Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Parolin: dialog, reforma e çarmatim për zgjidhjen e sfidave ndërkombëtare

Në ambasadën italiane pranë Selisë së Shenjtë, në Romë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, foli gjatë paraqitjes së librit “Kinemaja e Papëve”. I pyetur nga gazetarët preku edhe temën e Sirisë e të Irakut, si edhe vizitën e Papës Françesku në Japoni.

R.SH. - Vatikan

Dje, gjatë paraqitjes së librit të imzot Dario Edoardo Viganò, me titull “Kinemaja e Papëve. Dokumente të panjohura të Filmotekës së Vatikanit”, në Ambasadën italiane pranë Selisë së Shenjtë, në Romë, foli edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Gazetarët e pranishëm i bënë pyetje të shumta mbi aktualitetin ndërkombëtar, sidomos mbi gjendjen në Siri e Irak dhe mbi udhëtimin e ardhshëm të Papës Françesku në Azi.

Siri: dialog dhe reforma për një paqe të qëndrueshme

         Përsa i përket Sirisë, ende në konflikt, kardinali Parolin theksoi se Selia e Shenjtë ngul këmbë gjithmonë mbi rëndësinë e dialogut dhe të bisedimeve. Vërejti edhe se lufta kundër Isisit u deklarua e përfunduar, por është e qartë se akoma duhet çrrënjosur kultura, që e shkaktoi atë fenomen. Kjo bëhet vetëm duke u dhënë përgjigje nevojave të popullsisë, duke bërë reformat e kërkuara nga të gjitha palët në Irak e në vende të tjera. Vetëm kështu, nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, do të jetë e mundur të shmangen devijimet, që sollën Isisin.

Në Japoni, thirrje për çarmatim

         Lidhur me vizitën, që Papa Françesku do të bëjë në Tajlandë dhe në Japoni, nga 19 deri më 26 nëntor, kardinali Parolin vuri në dukje se Ati i Shenjtë kthehet në atë zonë pas udhëtimit në Mianmar dhe në Bangladesh. Veçanërisht në Japoni, Papa do të bëjë një thirrje të zjarrtë për çarmatimin. Jemi para një rreziku të madh, denoncoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, pasi në vend që të shkatërrojnë arsenalet, aktualisht, shtetet kanë prirjen të riarmatosen. E kjo, theksoi së fundi kardinali Parolin, pa u garantuar sigurinë popullsive, përkundrazi, duke përdorur fonde të rëndësishme, që mund të shërbenin për zhvillimin e shoqërisë.

30 tetor 2019, 12:39