Kardinali Lorenzo Baldisseri mban relacionin në Sinod Kardinali Lorenzo Baldisseri mban relacionin në Sinod 

Baldisseri në Sinod: të udhëhequr nga Shpirti Shenjt, drejt udhëve të reja

Sinod me “ndikim negativ zero” mbi ambientin: ky ishte propozimi i sekretarit të përgjithshëm të Sinodit, kardinalit Lorenzo Baldisseri, në fillim të punimeve të Asamblesë së veçantë të Ipeshkvijve kushtuar Amazonës. Pyllëzimi i 50 hektarëve në Amazonë duhet të kompensojë ndikimin mbi ambientin të këtij kuvendimi në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

“Nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, të kërkojmë rrugë të reja”: kështu e përcaktoi kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, synimin e Asamblesë së veçantë për Rajonin Panamazonik, në relacionin e tij të sotëm, në seancën përuruese.

Karakteristikat e veçanta të Sinodit

Prelati shpjegoi objektivin e dyfishtë të asamblesë: “Nga njëra anë, Sinodi përbën një sfidë të vërtetë për Kishën, pasi Amazona është vend misioni me karakteristikat e veta, që kërkojnë propozime të përshtatshme për inkulturimin e Ungjillit. Nga ana tjetër, asambleja sinodale duhet të përballet me çështjen e ambientit, duke iu përgjigjur me një ekologji të gjithanshme”, siç thuhet edhe në temën e këtij sinodi: “Amazona: shtigje të reja për Kishën dhe për një ekologji të gjithanshme”.

Sinod me ndikim negativ “zero”

Një Sinod me ndikim negativ “zero” mbi ambientin. Edhe ky aspekt nuk u harrua nga Sekretari i përgjithshëm i Sinodit, i cili dha idenë që të kompensohen emetimet e krijuara nga konsumi i energjisë, i ujit, i përgatitjeve të ndryshme dhe i lëvizjes së pjesëmarrësve – që nga prodhimi i mbeturinave e deri tek materialet promovuese - me ripyllëzimin e 50 hektarëve në Amazonë. Kjo do të thotë që duhet të blihen letra me vlerë për pyllëzimin, për një shumë prej rreth 10 mijë eurosh. Një gjest i vogël, por konkret, në vazhdën e “praktikave të mira”, që kërkohen në enciklikën “Lëvduar qofsh” të Papës Françesku.

Përbërja e pjesëmarrësve

Pasi falenderoi Atin e Shenjtë, që i nxiti ipeshkvijtë të reflektojnë për një “argument me rëndësi kaq të jashtëzakonshme për Kishën”, kardinali Baldisseri vuri në dukje karakteristikat e veçanta të punimeve, ku marrin pjesë 185 etër sinodalë, prej të cilëve, 113 nga rajonet panamazonike. Tipar ky, që i detyrohet karakterit “të veçantë” të kuvendit, i cili, pavarësisht se është ngjarje e gjithë Kishës universale, ka të bëjë me një zonë të caktuar të planetit.

Përgatitja e Sinodit

Sinodi që hapet sot, kujtoi Sekretari i përgjithshëm, është fryt i një rrugëtimi të gjatë. Filloi në Puerto Maldonado të Perusë, ku më 19 janar 2018, Bergoglio u takua me përfaqësuesit e indigjenëve dhe, vazhdoi me krijimin e Këshillit të veçantë, me hartimin e Dokumentit Përgatitor dhe me pyetësorin, që qarkulloi gjerësisht në Amazonë. Në bashkëpunim me Rrjetin Kishtar Panamazonik (Repam), janë realizuar 260 takime, 70 asamble territoriale, 25 forume tematike dhe 170 veprimtari të tjera, në të cilat u përfshinë rreth 87.000 njerëz. Pastaj takimet e Romës dhe të Uashingtonit e, së fundi, përgatitja e Instrumentum Laboris.

Si do të vijojnë punimet

Më tej, kardinali Baldisseri shpjegoi si do të vazhdojë reflektimi sinodal në tri kongregacionet e ardhshme të përgjithshme. Pas fjalimit të relatorit të përgjithshëm, kardinalit Hummes, vijnë ndërhyrjet e etërve sinodalë, që do të jenë të shkurtra në Kongregacionet e përgjithshme, por më të thelluara në Rrethet e vogla të planifikuara nga e mërkura deri të premten. Nga e shtuna deri në ditën e mërkurë të javës së ardhshme, janë parashikuar pesë kongregacione të tjera të përgjithshme, pastaj dy ditë punime në Rrethet e vogla, deri të enjten 17 tetor, kur çdo grup do të raportojë në asamble për punën e vet. Projekti i parë i dokumentit përfundimtar do të paraqitet të hënën, 21 tetor, për t’u ndryshuar më tej deri në paraqitjen përfundimtare të premten në vijim. Së fundi, votimi i tij, më 26 tetor dhe krijimi i Këshillit pas-sinodal.

07 tetor 2019, 15:20