Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini 

Radio Vatikani në konferencën mbi mediat fetare në Tiranë. Fjalimi i prefektit

"Zëri i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe e shoqëroi udhën e bashkatdhetarëve tuaj gjatë kalvarit të diktaturës komuniste. Mbrojti dinjitetin e njeriut nga çdo formë abuzimi": kështu tha sot, prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini, në konferencën “Radiot fetare në gjuhën shqipe”, organizuar në Tiranë nga AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive).

Radio Vatikani – Vatican News, i përfaqësuar nga prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini dhe nga përgjegjësi i seksionit të gjuhës shqipe, don David Gjugja, ishte sot i ftuari i nderit në konferencën “Radiot fetare në gjuhën shqipe”, organizuar në Tiranë nga AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive). Pas përshëndetjes së autoriteteve, e mori fjalën prefekti Ruffini, i cili kujtoi rolin e seksionit shqip të Radio Vatikanit gjatë persekutimit komunist të katolikëve dhe të gjithë shqiptarëve, por edhe pas ardhjes së demokracise e ringjalljes së fesë. Duke përmendur fjalët e shën Gjon Palit II  dhe të Papës Françesku, gjatë vizitave të tyre në Shqipëri, dr. Ruffini vuri në dukje vlerën e pashoqe të bashkëjetesës paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare në vend dhe komentoi rëndësinë e përdorimit të fjalëve në një media fetare. Por ja fjalimi i tij i plotë:

Para së gjithash, dua t’ju falenderoj.

Jam i lumtur që ndodhem këtu me ju, sot.

Nuk është hera e parë që rrugët tona kryqëzohen: takimi ynë i parë daton para 68 vjetësh.

Ishte 3 tetori 1951, kur redaksia e gjuhës shqipe të Radio Vatikanit filloi transmetimet e saj.

Populli juaj niste atëherë një Udhë Kryqi të gjatë, nën thundrën e totalitarizmit komunist.

Falë don Zef Shestanit, redaksia jonë shqipe u bë ajo, që vijon të jetë edhe sot: shprehje konkrete e dashurisë dhe e kujdesit të Papës e të Selisë së Shenjtë për ju dhe për popullin tuaj.

Që atëherë, ne flasim edhe gjuhën tuaj, e cila është, pra, edhe gjuha jonë.

Që atëherë, dy Papë e kanë vizituar tokën e shqiponjave.

Shën Gjon Pali II, më 25 prill 1993.

Ati i Shenjtë Papa Françesku, më 21 shtator 2014.

Që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar.

Populli shqiptar vuajti shumë. U persekutua, u martirizua, por, me ndihmën e Zotit, rezistoi, luftoi betejën e mirë, i mbeti besnik identitetit, rrënjëve dhe fesë së vet.

Edhe bota e komunikimeve ka ndryshuar shumë.

Por radioja e ruan të pandryshuar forcën e saj.

Aftësinë e saj për të informuar, për të emocionuar, për t’i bërë fjalët e mendimet të fluturojnë lart në një botë, që tepër shesh duket sikur ka hequr dorë nga lartësitë e idealeve të mëdha.

Zëri i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe e shoqëroi udhën e bashkatdhetarëve tuaj gjatë kalvarit të diktaturës komuniste.

Mbrojti dinjitetin e njeriut nga çdo formë abuzimi.

Tregoi historinë e kombit tuaj, duke filluar nga ajo e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, “Athleta Christi”. I bëri të njohura vlerat, nënvizoi ndryshimet themelore e sinjalizoi ngjarjet më të rëndësishme, deri në agimin e lirisë e të demokracisë.

Siç tha Papa Françesku, këtu në Tiranë, në shtator 2014, duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve: “Zoti ju udhëhoqi e ju ngushëlloi dhe, së fundi, ju ngriti mbi krahët e shqiponjës, ashtu siç bëri dikur me popullin e lashtë të Izraelit”.

Pa dyshim, në gjestet dhe në jetën e jashtëzakonshme të Gjergj Kastriotit, shqiptarët gjetën edhe rrugën e bashkimit e të guximit për t’u çliruar nga pushtuesi, busullën që i drejtoi në qasjen me qytetërimin perëndimor dhe me demokracinë.

Sa për ne, udha jonë, filluar 68 vjet më parë, nuk është ndërprerë kurrë dhe sot, vijon përmes një programi radiofonik të përditshëm prej 20 minutash, i cili përhapet edhe nëpërmjet internetit e faqes në Facebook, si edhe ritransmetohet nga Radio Maria, të cilën e falenderoj për këtë.

Ndoshta, mund të pyesnim ç’kuptim ka trajtimi i temave fetare në një shoqëri të shekullarizuar e shumëfetare.

E ç’kuptim ka të bëhet kjo përmes radios në qytetërimin e imazheve.

Kjo e fundit është pyetje, të cilën e bëjmë edhe ne e të gjitha radiot. Në Shqipëri e në gjithë botën.

E, megjithatë, asgjë sa radioja nuk u jep kaq kuptim fjalëve.

Siç ka thënë një herë Maurizio Maggiani, një shkrimtar italian, vetëm në radio fjalët marrin frymë vërtet.

E para [fjalë], ka të bëjë me kuptimin e jetës.

Jemi para një krize ekologjike, para shumë krizave humanitare. Bëjmë pyetje mbi krizën etike të teknologjisë, mbi krizën demokratiko-politike, mbi shumë kriza në marrëdhëniet ndërkombëtare…

Nëse, siç ka shkruar filozofi francez Paul Ricoeur, problemi i kohës sonë është se bulimisë së mjeteve i korrespondon atrofizimi i qëllimeve, çështja nuk ka të bëjë me mjetet, por me qëllimin.

E ndër mjetet, radio është ndoshta ajo që, më shumë se të tjerat, kultivon sensin e qëllimit.

Po cili është qëllimi?

Për mua, qëllimi është t’u përgjigjesh (me urti, me bukuri) pyetjeve të njeriut për kuptimin e jetës.

E këto pyetje jo vetëm nuk kanë vdekur, por lartojnë britmën në kërkim të përgjigjeve.

Çështja është – besoj unë – si t’i japim kuptim horizontit gjithnjë në lëvizje.

E vërteta është se… siç ka shkruar Ernst Bloch, “kudo ta takojmë njeriun, cilado qoftë ngjyra e lëkurës së tij, cilado qoftë gjerësia gjeografike apo klima, ne e gjejmë - pavarësisht se duket ndryshe - të zënë me një mendim themelor, të fiksuar në një problem të vetëm, atë të fatit të tij: kush jam? Ç’bëj mbi këtë tokë, cila është arsyeja e jetës sime? Kush mund të më japë një përkufizim për veten time, të aftë të ma mbushë mendjen?

Cila është arsyeja? Pse jetoj? Ç’ka përtej gjithë kësaj?

Kjo është hapësira e një radioje fetare.

T’u rikthejë kuptimin fjalëve, të cilat, përndryshe, do t’i përdornim pa ndonjë qëllim.

Nëse vërtet, komunikimi nuk është vetëm një lidhje e shterpët.

Nëse të komunikosh do të thotë të bashkosh, ka akoma hapësirë për radio që kultivojnë sensin, fenë. Jo për të imponuar, por për të propozuar.

Në një botë kaq pa shije, nuk mund të mos ketë treg për kripën.

Sot, komunikimi, shpesh, në vend që të bashkojë, ndan, ndërton gardhe.

Por, bukuria, forca e punës sonë qëndron në aftësinë për të krijuar – përmes fjalëve, kujtesës, tregimit – identitet dhe dialog, identifikim, ndjenjë përkatësie e, vullnet për takim, bashkëndarje, bashkim; një afërsi në kundërshtim me kulturën e largësisë, të kundërvënies.

Do të thotë të hedhësh farën e paqes, duke dëshmuar fenë.

Vlen për ne katolikët, vlen edhe për fetë e tjera, të thirrura nga Zoti për ta dëshmuar vetveten përmes dialogut.

Siç pohon Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, “dialog ndërmjet besimtarëve do të thotë të takohemi në hapësirën e jashtëzakonshme të vlerave të përbashkëta shpirtërore, njerëzore e shoqërore e ta investojmë gjithë këtë në përhapjen e virtyteve më të larta morale, nxitur nga fetë”.

Kisha Katolike nuk përdor prozelitizmin, por tërheqjen e joshjen, që rrjedhin nga bukuria e dashuria.

Për të qenë kripë e tharm, identiteti i krishterë duhet të njihet, të kuptohet, jo të vringëllohet.

Duhet të dëshmohet përmes tregimeve të jetës.

Si të mos kujtojmë atëherë, në këto vite [të radios], shenjtërimin e Nënë Terezës, bijë e këtij populli fisnik, si edhe lumnimin prekës të 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, ose krijimin e kardinalit Simoni Troshani.

Në studiot tona kanë kaluar personalitete të mëdha, që i kanë folur dhe e kanë mbështetur popullin shqiptar, në çastet më të vështira e më të errta të historisë së tij, si dhe e kanë inkurajuar në kohën e lirisë së rifituar.

Mjafton këtu të përmendim dy shenjtorë: Papën Gjon Pali II, shën Nënë Terezën dhe shumë personalitete të botës shqiptare.

Shqipëria është e vogël gjeografikisht, por historia e saj është e rëndësishme.

“Ç’po ndodh në Shqipëri – pati thënë Papa Françesku, gjatë takimit me presidentin dhe me autoritetet e vendit, në vitin 2014 – tregon… se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive, që u përkasin feve të ndryshme, jo vetëm është e dëshirueshme, por edhe e mundshme dhe e praktikueshme konkretisht”…

Duke përfunduar, mund të them se prania jonë këtu, e ndjekur nga malli dhe dashuria për atdheun e kolegeve të tjera nga Roma, në këtë moment prekës, në vigjiljen e ditës së themelimit të redaksisë së gjuhës shqipe të Radio Vatikanit, 68 vjet më parë, i ngushton hapësirat dhe i afron ato, siç bën shqiponja, gjatë fluturimit të saj madhështor.

Ky simbol, i përdorur edhe nga Papa Françesku, na kërkon, siç tha Ati i Shenjtë, të “mos e harrojmë shqiponjën. Shqiponja nuk e harron çerdhen e saj, por fluturon lart. Futuroni lart! Shkoni majave! Por, pastaj, shqiponja kthehet gjithnjë në fole…”.

Ndoshta, mund ta përdorim këtë metaforë edhe për fjalët, që radioja i bën të fluturojnë e të arrijnë në çdo shtëpi; fjalë, që flasin një gjuhë të caktuar, tregojnë një histori e një fe e, pastaj, kthehen përsëri në fole.

02 tetor 2019, 12:39