Kërko

Imzot Rino Fisichella Imzot Rino Fisichella 

Fisichella: Letra e Papës, farë për t’i përforcuar të krishterët në fe

Në një intervistë me Vatican News, kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fisichella, shpjegon temat kryesore të Letrës Apostolike “Aperuit Illis” të Papës Françesku.

R.SH. - Vatikan

“Kemi nevojë të konsultojmë vazhdimisht Shkrimin Shenjt, përndryshe zemra mbetet e ftohtë dhe sytë mbeten të mbyllur, të sëmurë, siç jemi, nga forma të shumta verbërie”. Kështu shkruan Papa Françesku në Letrën Apostolike “Aperuit Illis”, me të cilën themelon të Dielën e Fjalës së Zotit për t’u kremtuar në të dielën e tretë të kohës së zakonshme të vitit liturgjik. Leximi i vazhdueshëm i Shkrimit Shenjt na e shndrit mendjen për të dalë “nga individualizmi” dhe për të jetuar në solidaritet me të tjerët, nënvizon Ati i Shenjtë. Në komentin e tij për Letrën, imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, thekson “vlerën historike” të nismës së Papës, e cila është “mundësi baritore” për gjallërimin e kumtimit të Fjalës së Zotit në këtë çast historik plot sfida.

Fisichella: Fjala e Zotit shprehet përmes dëshmisë

         Në një intervistë për Vatican News, imzot Rino Fisichella kujton se shumica e besimtarëve nuk e njohin Shkrimin Shenjt, prandaj e Diela e Fjalës së Zotit përfaqëson një mundësi për ta rivendosur atë në qendër të jetës së krishterë:

         Kjo Letër lindi, sepse Papa mori jashtëzakonisht shumë kërkesa nga ana e barinjve dhe e laikëve, pas Jubileut të Mëshirës. Në Letrën e tij Apostolike “Misericordia et Misera”, në fund të Jubileut, ai pati shkruar se në kisha, sipas vullnetit të secilës - sepse bëhet shumë në këtë drejtim – të caktohej një e diel, në të cilën Fjala e Zotit të vendosej në qendër të jetës së bashkësisë së krishterë, si shenjë bashkimi, në mënyrë që të dilte edhe më në pah forca e Fjalës së Hyjit për bashkësinë, por edhe përgjegjësia e saj për ungjillëzimin.

Po a s’është çdo e dielë e Diela e Zotit? Ç’nevojë kishte? Në komentin tuaj, ju flisni për vlerën historike të kësaj së Diele…

         Unë besoj se ka me të vërtetë vlerë historike. Të mos harrojmë se çdo të diel kremtojmë misterin e qëndrimit të Zotit të ringjallur në mesin tonë. Kremtojmë flijimin e Tij në Mundimet, vdekjen dhe misterin e Ringjalljes, prandaj akti liturgjik i kremtimit të Eukaristisë bëhet kulmi i jetës së krishterë. E megjithatë, duke filluar nga viti 1200, ne kremtojmë edhe festën e Korpit të Krishtit. Është e vërtetë që çdo të diel, ne dëgjojmë Fjalën e Zotit. Kjo nuk do të thotë që një të diel, Fjala e Zotit të mos shpallet me solemnitet më të madh dhe të mos bëhet një reflektim i veçantë, i shoqëruar nga shenja më të dukshme rreth rëndësisë, që ka kjo Fjalë për Kishën.

Një e diel, që ndër të tjera, ka edhe vlerë ekumenike…

         Absolutisht po. Papa vendosi ta kremtonte të Dielën e tretë të Kohës së zakonshme, kur të gjitha leximet ungjillore paraqesin figurën e Jezusit si lajmëtarin e Mbretërisë së Zotit. Por, të mos harrojmë, kjo ndodh edhe në kohën kur kremtohet – vetëm pak ditë më parë – Dita e dialogut me hebrenjtë e më pas, edhe Java e Lutjes për Bashkimin e të krishterëve. Kjo nuk është njësoj si Ditët Botërore, siç jemi mësuar t’i mendojmë zakonisht. Kjo është një e Diel që, megjithëse kremtohet vetëm një herë në vit, vlen për gjithë vitin. Papa e thotë qartë: dita kushtuar Biblës nuk është vetëm për një herë në vit, por është një herë për tërë vitin, në mënyrë që njerëzit të familjarizohen më shumë me Shkrimin Shenjt.

Një lloj fare e hedhur për ta përforcuar popullin në fe?

         Papa paraqet tri skena biblike. E para është ajo e Emausit, që i shërben për t’i bërë njerëzit të kuptojnë sesi, përmes Fjalës së Zotit, Hyji shoqëron jetën e çdo besimtari, jetën e Kishës dhe në këtë mënyrë, na e përflak zemrën. Pastaj kemi një skenë të dytë, atë të kthimit të popullit hebraik pas mërgimit dhe të rizbulimit të librave të Ligjit: është libri i Nehemisë, që e kujton këtë çast historik të popullit hebraik. Papa e përdor këtë skenë për të treguar që Fjala e Zotit e krijon popullin dhe bën që njerëzit të grumbullohen jo vetëm për ta dëgjuar, por edhe për ta jetuar. Fjala e Hyjit e kumtuar dhe e jetuar krijon gëzim. Skena e tretë është ajo e Ezekielit profet, marrë nga libri i Zbulesës. Papa na shpjegon se Fjala e Hyjit është e ëmbël, por në të njëjtën kohë, është e hidhur, sepse nganjëherë ajo nuk pranohet, nuk jetohet ose refuzohet.

Cilat janë marrëdhëniet e të krishterëve me Fjalën e Zotit, në jetën e përditshme? Sepse nganjëherë, ndodh që Fjala e Hyjit të mbetet vetëm libër i shkruar…

         Fatkeqësisht, këtu prekim një notë të trishtuar. Pjesa dërrmuese e të krishterëve nuk e njohin Shkrimin Shenjt dhe e dëgjojnë vetëm gjatë kremtimit eukaristik të së dielës. Bibla është libri më i përhapur, por, ndoshta, edhe më i mbuluari me pluhur, sepse nuk e mbajmë në dorë. Me këtë Letër, Papa na fton ta mbajmë çdo ditë në dorë Fjalën e Zotit, duke e kthyer në lutje. Le të mendojmë sa e rëndësishme është të rizbulojmë Psalmet, sepse çdo psalm i referohet gjendjes së popullit të krishterë dhe jetës së çdo burri dhe të çdo gruaje. Pastaj, “lectio divina”, pra, aftësia për t’u thelluar më shumë e për të parë si është jetuar kjo Fjalë gjatë rrjedhës së historisë dhe si u shndrit, si interpretimi i saj çon në pasurimin e shqisave, në kuptime të paimagjinueshme. E sidomos, si shprehet Fjala e Zotit përmes dëshmisë sonë. Papa i referohet jashtëzakonisht përmasës së bamirësisë, sepse kur dikush dëgjon Fjalën e Zotit, bëhet më i vëmendshëm, më vigjilent dhe më i ndjeshëm ndaj nevojave të vëllezërve, veçanërisht të më të mënjanuarve. Nuk është rastësi që Papa kujton shëmbëlltyrën e të pasurit dhe të Lazrit të varfër. Aftësia për ta dëgjuar Fjalën e Zotit na bën më të ndjeshëm ndaj situatave më të pakëndshme, më të vështira të jetës, ndaj atyre, që tashmë quhen periferi ekzistenciale.

Cilat janë udhëzimet konkrete të Papës për të pagëzuarit, por edhe për meshtarët, në Letrën Apostolike “Aperuit illis”?

         Për meshtarët e, edhe për ipeshkvijtë. Papa u kujton meshtarëve ç’është thelbësore për të, vlerën e homelisë. Sipas tij, është rast baritor për të mos u humbur. Homelia kërkon në radhë të parë që ne priftërinjtë, të jemi në kontakt të përditshëm me atë Fjalë të Zotit, të cilën më pas duhet ta shpjegojmë. Njerëzit tanë kanë të drejtë për një shpjegim inteligjent dhe koherent, që prek jetën dhe nevojat e secilit. Por, Papa u bën thirrje edhe ipeshkvijve që, në këtë të Diel, të kremtojnë, për shembull, shërbimin e Lektoratit. E shkon më tej dhe thotë se, duke pasur parasysh këtë të Diel, në vitet e ardhshme, është mirë të ketë një shërbim e një mandat të veçantë, - siç është për shembull, ai për Kungimin - për të cilin njerëzit të përgatiten më parë me studimin e reflektimin mbi Fjalën e Zotit. Besoj se ky është edhe një provokim baritor. Ne e dimë si ndodh në kishat tona: shkon për të lexuar i pari, që shpreh gatishmërinë për këtë. Nuk është kjo vlera, që i duhet dhënë Fjalës së Zotit. Për të duhen gjetur njerëz, gra e burra, të aftë ta kumtojnë, duke e pasur parasysh me inteligjencë teksin e Shkrimit Shenjt.

01 tetor 2019, 11:17