulturën e largësisë, të kundërvënies. Do të thotë të hedhësh farën e paqes, duke dëshmuar fenë”. E Ruffini nuk harroi të përmendë traditën e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, e cila përkon fare mirë me Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi. Traditë për t’u pasqyruar në të gjitha mediat fetare.

Fjalët të fluturojnë lart

Në përfundim, duke cituar fjalët e Papës gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri në vitin 2014, sidomos shëmbëlltyrën e shqiponjës që fluturon lart, por pastaj, kthehet në fole, prefekti i Dikasterit për Komunikimin deshi të bashkojë simbolikisht punën e gazetarëve shqiptarë të Radio Vatikanit në Romë me shërbimin e tyre për atdheun, i cili ka nevojë që feja të inkulturohet në ambientin shqiptar: “Ndoshta - tha ai - mund ta përdorim këtë metaforë edhe për fjalët, që radioja i bën të fluturojnë e të arrijnë në çdo shtëpi; fjalë, që flasin një gjuhë të caktuar, tregojnë një histori e një fe e, pastaj, kthehen përsëri në fole”.

Pak histori

         Siç shpjegon në njoftimin e tij për shtyp Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), “për herë të parë, transmetimet me përmbajtje fetare si dhe zyrtare nga publiku shqiptar janë ndjekur prej 3 tetorit të vitit 1951, me fillimin nga puna të seksionit shqip të Radio Vatikanit. Megjithëse aktiviteti fetar dhe liria e ushtrimit të besimit kanë qenë të ndaluara në Shqipërinë komuniste, sërish ka pasur shumë dëgjues të Radio Vatikanit, që ndiqnin fshehurazi programet e saj.

Pas miratimit të ligjit për mediat audiovizive, në vitin 2013, AMA ka miratuar akte nënligjore, që kanë bërë të mundur qartësimin e procedurave të licencimit të tyre, duke e konsoliduar këtë pjesë të tregut audioviziv, në shërbim të komuniteteve fetare dhe ndjekësve të transmetimeve të tyre. Aktualisht veprojnë katër subjekte, Radio Spektrum e komunitetit Musliman, Radio Maria e besimit Katolik, Radio Ngjallja e Kishës Ortodokse dhe Radio Dodona e Kryegjyshatës Bektashiane”, të cilat, natyrisht, ishin të pranishme në konferencë me përfaqësuesit e tyre.

02 tetor 2019, 14:33