Kërko

Zoja e Loretos Zoja e Loretos 

Më 10 dhjetor, përkujtimi jo i detyrueshëm i Zojës së Loretos

Dekret i Kongregatës për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve mbi kremtimin e Zojës së Loretos: festa shkruhet në Kalendarin e përgjithshëm Romak.

R.SH. - Vatikan

“Ati i Shenjtë Papa Françesku dekretoi që përkujtimi fakultativ i Virgjërës së Loretos të shkruhet në Kalendarin Romak më 10 dhjetor, ditë në të cilën festohet edhe në Loreto, vit për vit. Ky kremtim do t’i ndihmojë të gjithë, veçanërisht familjet, të rinjtë, rregulltarët, të imitojnë virtytet e dishepulles së përkryer të Ungjillit, Virgjërës Nënë, e cila, duke mbajtur në kraharor Kreun e Kishës, na mirëpriti edhe ne”. Kështu shkruhet në dekretin e Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, nënshkruar nga prefekti, kardinali Robert Sarah.

Shenjtërorja e Zojës së Loretos
Shenjtërorja e Zojës së Loretos

Shenjtërorja e Loretos

         Shenjtërorja e Loretos, shkruhet në tekst, ka ditur t’i promovojë “shkëlqyeshëm, me kalimin e kohës, jo më pak se Nazareti në Tokën Shenjte, virtytet ungjillore të Familjes Shenjte”. “Në Shtëpinë e Shenjtë, para figures së Nënës së Shëlbuesit e të Kishës, shenjtorë e të lumë i janë përgjigjur thirrjes së Zotit, të sëmurë janë lutur për ngushëllime në vuajtje, populli i Zotit ka filluar të lëvdojë dhe t’i përgjërohet Shën Marisë me Litanitë lauretane, të njohura në gjithë botën. Në veçanti, ata që udhëtojnë me avion gjejnë në Të, pajtoren e tyre qiellore”.

Shtëpia e Shenjtë brenda Shenjtërores së Zojës së Loretos
Shtëpia e Shenjtë brenda Shenjtërores së Zojës së Loretos

Jubileu lauretan

         Më 8 dhjetor do të fillojë edhe Jubileu Lauretan, me hapjen e Portës Shenjte, për të kremtuar 100-vjetorin e shpalljes së Zojës së Loretos, pajtore e aeronautëve. Më 1 nëntor, do të kremtohet hapja e Jubileut, me një meshë të kryesuar nga imzot Krystof Nikiel. Viti i Shenjtë Lauretan do të përfundojë më 10 dhjetor 2020.

31 tetor 2019, 12:32