Simbolet amazonike, që u hodhën në lumin Tiber Simbolet amazonike, që u hodhën në lumin Tiber  Editorial

Newman dhe shtatoret indios, hedhur në lumin Tiber

Episodi i trishtë i vjedhjes dhe i hedhjes së simboleve amazonike.

R.SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

Vjedhja dhe hedhja në lumin Tiber e tre figurave prej druri të traditës amazonike, që pasqyrojnë një grua të re shtatzënë, përbëjnë një episod të trishtuar, që flet vetë. Të bëjnë përshtypje disa nga reagimet ndaj këtij gjesti të dhunshëm dhe aspak tolerues: “u vu drejtësia” titullon me entuziazëm një faqe gazete italiane, pasi pamjet e “kësaj marrie” u përhapën përmes mediave shoqërore. Në emër të traditës dhe të doktrinës u hodh, me përbuzje, një figurë e amësisë dhe e shenjtërisë së jetës. Një simbol tradicional për popujt indigjenë, që përfaqëson lidhjen me “tokën nënë”, përcaktuar kështu nga shën Françesku i Asizit në Këngën e Krijesave.

 Ikonoklastëve të rinj, që kaluan nga urrejtja e rrjeteve shoqërore në në veprim, do t’u ishte e dobishme të rilexonin pohimet e njërit prej shenjtorëve, kanonizuar disa ditë më parë, ato të kardinalit John Henry Newman. Në librin e tij “Ese mbi zhvillimin e doktrinës së krishterë”, botuar më 1878, duke folur për ndërthurjen e elementeve pagane në Kishë, Newman shkruan: “Përdorimi i tempujve, si ata që u kushtohen shenjtorëve të veçantë, ashtu edhe ata të zbukuruar me degë pemësh, me kem, llamba dhe qirinj; ofertat ‘ex voto’ në rastet e shërimit nga sëmundja; uji i bekuar; strehimi i sigurtë në kishë; festat dhe stinët liturgjike; përdorimi i kalendarëve; procesionet; bekimet në fushë; veshjet meshtarake; prerja e flokëve para shugurimit; unaza e martesës; kthimi nga lindja për lutjen e; më vonë, edhe imazhet, ndoshta edhe këngët kishtare e Kyrie Eleison (O Zot ki mëshirë): të gjitha janë me zanafillë pagane e janë shenjtëruar me pranimin e tyre në Kishë”.

22 tetor 2019, 14:51